E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, rreth 15 milionë lekë për rikonstruksionin e nënstacionit të Shkozetit



Një fond rreth 15 milionë lekësh të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë po bën të mundur rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Shkozetit, punimet e të cilit kanë nisur që prej 15 nëntorit. "Nënstacioni i Shkozetit do të ketë 5 transformatorë me një fuqi instaluese 150 megavolt gjithsej, ndërkohë që punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit janar 2009", - thanë burime zyrtare të OSSH-së. Sipas tyre, nënstacioni i Shkozetit ka 10 fibra 20 kilovolt dhe 11 fibra 16 kilovolt. Të njëjtat burime thanë se ky nënstacion do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike të Shkozetit deri në Plepa, Durrës, si dhe të disa zonave të tjera të qytetit bregdetar. Gjatë vitit 2008 OSSH-ë ka realizuar një sërë projektesh rikonstruksionesh për fuqizimin e nënstacioneve elektrike në të gjithë vendin. Shkozeti është nyja më e rëndësishme rrugore e qytetit të Durrësit. Ai përmes rrugës-unazë, bashkon Tiranën dhe veriun e vendit me rrjetin rrugor që shkon drejt jugut, çka e lehtëson dhe e nxit veprimtarinë tregtare dhe prodhuese të kësaj zone. Në këtë territor është ndërtuar një rrjet infrastrukturor mjaft i favorshëm dhe shanset e zhvillimit të përshpejtuar të kësaj zone janë të dukshme.

Kriza në Britani, 600 mijë vende pune më pak në vitin 2009

Të paktën 600 mijë persona do të humbasin vendet e tyre të punës në vitin 2009 në Britaninë e Madhe. Sipas gazetës “The Guardian”, që citon të dhëna nga “Chartered Institute of Personnel and Development”, këto do të jenë efektet e krizës financiare botërore. Tremujori i parë i vitit të ardhshëm mund të nisë me 300 mijë vende pune më pak. Kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe për vitin 2010, duke e çuar numrin total të pushimeve nga puna, të përllogaritur nga mesi i vitit 2008, në 1 milion veta. Ekonomia britanike deri vitin e ardhshëm do të shënojë rënie prej 2.9 për qind dhe do të hyjë në recesionin më të thellë që nga viti 1946. Qendra për Hulumtime Ekonomike dhe Afariste, paralajmëroi edhe rënie të paundit, si dhe rritje të papunësisë. Më të rrezikuara nga kriza do të jenë investimet e ndërmarrjeve, të cilat në vitin 2009 do të ulen për 15 për qind dhe gjithnjë e më rëndë do të mund të ngrenë kredi. Qeveria britanike javën e kaluar paralajmëroi plan për aprovimin e 20 milionë pafundësh për stimulim të investimeve.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›