Aksioni i Amnesty International: Të gjithë tu shkruajmë Berishës e Bashës për të zgjidhur problemin e romëve
Vetëm për tre vjet janë dhënë nga donatorët 7-8 milion euro për komunitetin rom
Organizata e njohur Amnesty International, që kujdeset për të drejtat e njeriut në mbarë botën, për dy ditë rresht ka ngritur shqetësimin e dëbimit të familjeve rome në Shqipëri. Në dy dokumentet e publikuara më 1 dhe 2 shkurt, Amnesty bën thirrje që menjëherë të dërgohen letra për Bashën dhe Berishën për të zgjidhin problemin e strehimit për romët dhe ti mbajnë ata të informuar për gjithçka. Ata nuk kërkojnë zgjidhje të përkohshme, por të përhershme. Amnesty jep adresat e Berishës dhe Bashës dhe u kërkon të gjithëve që të shkruajnë në anglisht ose në shqip.
Në deklaratën e Amnesty shprehet shqetësim për faktin se 25 familje rome kanë mbetur pa banesë pasi janë detyruar nga autoritetet lokale në Tiranë që ti braktisin ato. 25 familjet rome jetonin pranë Liqenit Artificial. Shtatë prej tyre jetonin aty prej disa vitesh. Pjesa tjetër, 18 familje, erdhën aty kur banesat e tyre pranë Stacionit të Trenit u sulmuan nga persona jashtë komunitetit të tyre. Në atë kohë autoritetet nisën rinovimin e disa kazermave ushtarake për strehimin e tyre, por puna nuk ka nisur akoma. Por më 21 janar të këtij viti, këtyre familjeve u është thënë verbalisht se duhet të largohen. Tre ditë më vonë autoritetet erdhën aty dhe u kërkuan të largohen sepse do vinin ruspat. Sipas ligjeve ndërkombëtare, dëbimi nuk mund të bëhet pa pasur një vendbanim. Për më tepër dëbimet nuk duhen bërë në dimër, thuhet në deklaratën e Amnesty International.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, nga organizatat ndërkombëtare janë dhënë 7 deri në 8 milionë euro, për integrimin e romëve në Shqipëri për një periudhë 3-vjeçare.
“Fondet janë të mëdha, janë dhe projektet nga donatorët që qeveria shqiptare, tashmë i ka firmosur dhe kalojnë mbi 7 – 8 milionë euro për mbështetjen e këtij komuniteti në të gjithë Shqipërinë, në një periudhë 3-vjeçare. Ne jemi munduar që nga 40 familje, që ishin në këtë kamp shumicën prej tyre ta integronim në tregun e punës, punës, t’u gjenim punë dhe ia kemi arritur”, tha ministri i Punes, Spiro Ksera.