Aksioni për asgjësimin e kanabisit shtrihet në të gjithë territorin
Policia e Shtetit, superaksion kombëtar për asgjësimin e parcelave në qarqet problematike të Vlorës, Shkodrës e Gjirokastrës
Policia ka shtrirë në disa qarqe të vendit aksionet për zbulimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella më kanabis sativa. Në Komunën Pult në Shkodër janë zbuluar rreth 25 parcela të mbjella me këtë bimë. Policia ka bërë të mundur asgjësimin e 9100 rrënjë kanabis, ndërsa ka nisur procedimin penal në gjendje të lire ndaj kryeplakut të fshatit, Plan Gjon Bungu, nën akuzën e 'moskallëzimit të Krimit'. Asgjësimi i kanabis u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative, ndërsa ka nisur hetimet për gjetjen dhe të personave të cilët e kultivonin lëndën narkotike. Parcela me kanabis janë zbuluar edhe në komunën Kukur në Gramsh. Në këtë fshat janë asgjesuar nga unifomat blu rreth 200 rrënjë. "Nga shërbimet e policisë së komisariatit Gramsh në orët e para të mëngjesit janë asgjesuar rreth 200 bimë rrënjë kanabis sativa në fshatin Kukur. Policia po punon për identifikimin e personave që posedonin dhe e kultivonin këtë lëndë" theksoi Valbona Begu zëdhënëse policie Elbasan. Prej ditësh edhe drejtoria e policisë së Gjirokastrës ka nisur një operacion kundër kultimit të Kanabis Sativa, në Lazarat, zona më problematike në vend. Ky aksion po zhvillohet jashtë fshatit Lazarat është përqendruar në ndalimin e punëtorëve , makinave me pleh dhe boteve me ujë, që shërbejne për të kultivuar këtë bimë. Nuk ka ende një konfirmim në zyrtar nëse policia ka një plan për të hyrë brenda në fshat ku sic ëhstë pohuar janë mbjellë rreth 319 hektarë me kanabis. Banorët e Lazaratit që merren me kultivimin e bimës narkotike, kanë punësuar njerëz të armatosur të vendosur në male që kontrollojnë cdo lëvizje përreth fshatit.
Gjithashtu 27 km larg kryeqyteti Policia e Shtetit ka zbuluar dhe asgjësuar një parcel me kultivim kanabis. Mësohet se Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasit Xhemal dhe Astrit Murati 60 dhe 28 vjeç, si dhe 16-vjeçarin R.Murati, banorë të komunës Bërzhitë, të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Policia bën të ditur se kanabisi kultivohej nga familja Murati dhe parcela ku ishte mbjellë është një zonë tepër e vështirë për t’u evidentuar nga helikopterët italianë të pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë për zbulimin e bimëve narkotike. Nëse kanabisi do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 600 mijë eurove. Kohët e fundit në bashkëpunim me repartin e aviacionit të Guadia di Financia, Policia e shtetit përmes monitorimit nga ajri ka përcaktuar hartën e kultivimit të hashashit, dhe qarqet me problematike mbeten Vlora, Shkodra e Gjirokastra, por edhe Tirana dhe Durrësi.