Në Lezhë u falsifikua rezultati, s’mund të mos denoncohej
Flet anëtari i KQZ, Klement Zguri
Mazhoranca e re qeverisëse nuk duhet të përdorë forcën e numrave për të uzurpuar KQZ. Kështu deklaron anëtari i KQZ i propozuar nga Partia Republikane Klement Zguri, duke u deklaruar kundër riformatimit të institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve. Në prononcim për mediat anëtari i KQZ-së Zguri deklaroi se subjektet zgjedhore që kanë të drejtën të kenë përfaqësues në Komision duhet të gjejnë arsyen dhe të propozojnë kandidatët për të plotësuar vakancën e krijuar në KQZ. “Pretendim tradicional, pas çdo procesi subjektet zgjedhore ngrehen dhe kërkojnë diçka të tillë. Politika funksionon mbi bazën e një axhende të interesave të tyre. Por projekti duhet të jetë edhe në përputhje me interesin publik. Unë mund të jap komente ligjore, në momentin kur riformatohet, anëtarët duhet të kërkojnë disa kritere ligjore. Ndërprerja e parakohshme e mandatit të anëtarëve është e parashikuar në kod se kur mund të bëhet. Që nga 2000 pas çdo procesi gjendet një marrëveshje mes palëve që të bëjnë të mundur ndryshime të tilla, por këto funksionojnë kur ka marrëveshje të mëdha ose gjatë reformave zgjedhore. Subjektet zgjedhore që kanë të drejtën të kenë përfaqësues duhet të gjejnë arsyen dhe të propozojnë kandidatët për të plotësuar vakancën e krijuar në KQZ. Shpresoj që mazhoranca s’do ketë arsye dhe s’do dojë të ndërhyjë në mënyrë brutale për shkak të shumicës që ka, për të uzurpuar KQZ” deklaroi ai. Nëse formula aktuale mbi të cilën është ndërtuar KQZ është produktive apo jo, Zguri shprehet se për këtë duhet një studim i hollësishëm. Por ajo çfarë ai ngre si shqetësim dhe për të cilën kërkon një vëmendje më të madhe nga ligjvënësi dhe aktorët politikë, janë dy elementë të cilët u pikasën në zgjedhjet e 23 qershorit, dorëheqja e anëtarëve të KQZ dhe manipulimi në “grup”i rezultatit zgjedhor në Lezhë. “Për të përcaktuar një formulë eficente për KQZ kërkon një studim. Nuk është vetëm KQZ, por gjithë administrata zgjedhore. Unë kam eksperienca edhe kur KQZ ka qenë e pavarur, organ kushtetues dhe kur u bë kategori ligjore. KQZ nga zgjedhjet në zgjedhje ka ardhur duke përmirësuar imazhin e saj, nuk është konstatim imi, por edhe nga vëzhgues brenda dhe jashtë. Ishte me katër anëtarë, siç edhe thuhet rëndomtë 4 anëtarë të një spektri politik dhe kemi pasur vendime korrekte, ligjore. Zgjedhjet e 23 qershorit sollën dy elementë mbi të cilët politika duhet të ketë vëmendje, bojkotin e anëtarëve të KQZ. Duhet të bëhet e mundur që raste të tilla të mos gjejnë bazë për tu kryer. Kemi rastin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, ku në rast se ndodhin vakanca të tilla plotësohen nga KQZ, për këtë të fundit mund ta bëjë Parlamenti, pra duhet të ketë një institucion. E dyta ishte rasti i Lezhës, falsifikohet rezultati zgjedhor. Nuk gjeta një rast ku njëri nga vëzhguesit të ngrejë zërin për një rast të tillë. S’mund ta kuptoj që me një numër kaq të madh personash si mundet të ndodhin veprime të tilla dhe mos të denoncohen. Ligjvënësi duhet ta bëjë të mbrojtur sistemin ndaj administratës zgjedhore, të cilët tentojnë të manipulojnë procesin. Rezultatet e zgjedhjeve duhet të jenë në përputhje me vullnetin e zgjedhësve. Në zgjedhjet e fundit që kaluam rezultati ishte i qartë. Koha do tregojë që ndërhyrja që besoj se forcat politike do t’i bëjnë kodit zgjedhor, do të përmirësojnë apo jo nivelin e zgjedhjeve” u shpreh Zguri.
...