E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni per heqjen e barrikadave KFOR Ne kontroll pikat kufitare

Operacioni për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe lirimin e   rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31, sipas KFOR-it, deri tani është zhvilluar me sukses. “Ajo që mund të them është se operacioni ynë deri tani ka qenë i suksesshëm. Kemi kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe kemi kontroll të plotë në rrugët që janë përdorur për kontrabandë”, është shprehur zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.  Ai konfirmoi se KFOR-i ka kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë ndërsa janë hequr pjesërisht dhe barrikadat.

Trupat e NATO-s sot në mëngjes rreth orës 5:45 filluan të largojnë barrikadën e vendosur në rrugë, në fshatin Jagnjenica në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak. Mediat serbe raportojnë se pjesëtarët e KFOR-it janë të veshur me rroba të rënda dhe mbrojtëse që shërbejnë për raste trazirash, kurse në një moment ata kanë përdorur edhe gazin lotsjellës për të larguar protestuesit serbë që nuk donin të lëshonin barrikadën.

Serbët e revoltuar kanë filluar të largohen nga barrikada duke brohoritur se “asnjë makinë nuk do të kalojë andej”. Jagenica, vendi ku KFOR-i ka hequr pjesërisht barrikadën e serbëve në mëngjesin e sotëm tashmë është shndërruar në një vend të qetë, megjithëse njerëzit e barrikadave vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë kurse trupat e NATO-s kanë krijuar një kordon dhe qëndrojnë pak më larg tyre. Me megafon KFOR-i është duke u bërë thirrje serbëve të largohen që aty.

Paralelisht me këtë, gjatë gjithë natës në Zubin Potok dhe në vendbanimet përreth, serbët u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në barrikada. Trupat e KFOR-it kanë mbërritur atje diku rreth orës 4:00 të mëngjesit, por nuk kanë arritur ende të largojnë tërësisht barrikadat, për shkak se aty janë mbledhur shumë njerëz. Por ndërsa në pikën 31 në Bërnjak, KFOR-i po vazhdon të heqë barrikadat të rrethuar nga serbë të revoltuar, nuk ka pasur lëvizje drejt pikës tjetër kufitare, asaj numër 1 në Jarinje të Leposaviqit. Aktualisht situata në këtë pikë kufitare vlerësohet e qetë, por rruga deri aty vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa serbë lokalë janë mblidhur në afërsi të kësaj pike.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, përmes një deklarate për media, u kërkoi serbëve të Kosovës të qëndrojnë  të qetë, ndërsa NATO-s t’i shmanget përdorimit të dhunës.

“Liderët e serbëve lokalë do të duhej të punonin vetëm në interesin e njerëzve dhe jo nën ndikimin e disa partive politike serbe”, theksoi Tadic. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje përfaqësueseve të serbëve lokalë të marrin vendime, siç ka thënë ai, në interes të qytetarëve dhe jo për interesa të liderëve të tyre partiakë që kërkojnë të përfitojnë për zgjedhjet në Serbi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›