Vdes nga korrenti emigranti 21-vjeçar
Fier - Kishte tre muaj që kishte shkuar në Greqi te vëllezërit, por ka humbur jetën në një stan ku ishte punësuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Greqisë, i quajtur Korupi, një zonë rreth 70 kilometra në perëndim të Athinës. 21-vjeçari Roland Shehaj, nga fshati Fermë që i përket komunës Cakran të Fierit, mbas shumë peripecish për të shkuar në Greqi te vëllezërit e vet është punësuar prej tyre në një stan.
Në orët e mbrëmjes, pasi ka lënë punën, ai ka shkuar te dhoma ku flinte dhe ka dalë në ballkon për të rregulluar antenën e televizorit.
Por fijet e kabllit të antenës ishin të vëna në prizën e tensionit, gjë që nuk dihej nga 21-vjeçari, i cili e ka kapur me dorë, por rryma e ka goditur, duke e rrëzuar në dyshemenë e ballkonit. Lagështia dhe mosmarrja e ndihmës për momentin ka bërë që ai të mos përmendet më. Mospërgjigjja në telefon ka merakosur vëllezërit e të riut, të cilët i kanë shkuar në banesë dhe e kanë gjetur të vdekur. Trupi i tij është kthyer në fshatin e lindjes.
MIRDITË
Vodhi zyrën e PD-së, prangoset 17-vjeçari
MIRDITË - Përfundon në pranga një person i akuzuar për vjedhjen e zyrës së Partisë Demokratike të degës Rrëshen në rrethin e Mirditës, ngjarje e ndodhur në muajin gusht të këtij viti. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se mbrëmjen e së dielës ka përfunduar në pranga 17-vjeçari M.Vorfi, lindur dhe banues në fshatin Gëziq të qytetit të Rrëshenit.
Akuza e ngritur ndaj tij është "vjedhje", ndërsa mësohet se janë dokumentuar tre vjedhje në ngarkim të tij. Kështu, po sipas burimeve zyrtare, pas hetimeve rezulton se Vorfi në bashkëpunim me shtetasin Ermal Biba, banues në qytetin e Lezhës, kanë vjedhur një dyqan të një kompanie celulare në qytetin e Rrëshenit, më datën 13 nëntor. Vetëm pesë ditë më pas rezulton që ata të kenë vjedhur edhe një bar-kafe në këtë qytet, ndërsa katër muaj më parë kanë kryer vjedhjen e zyrës së Partisë Demokratike, dega Rrëshen në rrethin Mirditë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një telefon celular i markës "Samsung" i cili rezulton i vjedhur. Bëhet e ditur se 17-vjeçari dyshohet se mund të ketë kryer edhe vjedhje të tjera, ndërsa po punohet për vënien në pranga edhe të shtetasit Ermal Biba, i cili konsiderohet si bashkëpunëtor me Vorfin.
Qëlloi me armë, pranga 25-vjeçarit
DURRËS - Arrestohet në mesnatë një 25-vjeçar, pasi një breshëri kallashnikovi ka shqetësuar banorët e Sukthit. Gjuajtja me shumë fishekë ka trembur njerëzit, të cilët kanë dyshuar për ndonjë konflikt të armatosur. Policia e mbërritur në vendngjarje ka mbledhur 12 gëzhojë, ndërsa është vënë në kërkim të personit që kishte qëlluar.
Pas informacionit të marrë në pranga ka përfunduar Mariglent Mici. Ai akuzohet për "armëmbajtje pa leje" dhe "prishje të rendit e qetësisë publike".