Akt terrorist në puset e naftës

Disa punonjës shqiptarë të kompanisë kanadeze të naftës, Bankers, e cila operon në Marinëz të Patosit, pretendojnë se gjetën fitila zjarrpërcjellës në tre prej puseve të naftës. Sipas policisë, bëhej fjalë vetëm për litarë të thjeshtë
FIER - Mes ankthit dhe panikut e nisën paraditen e djeshme punën punonjësit e kompanisë “Bankers” të naftës në Marinëz të Fierit, të cilët gjetën në tri puse fitila me gjatësi 2.5 metra. Për ngjarjen u njoftua me shpejtësia policia e Fierit, e cila pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, konkludoi se bëhej fjalë për litarë të thjeshtë. Ndërkaq, punonjësit e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, pohojnë se bëhet fjalë për një “lojë të pisët”, pasi kompanitë e huaja po marrin puset e naftës, ndërsa kompania shtetërore po i nxjerr në reformë. Sipas bluve të Sektorit të Luftës Kundër Akteve Terroriste, nuk kishte vend për panik, pasi poshtë rezervuarve të naftës bruto në Marinëz nuk ndodheshin fitila zjarrpërcjellës. Në vendngjarje shkuan me shpejtësi përveç ekspertëve të kriminalistikës, edhe drejtues të kompanisë kanadeze “Bankers”, e cila zhvillon aktivitetin në sektorin e naftës në këtë rajon, për të koordinuar punën me punonjësit e policisë. Mësohet se për ngjarjen raportuan tre punonjës shqiptarë të kësaj kompanie, të cilët shkuan të punonin, ashtu sikurse çdo ditë, në puset e naftës. “Pikërisht në pusin me numër 792, që i përket sektorit të parë të Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës në Marinëz, ndodhej një fitil zjarrpërcjellës rreth 2.5 metra i gjatë”, pohon njëri prej punonjësve. Presion ndaj “Bankers”Të pyetur në lidhje me ngjarjen, drejtues teknikë të këtij sektori nuk dëshironin të prononcoheshin, duke u mjaftuar vetëm me një “No comment”. I pranishëm në vendngjarje ishte gjithashtu edhe një furgon me katër punonjës të një firme private sigurimi, “Security Guard”, e cila ka marrë përsipër ruajtjen e puseve të naftës për kompaninë kanadeze. Ndërkaq, lajmi u mor vesh shumë shpejt edhe nga punonjës të kompanisë shtetërore “Albpetrol”, të cilët pohuan për gazetën se, është e vërtetë që është gjetur fitil zjarrpërcjellës poshtë rezervuarve të naftës bruto. Sipas tyre, kjo mund të jetë ndonjë lojë e kurdisur, pasi kompania shtetërore po bën reforma në fuqi punëtore, edhe për shkak të shfrytëzimit të këtij sektori nga kompania kanadeze “Bankers”. Kjo kompani po bën që të dalin në reformë punonjësit me 20 apo 30 vjet pune në naftë, pasi dihet që privatët kanë nevojë për më pak punonjës”, thanë burimet.