Akti normativ do zbatohet me përpikëri – ka marrë zgjidhjen përfundimtare
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh dje, në një konferencë për shtyp, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi padinë e Shoqatës së Qiramarrësve, se akti normativ i kthimit të pronave do të zbatohet me përpikëri dhe se i gjithë procesi do të mbikëqyret nga MPPT.
“Përfitoj nga rasti tu shpreh pronarëve sigurinë se, ky akt do të zbatohet me përpikëri. I garantoj pronarët se gjithë administrata e Entit Kombëtar të Banesave në çdo degë rajonale do të jetë e gatshme për të ndjekur procedurat e parashikuara nga akti normativ dhe e gjithë procedura do të mbikëqyret nga MPPT në mënyrë që tërësia e saj të jetë një sukses që do të garantojë jo vetëm zbatimin e këtij akti të rëndësishëm, por edhe që do të çojë në vend një të drejtë të mohuar”, tha Olldashi.
Ministri i Punëve Publike vuri në dukje se “akti i gjykatës ritheksoi zgjidhjen e padrejtësisë 68 vjeçare, kundër një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist dhe tashmë po rivendoset një e drejtë bazike kushtetuese”.
Sipas tij, kthimi i pronës tek pronari, është e drejtë bazike e sanksionuar në Kushtetutë. “Jam vërtet i kënaqur që ky akt, e ritheksoj, zgjidh një padrejtësi 68 vjeçare, një padrejtësi kundrejt një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist që për 48 vjet në atë regjim nuk u lejua të posedonte pronën e vet dhe që priti për 20 vjet demokraci rikthimin dhe rivendosjen e një të drejte bazike kushtetuese sikurse është e drejta e pronës. Një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën e vendit, një e drejtë themelore e sanksionuar në kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, u shpreh Olldashi.
Ai ftoi të gjithë ish-pronarët që duke filluar nga dita e nesërme (sot 1 Nëntor) të aplikojnë për kthimin e pronës së tyre pranë Entit Kombëtar të Banesave.
“Gjë që do të thotë se, nga nesër (sot), ata janë të ftuar të aplikojnë përmes procedurave që akti parashikon pranë Entit të Banesave i cili nga ana e vet pas vënies në lëvizje nga kërkesa e pronarit do t’i drejtohet Gjykatës së rrethit Gjyqësor ku ndodhet prona për nxjerrjen e titullit ekzekutiv. Do të doja të shprehja falënderimin për Gjykatën kushtetuese për shpejtësinë me të cilën e shqyrtoi këtë çështje, pra nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga shoqata e qiraxhinjve në shtëpi pronë e ish-pronarëve e deri sot kur u bë shpallja e vendimit, sepse pikërisht duke qenë brenda datës 1 Nëntor kur fillon afati ligjor i aplikimit nga ana e ish-pronarëve na jep mundësinë që Akti Normativ të zbatohet pa pasur komplikime procedurale që do të vinin në një version tjetër eventual. Pra, fakti që Gjykata e dha vendimin sot e bën shumë më të thjeshtë zbatimin e të gjithë klauzolave që parashikohen në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria dhe të kthyer në ligj nga Kuvendi”, tha ministri Olldashi.