Vendimi i Gjykatës Kushtetuese/Banesat e ish pronarëve - “qiramarrësit duhet të lirojnë shtëpitë”
Qiramarrësit që kanë zënë shtëpitë e ish pronarëve, duhet të lirojnë banesat duke filluar nga dita e sotme (1 Nëntor). Vendimi tashmë ka marrë edhe vulën e Gjykatës Kushtetuese e cila mori dje vendimin, pas padisë së ngritur nga shoqata e qiramarrësve, duke rrëzuar kërkesën e tyre. Ky vendim i Kushtetueses i çel rrugë zbatimit të aktit normativ, si dhe zgjidh një padrejtësi 68 vjeçare të bërë ndaj ish pronarëve
“Qiramarrësit duhet të lirojnë shtëpitë e tyre në datën 1 nëntor”. Vendimi tashmë ka marrë edhe vulën e Gjykatës Kushtetuese e cila ka shfuqizuar kërkesën e shoqatës së qiramarrësve. Kjo shoqatë kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të qeverisë “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuar”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij”.
Shoqata e qiramarrësve përmes avokates së tyre Luljeta Petani i pati kërkuar Gjykatës Kushtetuese shpalljen antikushtetuese të aktit normativ të nxjerrë nga qeveria shqiptare. Sipas tyre ky akt është antikushtetues në formë dhe përmbajtje madje ata e konsiderojnë aktin për lirimin e shtëpive të ish pronarëve edhe si diskriminuese.
Nga ana tjetër, në një njoftim për mediat, Kushtetuesja ka sqaruar vendimin e saj, duke shtuar se arsyetimi i plotë do të bëhet publik në një kohë më optimale.
“Në përfundim të shqyrtimit të çështjes me kërkues shoqatën e Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore ish-pronë private dhe subjekte të interesuara Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë me objekt: ‘Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i aktit normativ nr. 03, datë 01. 08. 2012 ‘Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara’ si dhe të ligjit nr. 82/ 2012, datë 13.09.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara’, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura prej kërkuesit si dhe prapësimet e ngritura prej subjekteve të interesuara, me vendimin e datës 31.10.2012, njëzëri, vendosi: “rrëzimin e kërkesës’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas aktit normativ të miratuar nga Parlamenti vendimi pritet të hyjë në fuqi me 1 nëntor, çfarë do të thotë që qiramarrësit duhet tu lëshojnë menjëherë banesat ish pronarëve.
Akti normativ i miratuar në parlament vetëm me votat e mazhorancës u kundërshtua nga opozita dhe shoqata e qiramarrësve. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi lexoi në parlament emrat e familjarëve që kishin zënë banesat e ish pronarëve ku spikasnin njerëz të sigurimit të shtetit dhe ish funksionarë të Partisë së Punës. Duke filluar nga dita e sotme, ata duhet të lënë banesat e zaptuara 68 vjet më parë dhe të ndjekin mekanizmat ligjorë të rekomanduar nga shteti, për të përfituar kredi me interes zero.