Forum/Flasin ish-pronarët
Kushtetuesja i dha zgjidhje një konflikti 20 vjeçar dhe një padrejtësie 60 vjeçare
Ish pronarët përshëndesin vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili i çel rrugë lirimit të banesave të tyre nga qiramarrësit, sipas aktit normativ të miratuar në parlament dy muaj më parë. Agim Toro, Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, u shpreh gjatë një prononcimi për gazetën “55” se, vendimi i Kushtetueses zgjidh një konflikt 20 vjeçar dhe i jep fund padrejtësisë 60 vjeçare.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ që ka të bëjë me lirimin e banesave, pas 60 viteve që nuk i disponon ato, është një e drejtë që i jep mundësi pronarëve të gëzojnë pronën e tyre. Kthimi i pronës është një detyrim kushtetues dhe i kërkuar nga të gjitha institucionet evropiane. Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë se çdo pronar duhet të gëzojë pronën e tij. Pronarët nuk kanë tentuar asnjëherë t’i lëvizin pronarët nga shtëpitë e tyre, pasi ne kërkojmë thjesht mbrojtjen e interesave të pronarëve në rrugë ligjore. Akti normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve, zgjidh një konflikt 20 vjeçar dhe i jep fund padrejtësisë 68 vjeçare, u shpreh Toro, duke theksuar se, në padinë e tyre në Kushtetuese, familjet qiramarrëse kërkuan shfuqizimin e aktit, ndërsa Gjykata Kushtetuese vendosi një të drejtë”.
Ai theksoi se sa i takon familjeve që jetojnë në banesat e ish pronarëve, shteti u ka dhënë zgjidhje, duke u ofruar përmes një fondi të veçantë, kredi me interes zero. “Familjet që jetojnë në banesat e ish pronarëve, përfitojnë nga shteti kredi me interes zero. Kjo do të thotë se këta qytetarë kanë mundësi të blejnë në treg një tjetër apartament, apo të strehohen në një vend tjetër”, tha ai.
Maksim Begeja, ish pronar i cili nuk gëzon banesën e tij prej vitesh, e cilëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese në përputhje me frymën që e përçon Kushtetutën në drejtim të së drejtës së pronës, në përputhje me nenin 41 të saj që e konsideron pronën private të shenjtë e të pa prekshme.
“Kjo gjykatë bëri një hap përpara në zbatim të njërës prej kërkesave më të rëndësishme të BE, atë të zgjidhjes së çështjes së pronës, si kusht për pranimin e vendit tonë në këtë forum të rëndësishëm. Ky vendim u mor unanimisht nga e gjithë trupa e kësaj gjykate. Kjo tregon se sa e drejtë ka qenë dhe mbetet kërkesa e pronarëve për lirimin e shtëpive të tyre. Janë këta pronarë që gjatë regjimit komunist u nxorën forcërisht nga shtëpitë e tyre, u burgosen, u internuan dhe në rastin më të mirë u lanë që të jetojnë nëpër bodrumet e shtëpive të tyre. Edhe në këto 20 vjet të vendosjes se demokracisë, kalvari i mundimeve të tyre nuk ka pasur mbarim. Një pjesë e madhe akoma edhe sot nuk kanë marrë shtëpitë e tyre, të ndërtuara me gjakun dhe djersën e paraardhësve. Më së fundi u vendos një e drejtë, që megjithëse e vonuar, i jep zgjidhje një prej problemeve që kanë patur dhe kanë pronarët”, tha ai në një prononcim për gazetën “55”.
Si ish deputet i Partisë Republikane, z. Begeja thekson se “PR ka insistuar vazhdimisht për zgjidhjen e këtij problemi. Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese finalizon edhe një nga përpjekjet e kësaj force politike për zgjidhjen e çështjes së pronës në favor të pronarëve të ligjshëm. U desh akti normativ i qeverisë që të detyronte qiramarrësit për të liruar banesat e zëna prej tyre”, shtoi ai.
Një tjetër pronar që kërkon banesën e tij, Tanush Mulleti kërkon nga autoritetet shtetërore, zbatimin e aktit normativ. “Shpresoj shumë që akti normativ për lirimin e banesave të pronarëve, të vijojë dhe të zbatohet sipas vendimit të Qeverisë. Unë kam besim se akti do të zbatohet sepse janë vendimet e Gjykatës së Strasburgut që i japin të drejtë pronarëve”, thotë ai.
Akti normativ
Akti normativ i qeverisë, i miratuar në parlament në muajin shtator, parashikon lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
Ky dokument përcakton lirimin e pronës, ish pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Akti parashikon datën 1 nëntor si afatin final për nisjen e zbatimit të procesit të lirimit të banesave të ish-pronarëve.
Agim Toro: “Vendimi zgjidh konfliktin 20 vjeçar”
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ që ka të bëjë me lirimin e banesave, pas 60 viteve që nuk i disponon ato, është një e drejtë që i jep mundësi pronarëve të gëzojnë pronën e tyre. Kthimi i pronës është një detyrim kushtetues dhe i kërkuar nga të gjitha institucionet evropiane. Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë se çdo pronar duhet të gëzojë pronën e tij. Ky akt nuk bëri asgjë më shumë se sanksionoi këto të drejta të sanksionuara në ligj. Gjithashtu, edhe nga pikëpamja humane, familjet që jetojnë në banesat e ish pronarëve, përfitojnë nga shteti kredi me interes zero. Kjo do të thotë se këta qytetarë kanë mundësi të blejnë në treg një tjetër apartament, apo të strehohen në një vend tjetër. Akti normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve, zgjidh një konflikt 20 vjeçar dhe i jep fund padrejtësisë 68 vjeçare”.
Maksim Begeja: “Shoqata e qiramarrësve u përdor si vegël nga PS”
“Vendimi i Gjykatës kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së shoqatës se qiramarrësve që banojnë në shtëpitë e pronarëve që prej 68 vjetësh, është shprehje e demokracisë, dhe e shtetit ligjor që po funksionon në Shqipëri. Ky akt i jep zgjidhje edhe vetë qiramarrësve. Ai i garanton kredi me interes zero me afat shlyerje për 30 vjet, çka do të thotë se, ata nuk nxirren në rrugë, por i sigurohet banesa, vlerën e së cilës do ta shlyejnë njëlloj sikur ta kishin me qira, por që së fundi ajo mbetet pronë e tyre. Për fat të keq shoqata e qiramarrësve u përdor si vegël nga PS. Strategjia e kësaj partie mbetet ajo e Partisë së Punës, për të përdorur në shërbim të saj organizatat e masave. Ajo kërkon t’i përdorë ato për t’iu kundërvënë çdo iniciative që ndërmerr qeveria, pavarësisht se ajo i shërben popullit. Partia Socialiste në këtë rast dështoi, ashtu siç do të dështojë sa herë vepron në kundërshtim me interesat e popullit”.
Tanush Mulleti: “Çdo pronar duhet të gëzojë pronën e tij”
“Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese si vendim të drejtë dhe racional. Edhe pse akti normativ është i votuar, besoj se duhet të jemi seriozë në zbatimin e tij. Shpresoj shumë që akti normativ për lirimin e banesave të pronarëve, të vijojë dhe të zbatohet sipas vendimit të Qeverisë. Çdo pronar duhet të gëzojë pronën e tij. Është detyrim kushtetues i imponuar edhe nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka dhënë disa vendime një çështje të tillë në favor të pronarëve të cilëve u është marrë prona. Unë kam besim se akti do të zbatohet sepse janë vendimet e Gjykatës së Strasburgut që i japin të drejtë pronarëve. Lidhur me qiramarrësit, shteti i ka marrë të gjitha masat për ta, duke iu ofruar kredi me interes zero”.