“Aktiviteti i Aleancës Kuq e Zi kërcënues, shqiptarët s’duhet të bien në kurthin e tyre”
Raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter apel për bashkëpunim, partive parlamentare në Shqipëri, duke kërkuar largimin nga spekulantët që luajnë me populizmin dhe ndjenjat patriotike të njerëzve
“Aktiviteti i Aleancës Kuqe e Zi në Shqipëri, është kërcënues”. Konstatimi ka ardhur nga raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter, i cili apelon për të mos rënë askush në kurthin. “Unë e konsideroj atë kërcënues dhe shpresoj që partitë ekzistuese do të bëjnë gjithçka që popullsia të mos bjerë në kurthin e tyre. Është shumë e lehtë të jesh populist, populistë të djathtë ne shohim në Holandë, në Finlandë dhe Suedi, kemi edhe në Gjermani, në Saksoni, që thonë se fondet janë vetëm për gjermanët: Rreziku është se në kohë krizash populizmi nxit tendencat nacionaliste. Unë apeloj që bashkëpunimi ndërpartiak të përmirësohet e që ligjet që janë të nevojshme për BE-në të miratohen me shpejtësi”, ëhstë shprehur midis të tjerave në një intervistë për “Deutsche Welle”, raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter. Duke marr shkas edhe nga një vizitë treditore në Berlin e kryetares së Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Roderich Kiesewetter, i bën edhe një analizë situatës politike në Shqipëri. Sipas tij, arritjet e Shqipërisë gjatë 20-vjeçarit të fundit, por thekson se ajo ende ka shumë hapa për të bërë. Roderich Kiesewetter e konsideron vizitën e kryeparlamentares Jozefina Topalli në Berlin si “një reklamë shumë e mirë për Shqipërinë. Shqipëria duhet të jetë më e pranishme në opinionin gjerman”. Ai vlerëson më tej se vendet e Ballkanit e kanë vendin në BE. “Është e rëndësishme me qëllim që në Gjermani dhe në Evropë të mos krijohet ndjesia e lodhjes kundrejt zgjerimit dhe që popullsia jonë ta dijë që bashkimi i Evropës do të marrë fund vetëm kur të gjitha vendet ballkanike të jenë bërë anëtare të BE-së. Kjo do të zgjasë edhe shumë vjet, por ne të gjithë do ta përjetojmë”, shprehet më tej raportuesi i CDU-së për Shqipërinë. Si një dashamirës ndaj Shqipërisë, Roderich Kiesewetter tërheq vëmendjen për faktin se, Shqipëria duhet të plotësojë detyrat saj. Sipas tij, “të gjitha partitë në parlamentin e Shqipërisë duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi është më i mirë se përplasja. Vetëm kështu Shqipëria do të arrijë atë pjekuri politike që i nevojitet për anëtarësim në BE. Nuk ndihmon bllokada, por bashkëpunimi, sepse sfidat janë shumë të mëdha për të gjithë Evropën”. Raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter vlerëson midis të tjerave “politikën shumë të mirë të jashtme të Shqipërisë” dhe rolin e saj veçanërisht në rajon. “Shqipëria ka një politikë shumë të mirë të jashtme. Shqipëria balancon mes Beogradit dhe Ankarasë. Ajo përpiqet shumë që shqiptarët e Kosovës të jenë të qetë e të mos kenë lakmi për Shqipërinë e Madhe”, shprehet Roderich Kiesewetter.
...