E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: “...Përpiqem të qëndroj larg termit “president konsensual”

09-02-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me kreun e PS-së, ka detajuar qëndrimin ndërkombëtar lidhur me zgjedhjen e ardhshme të presidentit, duke rekomanduar një konsultim shumëpalësh, proces prej të cilit duhet të dalë një president me integritet. Nga kjo përzgjedhje, theksoi ambasadori amerikan, do të varet kryerja e reformave në institucione të tilla si Prokuroria dhe SHISH-i


Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu iu rikthye dje debatit për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke kërkuar nga politika shqiptare konsultimin për të zgjedhur një president me integritet për Shqipërinë. Diplomati amerikan ka folur për mediat pasi ka qëndruar për gati 90 minuta në një takim kokë me kokë me kryetarin e opozitës Edi Rama. Për ambasadorin Arvizu, termi ‘konsensual’ nuk është i preferuar për të, por para së gjithash një kurs të gjerë konsultimesh. “E kam thënë dhe më parë unë përpiqem të qëndroj larg termit president konsensual. Sepse ai terme nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Por mua më pëlqen të përdore termin që kam përdorur edhe më parë, që domethënë; konsultime aktive mes palëve të interesuara, palëve kryesore. Sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm për këtë vend. Gjithashtu është i rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare, sigurisht për Shtetet e Bashkuara, por edhe për shtetet e tjera anëtarë të Bashkimit Europian. Por gjithashtu duke parë dhe rolin e rëndësishëm që luan presidenti i Republikës në zgjedhjen e krerëve të institucioneve kryesore, si për shembull të Prokurorit të Përgjithshëm, apo të kreut të Shërbimit Informativ. Prandaj është shumë e rëndësishme që të vendosen në këto pozicione kyçe njerëz me integritet në këto institucione, sepse ne mund të flasim shumë gjatë për reformën në këto institucione, por për sa kohë nuk janë në këto institucione persona me integritet, atëherë do të ishte qesharake që ne të flisnim më tepër për këtë. Është e rëndësishme që të largohemi nga farsat dhe të mund të ecim në rrugën e vërtetë të reformave për këtë vend. Për këtë arsye, këta persona që do të zgjidhen për këto vende janë tejet të rëndësishëm”, u shpreh Arvizu. Duke iu referuar takimit me liderin e opozitës, Arvizu informoi se “u bisedua për sesionet që po zhvillohen në Parlament lidhur me reformën zgjedhore. Folëm për shqetësimet lidhur me papunësinë dhe situatën ekonomike në vend. Kemi folur gjithashtu për udhëtimin e fundit të tij në Preshevë, Kosovë, në Maqedoni dhe gjithashtu e inkurajova për këtë. Një çështje për të cilën kemi biseduar edhe më parë është vizita e Edi Ramës në Shtetet e Bashkuara. Ne do të përpiqemi që ta dërgojmë Rama në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu kam folur lidhur me këndvështrimin e tij lidhur me zgjedhjen e Presidentit, proces që do të zhvillohet këtë verë që vjen. Gjithashtu folëm dhe për kursin e hetimeve të 21 janarit. Pra këto janë gjërat që më kujtohen tani për tani, e di që folëm dhe për shumë gjëra të tjera”, tha ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›