E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli promovon Shqipërinë dhe fton biznesin gjerman të rrisë investimet e tij në Shqipëri

09-02-2012 / Gazeta 55

Për një orë e gjysmë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e ftuar në Fondacionin “Konrad Adenauer”, në Berlin E ftuar nga Kryetari i Bundestagut gjerman Norbert Lamert, Kryetarja e  Kuvendit, Jozefina Topalli po zhvillon një vizitë zyrtare tre ditore në Gjermani. Bundestagu ka hartuar një program me takime të shumta që do të zhvillohen gjatë qëndrimit të saj në Berlin. Me rastin e vizitës së saj, Fondacioni Konrad Adenauer organizoi një takim që u drejtua nga drejtori i këtij fondacioni prestigjioz, Bekman Dirkers  dhe me pjesëmarrjen e kryetarit të grupit të miqësisë  së Bundestagut, deputetit gjerman Kiseveter. Në sallën ku u zhvillua takimi merrnin pjesë diplomatë, përfaqësues të grupeve të interesit, të shoqatave të biznesit, të medias, etj. Përveç drejtorit të fondacionit, fjalën e mori edhe përfaqësuesi i Bundestagut Kiseveter, i cili është një ndër njohësit më të mirë të Shqipërisë dhe Ballkanit. Deputeti Kiseveter bëri një prezantim të Kryetares së Kuvendit, të rolit të saj balancues në Parlament. Jozefina Topalli, tha ai,  ka kaluar momente të vështira si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë për shkak të bllokimit që opozita i ka bërë parlamentit. Ajo ka ditur se si t’i trajtoje problemet në parlament. Duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve në Shqipëri, ai tha, se Shqipëria ka bërë progres; ky vend vazhdon të ketë rritje ekonomike dhe,  pas bllokimit dy vjeçar që opozita i ka bërë parlamentit është rikthyer dialogu politik. Kryetarja Jozefina Topalli mbajti një fjalë në takimin e Fondacionit dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta nga pjesëmarrësit e ndryshëm në këtë takim për mbi një orë e gjysmë. Në fjalën e saj, ndër të tjera, ajo u fokusua kryesisht në ekonominë shqiptare. “Në këtë kohë të një situate komplekse globale të një krize financiare të borxheve dhe ekonomike, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike. Qeverisja e vogël, liria ekonomike, reduktimi i licensave, taksat e ulëta, privatizimet, koncesionet, investimet në infrastrukturë, lehtësitë në hapjen e biznesit, rritja e konkurrencës,  mundësitë dhe resurset e rëndësishme natyrale të Shqipërisë kanë bërë të mundur që ky vend të ketë rritje të ardhurash dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit”. Kryetarja Jozefina Topalli theksoi se “censusi i fundit evidentoi se gjatë viteve 2005-2009 në katër vite u hapën më shumë biznese se në 15 vite të marra së bashku. Prej vitit 2006 deri në 2011 Shqipëria  trefishoi eksportet. Edhe pse e rrethuar nga kriza, vendi im edhe pse ka një ekonomi të vogël ka një klimë pozitive. Natyrisht, tha ajo, kriza nuk ka ‘by passur’ Shqipërinë, por për shkak të modelit të saj ekonomik të zgjedhur dhe reformave strukturore, nuk kaloi asnjëherë në recesion, por mbeti ndër të paktat vende si rast i rritjes ekonomike të qëndrueshme”. Kryetarja Jozefina Topalli përfitoi nga prania e medias dhe e shoqatave të bisnesit dhe investitorëve, për t’i ftuar ata për të ardhur në Shqipëri për të zhvilluar bizneset e tyre dhe për të rritur prezencën e investitorëve gjermanë në Shqipëri. Shqiptarët, tha ajo, ashtu siç ka thënë Haveli duan te kthehen “në shtëpinë  e tyre” në Europë. 20 vite më parë  Gjermania ishte e para qe hapi dyert e ambasadës së saj për shqiptarët drejt Europës, Gjatë 20 viteve Gjermania ka qenë kontribuesi kryesor i BE-së në mbështetje të Shqipërisë. Vizita ime sot këtu, është një tjetër shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera që vendi im ka me këtë vend të madh, vend drejt të cilit janë mbërthyer sytë e të gjithëve si vend lider në Europë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›