“Spahiu në limitet e një vepre penale, nuk bashkëpunoi me Kuvendin”

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut më 13 shkurt miraton raportin përfundimtar
Komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka akuzuar këtë institucion se nuk është vënë në dispozicion të hetimit asnjë material nga KLD.
Kreu i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj tha se janë marrë përgjigje dhe fakte nga shumë institucione, ndërsa vetë institucioni i KLD-së nuk ka dhënë ende përgjigje për ato që i janë kërkuar. “Është një detyrim i drejtpërdrejtë i zotit Spahiu. Nuk di ta interpretoj në këto momente nëse kjo është një neglizhencë apo karshillëk që i bëhet veprimtarisë së Kuvendit. Qoftë neglizhenca, qoftë dhe qëllimi për tu bërë pengesë për ushtrimin e veprimtarisë hetimore të këtij komisioni, duke mos kthyer përgjigje ndaj Kuvendit të Republikës, unë besoj se jemi në limitet e konsumit të veprës penale nga zoti Spahiu”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj akuzoi se Spahiu nuk ka vënë në dispozicion faturat e shpenzimeve të tij, që nga koha e krijimit të Aleancës Kuqezi.
Por, sipas tij, misterin e zbardh thesari i shtetit dhe Ministria e Brendshme.
“Sipas të dhënave të sistemit ‘Tims’, Spahiu rezulton të ketë lëvizur 39 herë jashtë Shqipërisë brenda orarit zyrtar të punës”, tha Alibeaj.
Kreu i komisionit hetimor theksoi se në mbledhjen e ardhshme, më 13 shkurt, do miratohet raporti përfundimtar për shkarkimin e z.Spahiu, i cili më pas do t’i dërgohet seancës plenare. “Pasi mblodhëm shumicën e materialeve hetimore komisioni do të konkludojë me miratimin më 13 shkurt të raportit përfundimtar, ku do të paraqiten qëndrimet rreth veprimtarisë së zëvendëskryetarit të KLD-së Spahiu, objekt i hetimit parlamentar. Pas miratimit, raporti do t’i përcillet seancës plenare të Kuvendit”, tha ai.
Alibeaj i dha një afat të dytë drejtuesit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Spahiu për t’u paraqitur të premten në 10 shkurt në seancë dëgjimore para komisionit parlamentar.
Komisioni hetimor, ku nuk merr pjesë opozita, u ngrit me vendim të Kuvendit për shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit akuzohet nga mazhoranca për devijim nga funksioni kushtetues duke u angazhuar në politikë, si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata.
Në një dalje për mediat, Spahiu “sqaroi” arsyen e mos bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë, edhe pse është në caqet e konsumimit të një vepre penale, me arsyetimin se në dyert e KLD-së ndodhet një grup auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Prej disa ditësh, pranë zyrave tona mund të gjeni grup të auditimit të KLSH, autoriteti i vetëm kushtetues për të kontrolluar institucionet e pavarura. Mendoj që në respekt të Kushtetutës, KLD i ka vënë në dispozicion inspektorëve të gjithë dosjet dhe dokumentacionin origjinal për periudhën 3 vjeçare. Në referencë të Kushtetutës është ai që informon dhe raporton në Kuvend për situatën apo kontrollet financiare ekonomike, apo problemet ligjore që kanë konstatuar”, tha Spahiu.
Por, kuptohet qartë se shqetësimi i këtij titullari institucioni të keqpërdorur deri në palcë nga eprori i tij, (që edhe e ka zgjedhur si vartës, çka do të thotë të komanduar), s’do i përcillet dyerve të Kuvendit, pasi tashmë ata janë ‘dy’ dhe të ‘dy’ së bashku kanë nisur aktivitetin politik me “Aleancën Kuqezi”, e cila pa u formatizuar ende si forcë politike, po shihet me dyshim nga kancelaritë perëndimore. Në këtë sens, Spahiu e di shumë mirë se një raportim para Kuvendit, në prani të ligjvënësve, do ta verë atë me shpatulla pas murit për çështje krejtësisht konkrete si, cili është aktiviteti i vërtetë i AK, kush fshihet pas saj apo dhe çështje të tilla si, kush i financon aktivitetet politike të Aleancës Kuqezi.
Kreshnik Spahiu është në gjendje të arsyetojë se me përdorimin e institucionit Kushtetues për krijimin dhe organizimin e lëvizjeve politike, jo vetëm është shkelje e ligjit themeltar, por njëherazi është në caqet e veprës penale.
Ndaj, Spahiu zgjedh të qëndrojë në pozita mbrojtëse, duke lëshuar akuza sa herë që mblidhet komisioni hetimor për shkarkimin e tij!