Aktorët depresivë
Nëpër disa shfaqje që kam parë nëpër teatrot tona, shumë aktorë dështojnë me rolet e tyre, dështimi u vjen befas dhe ata shpesh mendojnë se kanë realizuar mrekullisht rolin, kanë arritur ta zgjojnë atë kuriozitetin më të thellë. Por, jo tejet qartë vërehet dështimi mungesa e provës dhe punës me regjisorin dhe personazhin e vdekur i cili pret të ringjallet. Pak ringjallje të personazheve kam parë, edhe nëse i kam parë ato nuk kanë qenë të gjalla deri në fund, por vetëm në disa momente të caktuara. Sfida me personazhin, ballafaqimi, beteja më e ashpër, bëhet atëherë kur aktori është i shëndoshë, nuk është depresiv dhe pa brenga. Jeta e mundimshme ose materiale ndikon shumë në psikologjinë e aktorit, realizuesit të personazhit. Aktori për mua është njeriu më i shenjtë, e jo primitiv, sepse disa aktorë mundohen t’i ringjallin personazhet antike, por harrojnë të marrin frymë sikur ata, e në pah u del ana komike dhe primitive. Kalojmë në kohën bashkëkohore. P.sh. po e marr shfaqjen “Tartufi”, e cila është kritikuar ashpër nga kritika. Në këtë shfaqje shumë aktorë duke u nisur prej Bajrush Mjakut, Çun Lajçit, kanë arritur të futen në polemikat e fshehta të personazhit, por u ka munguar koncepti regjisorial i regjisorit, ai i ka vendosur nëpër disa vija jo funksionale dhe ata vazhdimisht janë munduar të ecin arsyeshëm nëpër këtë shteg të gabuar, thjesht kanë aktivizuar karburantin në disa vende të gabuara.
Por, ata janë munduar me mish e shpirt të futen në imagjinatën e spektatorit, gjë që ia kanë arritur, këtu unë fajësoj regjisorin drejtuesin e kësaj barke të madhe.
Aktori, që të jetë i mirë e i suksesshëm, duhet të ketë shëndet të mirë, mentalisht të qëndrojë, sepse nuk mund t’i bëjë sfidë këtij profesioni. Të ketë një pagë të mirë, të mos ndikojë negativisht në jetën e tij, për çudi e kundërta ndodh tek ne. Pagat janë në nivel më të ulët, sepse respekti për aktorët nga pushtetarët është primitiv.
Aktori çdo gjë që e bën, e bën për veten e tij, ai është pianist dhe instrument, në të njëjtën kohë është skulptor dhe material për t’u përpunuar, brumë për t’u krijuar. Aktori duhet të jetë i vetëdijshëm se nganjëherë suksesi i tij bie poshtë, por kjo nuk duhet të ndikojë në gjendjen e tij mentale. Nëse personi i cili dëshiron të jetë aktor, nuk duhet të jetë i vetmuar ose depresiv, ngase nuk mund ta realizojë situatën stimulative të ngjarjes, atëherë çdo gjë që e ofron vjen si e mjegulluar pa kurrfarë shije, e zbehtë, e patejkaluar. Aktorët gjithnjë duhet të luftojnë që jeta e tyre të jetë sa më e shëndoshë, pa brenga, kjo njëherësh është dhe një rregull për profesionin e tyre. Më kujtohet kur isha më i ri, kur shkoja në shumë premiera dhe mendoja në vete pse ky aktor s’ka luajtur mirë, kurse kolegu ka qenë më i mirë dhe më profesional, ndoshta për shkak të problemeve reale të jetës së tij të përditshme, natyrisht që po, ne jemi pjesë e së përditshmes, ndjenjat tona, kanë raporte me të, andaj, çdo gjë negative ndikon në mossukses. Ansambli i aktorëve ose kopeja e shëndoshë, po e quaj të shëndoshë, sepse duhet të jetë e atillë, duhet të gjejnë instrumente gëzimi të cilat do ta zëvendësojnë depresionin e tyre. “Përdore dhimbjen si instrument gëzimi”, - ka thënë një filozof. Dita-ditës tek ne në Kosovë aktorët janë disi anash, konsiderohen si një skllav i bariut-regjisorit. A nuk janë të vetëdijshëm se e tërë shfaqja është në dorën e aktorit, regjisori bëhet i padukshëm në premierë duke mos humbur koncepti i tij regjisorial.
Më kujtohet para disa javësh, në teatrin “Dodona” kur u dha shfaqja e regjisores Burbuqe Berisha, “Shumë urime për ty”, me tekst të Sahadete Beqirit. Teksti i shfaqjes ishte i krijuar vetëm me një personazh, me një aktore të moshuar, e cila vazhdimisht qëndron e mbyllur në shtëpinë e saj elegante. Ajo shpik personazhe imagjinare e që i duken të vërteta. Në këtë shfaqje unë kam parë vetëm tekst të mrekullueshëm, një tekst i “kalibrit” botëror, kur them botëror, futet në rangun e Joneskos, Sartrit dhe Kamysë. Një tekst brilant, por nuk mjafton vetëm kjo, aktorja e cila luante këtë personazh ishte Sheqerie Buçaj. Teksti ka arritur ta sfidojë aktoren, të jetë më pushtetar dhe më tërheqës, mungonte ajo dinamika e cila ishte vetëm në tekst dhe thuhej përmes bukurisë së fjalës. Këto janë disa vërejtje të cilat nuk guxojnë të ndodhin nëpër shfaqje, por ja që janë të pranishme.
Dhe për fund: Aktori duhet të jetë përgjegjës për veten, të jetë njeri i mirë, korrekt me personalitetin e tij, të ketë një kulturë të thellë, të jetë i uritur për komunikim profesional. Vetëm kështu mund të jetë aktor i mirë.
*Kritik teatri