Ajri i ndotur, shtohen rastet e personave me kancer
Garuli: Reduktimi i ndotjes është prioriteti kryesor i këtij dikasteri
Specialistët: Ndotja nga karburantet shkurton jetë
Ndotja e ajrit ndikon fuqishëm në shfaqjen e disa llojeve të kancerit, sidomos atë të mushkërive
Mosha më e prekur është ajo e tretë, por vitet e fundit vihet re edhe prekje të personave mbi 40 vjeç
Sipas onkologëve shqiptarë, vihet re një tendencë rritjeje e rasteve, që me kalimin e kohës do të jetë e krahasueshme me statistikat evropiane
Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes jo vetëm mbajnë numrin më të madh të rasteve të shtrimeve në spitale, por ato po shtohen dita-ditës. “Situata gjithnjë e më shumë po bëhet alarmante”, - shprehen burimet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke cilësuar se “kalimi i nivelit të ndotjes së ajrit në vendin tonë tej masës së lejueshme sjell jo vetëm sëmundje, por edhe rrezik jete”.
Studimi
Janë pikërisht të dhëna të konstatuara pas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë që konfirmojnë jo vetëm shtimin e numrit të personave të sëmurë nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, por dhe cilësinë e ajrit të vendit tonë.
Kështu, gazrat që çlirohen në ajër, janë një nga shkaktarët kryesorë që ndikojnë në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Përfundimi është arritur pas matjeve të dioksidit të azotit (NO2) dhe të benzenit, që janë kryer nga Instituti i Shëndetit Publik. Në studim theksohet se grimcat që çlirohen nga automjetet, benzina apo nafta, janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit, pasi futen më lehtësisht në organizëm dhe shkaktojnë sëmundje të rënda.
"Grimcat e çliruara nga gazrat janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit. Nëse këto grimca futen në organizëm, shkaktojnë sëmundje të rënda kancerogjene, sidomos ato të mushkërive", - bëhet e ditur në studimin e ISHP-së. Nga matjet e bëra vitin e kaluar, për herë të parë mbi grimcat e gazit, ka rezultuar se disa zona janë më të ndotura se normat e lejuara nga Bashkimi Evropian. Kjo ndotje e lartë ndikon direkt në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve.
Ndotje më të lartë rezulton të ketë Tirana, ku sipas të dhënave të monitorimit të kryer nga ISHP-ja, përmbajtja e grimcave të ngurta në ajër i kalon normat e vendosura nga BE-ja, të cilat janë 30 mikrogramë për metër kub, ndërkohë që në Shqipëri i kalon 70 mikrogramë për metër kub.
Në kryeqytet (i cili renditet ndër më të ndoturit) konstatohet se tejkalohet norma lidhur me përmbajtjen e dioksidit të azotit (NO2) në pikën e “21 Dhjetorit”. Sipas ISHP-së, Tirana ka situatë të vazhdueshme gravide, lidhur me përmbajtjen e grimcave të ngurta në ajrin e saj, ku makinat e vjetra dhe cilësia e karburanteve janë ndër faktorët kryesorë të ndotjes. “Masat e marra deri më sot janë të pamjaftueshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit urban në Tiranë”, - thuhet në të dhënat e studimit.
Ndërsa në qytetin e Elbasanit vihet re ulje e përmbajtjes së grimcave në ajër. Numri i madh i kimikateve në ambient, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj tyre, mungesa e informacionit për aftësitë e tyre për të shkaktuar kancer ka sjellë që të kemi një numër të madh rastesh me kancer në popullatë.
Ndotja e ajrit ndikon fuqishëm në shfaqjen e disa llojeve të kancerit, sidomos atë të mushkërive, shkaku kryesor që ndikon në shfaqjen e disa llojeve të kancereve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e kancereve vjen për shkak të ndotjes së ambientit, i cili zhvillohet pas disa vitesh ekspozimi në ambientet e ndotura.
QSUT
Panoramë e kësaj ndotjeje është edhe numri i lartë i pacientëve të sëmurë me kancer të cilët kërkojnë ndihmë në spitalet e kryeqytetit. Në regjistrin kombëtar të sëmundjeve kancerogjene rezulton se 3500 persona preken çdo vit në vendin tonë nga sëmundjet kanceroze. Sipas onkologëve shqiptarë, pavarësisht se të dhënat tona janë të mira, vihet re një tendencë rritjeje e rasteve, që me kalimin e kohës do të jetë e krahasueshme me statistikat evropiane.
Regjistri i pacientëve të prekur me kancer tregojnë se mosha më e prekur është ajo e tretë, por vitet e fundit vihet re edhe prekje të personave mbi 40 vjeç. Rastet janë pothuajse të njëjtë si tek femrat edhe tek meshkujt 600 vdekje shënohen çdo vit tek gratë nga sëmundjet kancerogjene.
Vendin e parë e zë kanceri i mushkërisë për meshkujt, ndërsa për femrat e zë kanceri i gjirit. Numri më i madh i vdekjeve është kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit tek femrat. Më të prekurit rezultojnë se janë moshat e treta mbi 65 vjeç, por nuk përjashtohen edhe moshat e reja gjatë viteve të fundit që kapin shifrat e 11.3% të vdekjeve. Megjithëse pacientët janë të prekur nga sëmundjet, ato nuk arrihet të kapen në stadet e para apo edhe të avancuara, deri në momentin që shkakton mortalitetin.
Ministria e Mjedisit
Makinat e vjetra dhe cilësia e karburanteve që ato përdorin është kjo një ndër shkaqet kryesore për ndotjen e mjedisit. Ministria e Mjedisit, ndonëse është mjaft koshiente në lidhje me problematikat e ndotjes së ajrit në vend, pohon se janë duke u marrë masat për forcimin e kontrollit të naftës, kolaudimin e saktë të makinave dhe mospërdorimin e makinave të vjetra, të cilat ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Zv.ministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, është shprehur: “Kërkohet evitimi i këtyre problemeve, të cilat vijnë nga automjetet”. Duke e cilësuar se përmirësimi i cilësisë së ajrit është një nga prioritet e dikasterit që drejton, thekson se parametrat që ndiqen për matjen e cilësisë së ajrit janë shtatë, 5 prej të cilave rezultojnë brenda normës dhe 2 parametr,a që janë pm10 dhe lyp, janë jashtë normave të lejuara, por kanë një përmirësim nga viti në vit me 20 për qind. “Problem vazhdon të mbetet pm 10 e cila vjen si rrjedhojë e emetimit të gazeve nga automjetet, kryesisht vjen nga cilësia e karburanteve që ne vazhdojmë të përdorim. Duke e parë këtë si një problem që nuk mund të zgjidhet me një moment të caktuar, por kërkon një impenjim të shtrirë në kohë, pasi përmirësimi i karburanteve ndikon në shumë faktorë të vendit, nga qeveria është ndjekur me përparësi. Në korrik të 2007-s, me VKM është përcaktuar gradualiteti i përmirësimit të cilësisë së karburanteve të importuara dhe të prodhuara në vend”, - shprehet z. Garuli.