Një letër miqësore për ambasadorin britanik
I nderuar zoti Uillson, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë,
I nderuar ambasador, tani që po ju shkruaj, jam në Shkodër, në qytetin tim, ku kanë lindur nëna dhe babai im, ku kanë lindur dhe gjyshërit e stërgjyshërit e mi. Fatkeqësisht nuk është qyteti ku unë linda. I nderuar ambasador, vendlindja ime është Savër, Lushnjë. Është një fshat i izoluar, i denjë vetëm për familjet e internuara të komunizmit. Nëna ime më lindi në një kasolle ku mungonte çdo gjë. Jam rritur me imazhin e nënës duke qarë për vëllain e vdekur në burg, kam parasysh gjyshen të veshur gjithnjë me të zeza. Mëkati i vetëm i dajës tim ishte të qenit intelektual dhe i shkolluar në Itali. Fatkeqësisht historia ime nuk është e vetmja. Si unë ka shumë i nderuar ambasador.
Kam udhëtuar drejt Shkodrës me një ndjenjë të çuditshme reflektimi, duke iu rikthyer viteve dhe duke përjetuar dhe një herë gjithçka. Më besoni: është e tmerrshme vetëm ta kujtosh, është e tmerrshme vetëm ta sjellësh nëpër mend e jo më ta jetosh atë çdo ditë e çdo natë.
Gjithë ditën kam ecur rrugëve të qytetit, duke gjetur histori të ngjashme me timen, pse jo dhe më të dhimbshme… Më besoni që gjeta shumë.
Nuk e di nëse e gjithë kjo më bëri të ndihem keq apo të ndihem i lehtësuar, sepse në fund të fundit, unë tani jam deputet i Parlamentit shqiptar. Nuk e di nëse kjo më mjafton të ndihem i qetë.
Megjithatë, për një gjë jam i sigurt: Jam në Shkodër këtë fundjavë falë jush, falë takimit tuaj në Universitetin e Shkodrës. Erdha në Shkodër për të riprekur këtë realitet. E ndiej se do kisha dashur të isha dhe unë mes atyre shkodranëve intelektualë që debatuan me ju për ligjin e lustracionit. Kam ndjesinë se reagimi që patet në Universitetin e Shkodrës ishte i papritur për ju. Këtë e them pasi fatmirësisht pata mundësinë të njihesha gjerësisht me takimin tuaj me pedagogë dhe studentë, u njoha me materialin e plotë (jo me variantin e shkurtuar e të cunguar të dhënë në media).
Mbase fillimisht për ju reagimi që gjetët në Shkodër ishte i pakuptimtë, ndërsa për mua jo i nderuar ambasador. Tani nuk e di nëse keni ndryshuar mendim, shpresoj që po. Shpresoj që të jeni njohur nga afër me tragjeditë e jetëve të njerëzve të pafajshëm.
Jam duke shkruar këtë letër për ju, pikërisht për këtë. Jam duke shkruar këtë letër që t’ju them se Shqipëria ka brenda saj 50 vite të tmerrshme diktaturë, terror, vrasje, burgosje, internime. Nuk po jua kujtoj se dua të hakmerrem. Absolutisht jo. Nuk dua hakmarrje. Unë jam zëri që dua drejtësi. Jam pjesë e zërit që para pak ditësh dëgjuat në Shkodër i nderuar zoti ambasador. Në fakt, këtë zë mund ta kishit dëgjuar më parë.
Më besoni, Tirana nuk është gjithçka. Nëse doni ta ndieni realitetin, dilni jashtë saj. Ju, besoj se këtë e kuptuat me vizitën tuaj të fundit në Shkodër. Unë ju them me zërin plot: Faleminderit! Faleminderit që erdhët në Shkodrën time, që fatkeqësisht nuk është vendlindja ime (jam shkodrani i lindur në Savër). Faleminderit që dëgjuat zërin e qytetit tim. Më falni për sinqeritetin, por faleminderit edhe pse u ndiet keq në atë sallë, faleminderit sepse unë pata ndjesinë se nisët të reflektonit, ndërsa debatet vazhdonin. Këtë e ndjeva ndërsa përgjigjeshit, këtë e ndjeva në pyetjet pa përgjigje, këtë e ndjeva në njërën prej përgjigjeve tuaja të fundit: “Unë nuk jam kundër lustracionit. Unë them se nëse ligji i lustracionit është në të mirë të popullit, atëherë ai duhet të zbatohet. Nëse ky ligj duhet të bëhej, atëherë le të zbatohet përgjithmonë nëse është në të mirën e të gjithëve. Ligji që është në të mirë të një vendi, nuk ka pse të rrezikohet nga një tjetër ligj. Nëse keni ndonjë pastrim figurash, duhet të bëhet. E di se janë kryer gjëra të tmerrshme. Jam dakord që duhet të zbatohet ligji i së drejtës”.
I nderuar zoti ambasador, më lejoni të besoj tek kjo frazë që ju vetë keni dhënë si përgjigje në minutat e fundit të debatit. Më lejoni të besoj se pas eksperiencës që kaluat në Shkodër, do t’u sugjeroni dhe homologëve tuaj që të dalin jashtë Tiranës dhe të njohin Shqipërinë e vërtetë. Më lejoni të besoj se më në fund edhe në Shqipëri nuk do të ketë vend për moralin e deformuar.
Me respekt, Genc Juka, deputet i Kuvendit të Shqipërisë