Aktoret e jetës
Luljeta Dhimo/përkthyese
-Intuita është një cilësi që i dallon femrat nga meshkujt. Ky talent i veçantë i tëri femëror, i lejon femrës të dëgjojë edhe përtej fjalëve të thëna, të shikojë përtej aparencës apo dukjes në sipërfaqe, të perceptojë vibrimin autentik të emocioneve të të tjerëve. Vëmendja ndaj gjithçkaje që e rrethon dhe ruajtja e informacionit në memorie është një eksluzivitet femëror. Nga ana tjetër, femra po të mos kishte mësuar të interpretonte të qarën e fëmijës së porsalindur, nuk do të ishte në gjendje të plotësonte nevojat e tij. Megjithatë kjo llojë sjellje ka dhe një element tjetër që i bën femrat dhe më të veçanta: ato dinë të bashkëjetojnë me sekretin. Duke pasur një sensibilitet të veçantë ato zotërojnë aftësinë për t’i fshehur ato që përjetojnë. Shpësh herë ky mekanizëm e ka zanafillën e tek ndrojtja e tyre se mos u bëjnë keq të tjerëve. Por në raste të tjera, kjo është një përpjekje për të mbrojtur vetveten. Mbetet sekret gjithçka që nuk shihet, nuk dëgjohet, nuk preket. Sekret mund të mbeten mendimet ndjenjat, gjendja shpirtërore dhe emocionet, përjetime të cilat, duke patur një vlerë tepër personale subjektive, nuk mund të ndahen me njeri tjetër. Pra sekretet janë një pjesë e rëndësishme e personalitetit, ato përbëjnë identitetin e brendshëm , atë më autentik, i cili ndoshta do që të dalë zbuluar, të shpërfaqet, por vetëm me një kusht ama: të dëgjohet e të pranohet nga të tjerët. Një nga paragjykimet më të përhapura tek femrat është frika nëse të tjerët nuk arrijnë ta kuptojnë atë. Prej këtej vjen ideja, e cila përfaqëson bindjen se ajo nuk duhet të hapet të tjerëve. Femrat kanë qenë për një kohë të gjatë të privuara nga dinjiteti personal e të degdisura në role të dorës së dytë. Ndonjëherë kjo ndodh ende. Atyre u është dashur të mbrohen nga invadimi i presionit familjar, shoqëror e moral. Një nga strategjitë mbrojtëse më të përdorura ka qenë ajo e fshehjes së identitetit të tyre në një “qoshe” të thellë të trurit. Vetëm brenda këtyre “thellësive” ekziston bota e vërtetë e tyre. E ndryshme nga bota e jashtme. Për të mbrojtur veten, femrat kanë mësuar të shtiren, ta zvogëlojnë vuajtjen, të mos i japin rëndësi njohjes së të drejtave të tyre, ta maskojnë ankthin ndaj prepotencës e marrjes nëpër këmbë e të nënvlerësojnë ndjenjën e boshllëkut e të vetmisë. Për të arritur tek sekreti i tyre duhen dy kushte: të ndodhë një ngjarje e të ketë një reaksion subjektiv. Kjo e fundit, pra reagimi, ose përgjigjja është e përcaktuar nga karakteri e personaliteti.
*Titulli është redaksional