E Diel, 1 Nëntor 2026

Koshere bletësh apo fole grenxash me buzëkuq parlamentar!

kuvendNga Artan Xh. Duka

Nuk ke çbën. Të detyron ligji zgjedhor është alibia e çdo partiaku apo analisti oportunist në përligjen e akrobacirave elektorale ku nuk mbeti kush pa fjetur me mullixhiun. Gati- gati, sikur të ishte një ligj natyre dhe murit nuk i bihet me kokë. Atëherë, kur të gjithë ankohen nga ky ligj zgjedhor, produkt i të cilit është një parlament i tredhur, që nuk jep asnjë shans për shtet ligjor, atëherë EUREKA! Hajt ta rishikojmë!

Qartazi PS dhe PD e refuzojnë këtë gjë. U vjen për hosh se i bën zot në mallin e tjetrit qoftë kjo vota, prona etj ndaj alternativë mbetet ose (a) referendumi popullor (ndryshimet kushtetuese nëpërkëmbën të drejtën e autorit që është populli) ose (b) votimi i një poli të tretë që ta imponojë atë si kusht për bashkëqeverisje, dhe ku fija e kashtës momentalisht janë FRD dhe AK që nuk ranë në tundimin shënomëni dhe mua të tufëzimit elektoral.

Parlament pa këllqe

Pakti PS-LSI thekson veçanërisht forcimin e kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit që ndonëse parimore ngërthen edhe pikëpyetje.

Së pari, ai presupozon parlament me këllqe dhe ligji zgjedhor nuk e jep këtë shans.

Së dyti, nëse nuk do ketë pajtueshmëri mes statusit të qeveritarit dhe deputetit atëherë vetë lideri i partisë do duhet të zgjedhë duke mos përmbushur pritshmëritë sipas rastit – në mos kryeministër, shmang përgjegjësinë e ekzekutivit, në mos deputet, përgjegjësinë e përfaqësimit (nëse duan të jenë origjinal siç e kemi zakon, më mirë se një qeveri kukull të partisë, do të ishte dhënia me koncesion e qeverisjes përmes tenderave 4 vjeçar nën kontroll parlamentar(!)

Prej kohësh parlamenti është katandisur MUTE (anglisht: pa zë)ose PRE-RECORDED (anglisht: regjistruar paraprakisht) me telekomandën tek liderët partiakë. Me pak përjashtime, specia e deputetëve-listë (njëlloj mall serie më vete) është në hava dhe jashtë realitetit me të vetmen spango që e mban, liderin e partisë, që me cinizëm e prezanton në elektorat si deputet të zonës(!), qasje kjo të gjithë nga një dorë, asnjëri konkretisht ku i bishtohet më çdo llogaridhënie tek votuesi.

Deputetë, që sa më lart në listat partiake, aq më pak e ndjejnë adrenalinën e garës elektorale tek prej 2009 e kanë thjesht për dekor sepse garën reale dhe festimet i mbyllin më herët kur ia dalin, për servilizëm apo pleksje interesash, të shënojnë emrin në listat që grisen e rishkruhen prej lidershipit paranojak ndaj gati tu-s së gjithkujt.

Për PD e PS, votuesi është thjesht njëfrymor anonim në delir, që edhe pa gjë në torbë, duhet të ndjehet i privilegjuar që firmos (voton) nëletër të bardhë vegjetimin katërvjeçar deri në kufijtë e prostatës politike, të deputetëve servil partiak, klientelist apo një-përdorimësh BIC për interesa të çastit.

Buzëkuq parlamentar!

Ligji zgjedhor promovon pambarim farsa elektorale. I tillë ishte dhe lajmi mediatik i pak ditëve më parë për përplasje grash në Lezhë(!), një beteje inekzistente kjo mes tre grave të PS, LSI dhe PD, të tria fituese sa kohë në krye të listave elektorale,e veçanta e të cilës është se lidhet me tjetër farsë, atë të kuotave për gra në parlament.

Kuota këto që, përveçse cenim i meritokracisë, përbëjnë realisht diskriminim ndaj femrave tek stigmatizohen si të paafta për të nxjerrë qimen nga qulli, ndërkohë që nëse të zonja, ato nuk kanë nevojë për privilegjim, por shanse të barabarta për garim. Për më tepër që marrja për dore e tyre paragjykon praninë në parlament,pavarësisht CV të tyre dhe lançimit me bujë mediatik, teksa në momentin që përzgjidhen pa garë reale, ato shihen më tepër si numërorë me buzëkuq sesa si një zë ndryshe që mund të bëjë dallimin. Kuota demagogjike këto, që për analogji, hapin oreksin për diskriminime pozitive shtesë si etnia, mosha, orientimi seksual(!) etj ndërkohë që kriteri i deputetit duhet të jetë përkushtimi ndaj vlerave demokratike pavarësisht profilit të tij.

Përfshirja e grave në politikë nuk bëhet me pahir teksa shumë aspekte lidhen edhe me specifika gjinore. Por ajo promovohet duke filluar së pari me rishikimin e vetë ligjit zgjedhor hapjen e listave elektorale, shanse për të pavarurit etj, ndërkohë që nuk shkëputet nga stadi i emancipimit të shoqërisë dhe legjislacioni progresist që rrit shanset për angazhim në publik lehtësira në rritjen e fëmijëve, rroga të barabarta, mbrojtja efektive prej intimidimit fizik, verbal, moral etj (përkundrejt premtimeve absurde si taksa më të ulëta për biznesin që i punëson, trajnime falas për gra etj(!)

Ligjërim i deformimit në tregun politik

Sikurse degradimi i pronës shpërfytyroi ekonominë, pengmarrja e votës prej ligjit aktual zgjedhor e ka deformuar tregun politik duke e defaktorizuar dhe shndërruar parlamentin në levë partie.

Sot kemi ofertë elektorale dhe njëkohësisht nuk kemi të tillë – me qindra parti por ku shumica nuk votohen sepse dilema që dominon është ajo e tëkeqes më të vogël gjë që promovon statukuonë dhe metafizikën politike duke bipolarizuar tregun politik në favor të PD dhe PS me efekte në vetë tregun ekonomik.

Por ndërsa për këtë të fundit ka një Autoritet Konkurrence që monitoron rregullat e lojës, në tregun politik me ligj legalizohet intimidimi i të tretëve dhe vetë votuesit që detyrohet të veshë ose fanellë blu apo rozë, ose mbetet lakuriq. Kështu me ligj masmedia i alokon me prioritet kohë dhe hapësirë në fushatë PD dhe PS me efekt shtesë intimidues, buxheti elektoral i jep nisje përpara vijës së startit partive të mëdha etj.

O me ne, o kundër nesh!

Ligji zgjedhor ndan artificialisht nëtanët apo jo tanët dhe paragjykon çdo të tretë deri në denigrim si kalë Troje të palës kundërshtare sikundër po ndodh edhe me AK, ndonëse nga qasje të tilla në të shkuarën (p.sh. përplasja mes PS dhe LSI) duhet të ishin nxjerrë tashmë mësime të çmuara.

Nëse AK supozohet (koha do e tregojë) se ka për mision fitoren e PD, të tjerë ia kanë zgjatur me vepra pushtetin asaj. Që me ndryshimet kushtetuese, post-Gërdecin, prishjen me LSI përpara 2009, bashkimi me PD pas 2009, refuzimi dikur i aleancës me komunistët dhe humbja e Bashkisë së Tiranës etj.

Etika politike rëndohet më tej me qasjet konspirative dyshuam që fillim…,çantë me para etj, episode që mbjellin konfuzion sepse kali i Trojës ose është i tillë që në fillim (nuk ka përse të blihet më pas) ose bëhet i këtillë (duke rrëzuar alibinë e dyshimeve të kahershme).Nëse arsye serviret prania e emrave të AK në listën e P

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›