E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët jetimë të 21 Janarit, plus Eginin

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Sot ndjej dhimbje për 9 fëmijë. 8 prej tyre janë viktimat e familjeve të 21 Janarit, baballarët e të cilëve i vrau Sali Berisha se i rrezikonin pushtetin, kurse të 9-it po ia riposhtëron babain po Sali Berisha, pasi e ka rrahur dhe poshtëruar vite më parë, kur po ashtu i rrezikonte pushtetin politik.

Fëmijët jetimë të 21 Janarit mi kujtoi vëllai tjetër i Hekuran Dedës, që u dënua sot nga gjykata. Hekuran Deda është një nga katër të vrarët prej Sali Berishës më 21 Janar, që u ekzekutua në tavolinën ku ishin vendosur gazetarët që po filmonin. Dy vëllezërit e mbetur gjallë, dëshmuan se një prej oficerëve të gardës, ai që shërben në familjen Berisha, Fatos Skeja, u ka shkuar në shtëpi, u ka kërkuar të presin Sali Berishën, dhe ai do tua shpërblente duke treguar kush ua vrau vëllain dhe duke u dhënë pare. Dëshmia e tyre para kamerave është shumë mbresëlënëse, pasi në bisedë përfshihet dhe i ati dhe tregojnë detaje të ofertës kriminale dhe detaje për sjellësin e ofertës.

Gjykata e injoroi dëshminë dhe nuk bëri asnjë hetim penal për të. Nuk u hetua nëse Fatos Skeja ka shkuar apo jo në shtëpi, nuk u hetua oferta e tij për pare dhe dekonspirim të vrasësit, dhe as u mor mundimi të thirrej së paku në prokurori kryesisht pas publikimit të medies. Në vend të hetimit penal për Skejën, gjykata dënoi dy paditësit, ata që kanë humbur vëllain. Pra, në përfundim, të vetmit të dënuar për 21 Janarin janë familjarët e viktimave që denoncuan vrasjen dhe nuk pranuan paqe me Berishën.

Në total janë të lirë gjashtë oficerët e akuzuar fillimisht për përfshirje në vrasje, janë të pahetuar Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, dhe janë të dënuar vetëm dy vëllezërit e një prej viktimave. Sali Berisha ka vrarë më 21 Janar dhe është lavdëruar për këtë. Ai po ashtu ka mbrojtur gjithë togën ekzekutuese të 21 Janarit, që nga Komandanti i Gardës deri tek vrasësi i fundit. Ai ka hyrë në konflikt me gjithë institucionet e shtetit shqiptar dhe ndërkombëtarët për këtë çështje. Ai ka gjetur një gjyqtar me duar të lidhura nga e shkuara e tij dhe lidhjet se si është riemëruar, që ta pastronte 21 janarin në favor të tij. Pra, është sjellë si vrasës i vërtetë. Për këtë janë të qartë gjithë familjet e viktimave. Dy vajzat e Aleks Nikës, kur të rriten, nuk duan shumë kohë të mësojnë se babain u ka vrarë Sali Berisha. Dy fëmijët e Hekuran Dedës po ashtu. Fëmijët e Ziver Veizit janë të qartë qysh tani, ndërsa fëmijët e Faik Myrtajt po jetojnë me këtë mendim njëri mbi tokë e tjetri duke ikur pas babait. Ata kanë përjetuar dy tmerre. Tmerri i parë është vrasja e baballarëve të tyre, tmerri i dytë është pafajësia e vrasësve dhe dënimi i pasardhësve të viktimave për agjitacion- propagandë. Ata do rriten me këto dy tmerre në mendje për shumë kohë.

Por po sot në parlament kishte një pamje tjetër. Nuk u fol për 21 Janarin, as për rivrasjen e Hekuran Dedës, por për veshin e Egin Cekës. Sali Berisha (ky që mburret se vret) ka ngritur një Komision Hetimor dhe do hetojë ku ia shkuli veshin Rama, sa ia shkuli, a i dhembi dhe a qau apo qëndroi si burrë Egini. Përveç dozave të komedicitetit, ajo që është tragjike në këtë rast, është të rivendosim në kohë pas dhjetë vite Egin Cekën si një prej viktimave të vitit 2013 nga Edi Rama dhe 8 jetimët e 21 Janarit si viktima të Sali Berishës dhe ti pyesim kush e ka turpëruar Shqipërinë para botës, shkulja e veshit apo vrasja politike e katër qytetarëve dhe ndëshkimi i të afërmve të tyre për agjitacion- propagandë?

Unë e di që pas dhjetë vitesh Sali Berisha mund të mos jetë as gjallë dhe fëmijët jetimë të 21 janarit do të jenë shumë të rritur për të gjykuar vetë çfarë ka ndodhur. Egini nuk di në do kthehet në Shqipëri meqë nuk ia do gruaja këtë vend, edhe pse ka bërë krushqi me një derë të madhe, por kudo që të jetë, do ti vijë shumë turp për këtë keqpërdorim që po i bën Sali Berisha veshit të tij. Është diçka më poshtëruese dhe më vulgare se ajo që i ka bërë babait të tij duke e rrahur në çdo klub ku e gjente, kur ishte në opozitën e tij të parë.

Të jemi të gjithë të sigurt se historia do ta njollosë Shqipërinë si një vend ku kryeministri ka vrarë për të qëndruar në pushtet dhe nuk i lë viktimat as të qajnë. E ka bërë këtë me ndihmën e gjyqtarëve të korruptuar, me median mercenare, me parlament klounësh dhe institucionet e kapura të shtetit shqiptar. Por bashkë me fëmijët e viktimave të 21 Janarit, po me kaq keqardhje do kujtohet dhe djali i Neritan Cekës, një burrë i ditur, por i dorëzuar nga jeta, të cilin Sali Berisha e ka rivrarë po ashtu dy herë. Siç rivrau Hekuran Dedën. Një herë duke e rrahur vetë me banditët e tij dhe një herë duke ngritur Shqipërinë në këmbë të bëjë qesharak të birin e tij, krejt të paditur për horrllëkun e këtij plaku të lig.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›