Shqiptarët më 23 qershor do kenë përballë tre alternativa
Sot një vit më parë, në të njëjtën orë së bashku me një grup politikanësh të rinj, përfaqësues të rinisë studentore dhe botës akademike, grupe nismëtare nga çdo qark i Shqipërisë, shpallëm krijimin e Partisë Fryma e Re Demokratike. Sot, një vit më pas, ne jemi në këtë sallë jo thjesht për të dëshmuar se FRD është një parti në moshën 1 vjeçare, por se ajo është një nga tre forcat kryesore politike në Shqipëri, se ajo është një parti kombëtare, me strukturë të fortë, me anëtarësi të gjerë dhe me një projekt politik serioz.
Në emër të kolegëve nismëtarë shfrytëzoj rastin të falënderoj publikisht ata mijëra anëtarë e mbështetës, të cilët sfiduan si privilegjet e pushtetit ashtu dhe presionet dhe shantazhet e tij, – duke u bërë kështu lajmëtarët e politikës së re, të politikës së ndryshimit. Një falënderim tjetër i veçantë i shkon personaliteteve që iu bashkuan rrugës tonë dhe që sot, bëjnë pjesë në ekipin drejtues të FRD-së si katalizatorë të misionit tonë qytetar e politik.
FRD ka sot shtrirje në çdo qark, bashki, komunë, njësi më të vogël vendore apo ka organizim politik në komunitetet shqiptare në emigracion. Ne sot jemi më shumë se një vit më parë, e shtohemi çdo ditë duke u bërë kështu partia politike me rritjen më të shpejtë të mbështetjes që prej vitit 1991.
Fryma e Re Demokratike ka sot degë dhe nëndegë, në çdo bashki apo komunë të vendit dhe nga çdo e dhënë rezulton se do të jetë një forcë përcaktuese në vendimmarrjen politike pas 23 qershorit duke marrë përgjegjësitë e saj për mirëqeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme.
Në Kuvendin tonë të parë, ndodhen 500 të deleguar me mandat përfaqësues, si dhe disa herë më shumë të ftuar, ndodhen përfaqësues të pronarëve të ligjshëm, e përfaqësues të të persekutuarve, miq e mbështetës nga pjesa më elitare në shoqëri, të rinj që votojnë për herë të parë dhe politikanë me përvojë, – pra të gjitha shtresat, gjitha grupimet, gjithë prurjet dhe gjitha burimet me ndikim pozitiv në vendimmarrjen politike. Ne krenohemi me prezencën tuaj dhe e shohim atë si inkurajim të qartë për të punuar akoma më shumë për shtetin dhe qytetarët.
Momenti kur ne mblidhemi nuk përkon thjesht me fushatën elektorale, e cila përsëritet çdo katër vjet, por përkon me një moment vendimtar për shtetin e shoqërinë shqiptare. Unë kisha nderin të isha ministri i Mbrojtjes në ceremoninë zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, bashkë me Presidentin Topi, dhe sot, të dy ne jemi në jetën politike për të kontribuar që Shqipëria euro- atlantike të ketë një standard tjetër demokracie, standard tjetër institucionesh, standard tjetër vendimmarrjesh dhe vlerash politike. Jemi së bashku me ju për ti thënë fund tranzicionit, për të ndërtuar shtetin e qytetarëve dhe jo atë të pushtetarëve.
Sot institucionet kryesore politike, – parlamenti, qeveria, partitë dhe entet publike janë në krizën më të thellë të këtyre 22 viteve tranzicion. Shqipërinë nuk e kërcënon vetëm kriza ekonomike që po thellohet çdo ditë. Kërcënimi më i madh na vjen nga despotizmi politik, mungesa e procesit të rotacionit cilësor dhe sensit të sjelljes kushtetuese, pafuqia për të mbajtur premtimet dhe për të dhënë llogari përpara qytetarëve.
Shikoni parlamentin: aty ku qytetarët presin të shohin tempullin e demokracisë faktikisht, jemi të detyruar të shohim prej kohësh akte të padenja politike, shohim retorikë konfliktesh personale e familjare, shohim mungesë të produkteve ligjore dhe në fund shohim njësim të shtetit me pushtetin politik.
Le të shohim zgjedhjet. Ne akoma jemi vendi i vetëm anëtar në NATO ku ngrihet pyetja si do i mbroni votat, akoma jemi vendi ku energjitë e luftës për KQZ-në janë shumëfish më të mëdha sesa energjitë e luftës kundër korrupsionit.
Jemi vendi ku politika më shumë flet për madhësinë e halës së ngjalës së Lalëzit, se sa për ekonominë, shëndetësinë, për rendin e sigurinë apo punësimin.
A e ka Shqipëria luksin për të mbajtur akoma në pushtet një klasë politike që forcën e vet e bazon në aftësinë për të kontrolluar votën e fshehtë qytetare? A mund të vazhdojnë më shqiptarët të pranojnë që vota të tregtohet, trafikohet, shitet e blihet si një mall pa zot nga ata që më pas e trajtojnë edhe shtetin, pasurinë publike e private në të njëjtën mënyrë si mall pa zot? Unë besoj se jo.
Unë besoj se ata që mendojnë se dinjiteti qytetar blihet e shitet janë në anën e gabuar të historisë. Ata që mendojnë se zgjedhjet janë paravendosur përmes pazarit të koalicioneve janë gjithashtu në anën e gabuar të historisë.
Zgjedhjet zhvillohen me 23 qershor dhe atë ditë çdo qytetar me votën e tij vendos për të ardhmen politike të vetes, familjes dhe sistemit politik shqiptar. Fryma e Re Demokratike është këtu për ti dhënë fund këtij mekanizmi korruptiv që mban peng vendin. Ne duam që çdo votë të numërohet, që qytetarët të zgjedhin me vullnetin e tyre të lirë çdo organ politik, deputetin, kryeministrin dhe presidentin.
Sot në gjysmë KQZ-në e dhunuar janë regjistruar juridikisht mbi 70 parti politike, por në fakt me 23 qershor shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin realisht vetëm midis tre alternativave: dy alternativave që propozojnë të njëjtin model, por vetëm me emra të ndryshëm në krye të tyre, pra qeverisjen me dhunën e 71 votave, refuzimin e dialogut dhe bashkëpunimit, një sistem qeverisës militant në çdo hallkë ekzekutive, imunitet ndaj korrupsionit dhe abuzim me të drejtat qytetare, – ose alternativës së Frymës së Re Demokratike, e cila synon moderacionin, sjelljen qytetare, çuarjen edhe të jetës politike shqiptare në ato standarde normale të demokracive perëndimore, ku politika shërben dhe nuk sillet si pronare, ku politika prodhon ide zhvillimi jo kriza permanente, ku politika respekton taksat qytetare jo abuzon me to për klanet e pushtetit.
Projekti ynë nuk lidhet me emra të veçantë por me parime të veçanta, nuk lidhet me llogari karrigesh, por me moral politik, nuk i konsideron qytetarët numra por njerëz të përgjegjshëm për fatet dhe të ardhmen e vendit të tyre.
Ndaj nga kjo foltore, ftoj publikisht çdo qytetar shqiptarë, çdo të ri e të re, çdo pensionist, çdo arsimtar, çdo mjek, inxhinier, jurist, çdo fermer, çdo shqiptar të punësuar e çdo shqiptar të papunë, të bashkohen me vizionin për një Shqipëri të re, të votojnë alternativën e Frymës së Re Demokratike që e çliron vendin nga shantazhet e dy partive të vjetra, dhe të gjithë së bashku të ndihmojmë në përshpejtimin e procesit të rivendosjes së demokracisë funksionale në Shqipëri.
Politikanët e këqij ngjiten në detyrë, nga n
