Lisa në Shqipërinë e çudirave
Përralla se Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike globale falë politikave të qeverisë është një nga kuajt e betejës të fushatës së Berishës, që falë parave për lobuesit amerikanë arriti ta trumbetonte edhe në mediat ndërkombëtare. Çështë e vërteta, vala e parë e krizës u ndje disi më vonë në Shqipëri, por kjo ndodhi për shkak të disa faktorëve që qëndrojnë jashtë ndikimit të qeverisë. Ana tjetër e medaljes është se gjithçka që kjo qeveri ka bërë dhe po bën ndikon drejtpërsëdrejti në thellimin e efekteve të krizës.
Fillimisht, dy fjalë për modelin ekonomik. Gjatë këtyre tetë viteve Shqipëria ka formësuar një model të rritjes ekonomike të orientuar tërësisht kah ideologjisë neo-liberale, i cili bazohet mbi eksportin e materialeve të papërpunuara, rritjen e shpejtë të kreditimit, rritjen e Investimeve të Huaja Direkte përmes privatizimeve, dhe mbi eksportin e punës e rrjedhimisht dërgesat e emigrantëve. Duke qenë se bazohet jo në prodhimin vendas por mbi paratë që vijnë nga jashtë, ky model e ka shpënë Shqipërinë drejt një ekspansioni asimetrik të konsumit, çka ka rritur borxhin e jashtëm dhe deficitin tregtar dhe ka ulur nivelin e kursimeve duke i zgjeruar mundësitë që ekonomia shqiptare të ndikohet nga krizat që prekin vendet e tjera. Por, përse u vonua kriza, atëherë?
Kriza e vitit 2007 ishte një krizë financiare që edhe pse origjinën e kishte në Amerikë, falë ndërthurjes së tregjeve financiare u transferua edhe në vendet e tjera. Prej këtu, shpejtësia dhe shkalla e goditjes së një vendi nga kriza ekonomike është në përpjesëtim të drejtë me shkallën e integrimit të këtij vendi në ekonominë globale sa më i integruar një vend, aq më të ndjeshme pasojat e krizës. Treguesi që mat sesa i integruar është një vend në tregjet ndërkombëtare është raporti i tregtisë me Produktin e Përgjithshëm Bruto (PPB). Tradicionalisht, Shqipëria ka qenë vendi më pak i integruar në Ballkan, pasi tregtia është vetëm 40% e PPB-së. Sa për ilustrim, në Bosnje dhe Maqedoni tregtia është respektivisht 94% dhe 108% e PPB-së. Kësisoj, iluzioni se Shqipëria nuk u prek nga kriza nuk e ka burimin tek politikat e qeverisë, por tek integrimi i ulët i Shqipërisë në ekonominë botërore.
Sidoqoftë, integrimi i munguar nuk mjaftoi për ta mbajtur krizën ekonomike larg Shqipërisë, e kjo për shkak të disa ceneve të modelit tonë jo fort të qëndrueshëm ekonomik. Si rezultat i dobësimit të kërkesës nga vendet e BE, me të cilat ne kryejmë 60% të tregtisë, eksportet e Shqipërisë ne tregun europian u tkurrën me 22% nga 2008a në 2009ën. Mungesa e likuiditetit në tregjet botërore u ndje edhe me rënien masive të investimeve të huaja, rënie që sipas FMN vetëm në 2009ën ishte 51%. Nga ana tjetër, fakti që në Shqipëri bankat e huaja zotërojnë 75-80% të aseteve bëri që kreditimi të ulej në mënyrë drastike duke e vendosur biznesin përballë vështirësive të mëdha. Së fundi, kriza u ndje edhe me rënien e dërgesave të emigrantëve, të cilat përbëjnë 12.5% të PPB-së. Deri në vitin 2007 këto dërgesa kanë pasur një normë shumë të lartë, por në vitet, 2008, 2009 dhe 2010 shënuan një rënie prej, respektivisht, 15.21%, 6.56% dhe 13.06%, duke ndikuar drejtpërsëdrejti mbi konsumin e familjeve të Shqipëri. Të gjitha këto bënë që rritja ekonomike të binte nga 6.8% në 2008ën në më pak se 1% në vitin aktual.
Por, në vend që kjo vonesë të shfrytëzohej si avantazh e të hartohej një strategji e mirëmenduar anti-krizë, qeveria vazhdoi të ndiqte disa politika që përditë e më shumë po i përkeqësojnë efektet e krizës. Kjo krizë është një krizë likuiditeti, pra ka një mungesë të theksuar të parasë në treg, e shkaktuar nga rënia e kreditimit, përgjysmimi i investimeve të huaja, rënia e remitancave, dhe (duhet shtuar) mbajtja e inflacionit në nivele shumë të ulëta për një ekonomi si kjo e jona. Ndërhyrja më e logjikshme nga ana e një qeverie do të ishte rritja e sasisë së parave në treg çka do të sillte rritjen e konsumit dhe zbutjen e recensionit. Por, politikat e qeverisë po bëjnë pikërisht të kundërtën, duke e ulur sasinë e parave në treg.
Së pari, taksa e sheshtë, si një taksë që rëndon drejtpërsëdrejti mbi ekonominë familjare të shtresave të varfra dhe klasës së mesme, është duke ndikuar thelbësisht në tkurrjen e parasë në treg dhe rënien e konsumit.
Së dyti, gjatë katërvjeçarit të fundit borxhi publik është rritur me ritme të shpejta. Por, duke qenë se Shqipëria e ka humbur besueshmërinë në tregun e jashtëm, çka ka rritur kostot e huamarrjes, qeveria po detyrohet që të përqendrohet tek borxhi i brendshëm, duke e pakësuar edhe më shumë sasinë e parave në qarkullim. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, rënia e kreditimit nga bankat tregtare po e përkeqëson edhe më shumë mungesën e likuiditetit.
Tek kjo thatësirë parash e kanë burimin listat në dyqanet ushqimore që janë dëshmia më e qartë e situatës së rëndë ekonomike në të cilën ndodhemi. Dalja nga kriza kërkon një ndryshim tërësor të politikave ekonomike të vendit. Masa e parë, dhe më urgjentja, që duhet marrë është që të rritet qarkullimi i parasë duke çliruar konsumin. Në terma afatshkurtra nevojitet domosdoshmërisht që taksa e sheshtë të shfuqizohet duke u zëvendësuar me një taksim që lë më shumë para për konsum në duart e familjeve shqiptare. Veç kësaj duhet ulur borxhi publik, e sidomos ai i brendshmi që kufizon sasinë e parasë në qarkullim. Në terma afat-mesme dhe afat-gjata duhet që Shqipëria të lëvizë drejt një modeli më të qëndrueshëm ekonomik që nuk do të varej aq shumë nga likuiditeti i jashtëm. Për këtë do mjaftonte të ndiqeshin rekomandimet e Komisionit Europian, i cili këshillon që politikat ekonomike të përqendrohen tek motorët vendas të rritjes ekonomike, si rritja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, rritjen e kursimeve në vend, përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore, etj. Nga ana tjetër, duhet që investimet e huaja të menaxhoheshin më mirë duke i drejtuar importet kapitale për kah prodhimi i të mirave të tregtueshme.
Që Shqipëria po kalon një krizë ekonomike nuk përbën më asnjë dyshim. Hija e vetme e dyshimit bie mbi aftësinë e kësaj qeverie për tu përballur me krizën. Të zgjedhësh rrugën e lehtë e të thuash se kriza nuk ekziston është shumë e dëmshme, pasi siç thoshte Niçja, të vërtetat që fshihen kthehen në katastrofa.
