Akuza: Infermieri merrte 150 euro për provim te Mjekësia
TIRANE - Krahas aksionit të policisë për kapjen e personave që dyshohet se kanë marrë ryshfet për kalimin e studentëve në provime në Universitetin e Kamzës, në pranga tri ditë më parë ra edhe infermieri i spitalit nr.2 në kryeqytet, shtetasi Astrit Bara 36 vjeç. Ndërkohë që prokuroria deklaron se dy pedagogët e Kamzës, të cilët u mbajtën në arrest shtëpie, kishin kaluar studentët në mënyrë të parregullt në provime por nuk kishin marrë para, organi i akuzës thotë se ka dyshime të bazuara që tregojnë se infermieri, të paktën në dy raste, e ka plotësuar figurën e veprës penale të korrupsionit. Sipas prokurorisë, infermieri i spitalit nr.2 në kryeqytet, në dy raste dyshohet se ka ndërhyrë për ta kaluar studentë të Infermierisë dhe Mjekësisë, dhe në këto dy raste, ka marrë shuma financiare për ta realizuar premtimin e tij. Me anë të metodave speciale të hetimit, Policia dhe Prokuroria kanë konfirmuar dyshimet se infermieri i spitalit nr.2 në kryeqytet, Astrit Bara sipas prokurorisë ka marrë nga 150 euro nga dy studentë duke ndërhyrë për kalimin e tyre në provime tek Infermieria dhe Mjekësia. Ajo që nuk është e qartë nga hetimet e prokurorisë, mbetet fakti nëse këto para janë ndarë me pedagogët apo infermieri ka arritur të kalojë studentët falë njohjeve me persona në stafin pedagogjik. Prokuroria është duke verifikuar dokumentet e fakulteteve për dy rastet ndërsa sipas të dhënave hetimore, ka dyshime se infermieri ka marrë shuma parash në 150 euro për provim. Prokuroria ndërkohë konfirmoi se edhe pse fillimisht ka pasur denoncime për korrupsion ndaj dy pedagogëve të Kamzës, nuk është arritur të provohet se ata kanë marrë para për të kaluar studentët në provime. Sipas akuzës, në një rast, me ndërhyrje miqësore, njëri prej pedagogëve ka kaluar në provim një student, por vetëm mbi bazën e njohjeve me ndërmjetësin. Në këtë rast, sipas prokurorisë, pedagogu i ka treguar studentit përgjigjet e tezës së provimit në mënyrë që të arrinte rezultat kalues në lëndën e tij. Për këtë shkak ndaj dy pedagogëve është ngritur vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës. tr.so