E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bler: Sfida e Evropës për 2010, ngjarjet në Ballkan

Ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Evropë më 2010-ën, ka thënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Denis Bler, në dëshminë me shkrim që e ka paraqitur para Kongresit të Shteteve të Bashkuara. “Gjendja vazhdimisht e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbeten burime tensionesh që kërkojnë angazhim diplomatik dhe të sigurisë nga Perëndimi”, ka thënë Bler.

“Ne vlerësojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë ndikim thelbësor
në Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre - përfshirë këtu
edhe mundësinë e Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kyçe anëtare të
BE-së për të punuar bashkërisht dhe për të prezantuar një front të
përbashkët - do të ndikojnë thelbësisht në kursin e ardhshëm të
rajonit”, ka thënë shefi i Inteligjencës Amerikane.

Duke rikujtuar se mbi 60 vende në botë, përfshirë këtu edhe 22 vende
anëtare nga 27 sa ka Bashkimi Evropian, e kanë njohur tashmë shtetin e
Kosovës, zoti Bler, megjithatë, ka tërhequr vërejtjen se “Prishtina do
të vazhdojë të mbetet e varur nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar për
ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm, sikurse edhe për diplomacinë
dhe mbështetjen potenciale për sigurinë për të konsoliduar edhe më shumë
shtetësinë e saj”. “Një pjesë e madhe e popullatës serbe vazhdon të
shikojë nga Beogradi dhe reziston integrimin në institucionet e Kosovës,
edhe pse kjo qasje duket se po ndryshon ngadalë në jug të Kosovës.
Ndikimi i Qeverisë së Kosovës në rajonet e banuara me shumicë në veri të
vendit është ekstremisht i dobët”, ka thënë Denis Bler në dëshminë e
tij.

“Prania e NATO-s, edhe pse e reduktuar, është ende e nevojshme për të
shmangur dhunën dhe mbikëqyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është
thelbësore për efektivitetin e kësaj force dhe zhvillimin demokratik”.
“Liderët e Serbisë flasin per të ardhmen evropiane dhe presidenti Tadiq
synon një përparim të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,
por Beogradi nuk po jep shenja se do të pranojë pavarësinë e Kosovës apo
të pranojë konstruktivitetin".

"Beogradi duket se është në pritje të mendimit këshillëdhënës nga
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e deklaratës së
pavarësisë nga Prishtina – mendim ky i cili pritet nga mesi i vitit –
para se të vendosë se si t’i qaset Kosovës. Serbia në vazhdimësi
mbështetet te Moska për përkrahje politike dhe mbështetje ekonomike”, ka
thënë zoti Bler. Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se
ndasitë etnike atje përbëjnë sfidë për stabilitetin në Evropë.

Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i Shërbimit të Inteligjencës
ka thënë se kundërshtitë ndërmjet bashkësive kroate, myslimane dhe serbe
të Bosnjës, janë në rritje dhe se ngurtësimi i mundshëm i qëndrimeve
mund ta kërcënojë stabilitetin e këtij shteti ballkanik.

Bler ka thënë se në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë “axhendat
etnike”, ndërsa reformat kanë ngecur për shkak të dallimeve ndërmjet tri
grupeve më të mëdha. Ai ka shtuar se tensionet ndërmjet myslimanëve dhe
serbëve të Bosnjes janë "sfidat kryesore" për stabilitetin evropian në
vitin 2010.

Dhimiter Adhami

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›