E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Brryli, 32-vjeçari kapet duke shitur drogë

 TIRANE - Policia e Tiranës vuri dje në pranga një 32 vjeçar, të akuzuar për shpërndarje narkotikësh në zonën e Bërrylit dhe Spitaleve në kryeqytet. I arrestuari është Saimir Kabili, 32 vjeç, lindur dhe banues në zonën e Varrit të Bamit në Tiranë. Arrestimi i tij u krye paraditen e djeshme nga agjentët e sektorit të antidrogës të policisë së kryeqytetit, të cilët kishin siguruar më parë informacione në rrugë operative për aktivitetin e 32 vjeçarit. Dje ai ishte prangosur në flagrancë, teksa ishte furnizuar me një sasi heroine, të cilën do e përgatiste për ta ndarë në doza dhe më pas shpërndarë në zonën e spitaleve. Policët që kishin nisur ta survejonin, e kanë arrestuar teksa po ecte pranë zonës së Bërrylit, ndërsa pas kontrollit fizik dhe dërgimit të tij në qelitë e Drejtorisë së Policisë ka rezultuar se ai kishte me vete një sasi prej 80 gramësh heroinë. Policia pohoi dje se aktualisht po punonte për identifikimin e të implikuarve të tjerë në këtë ngjarje, pasi sipas tyre, sasia prej 80 gramësh heroinë, është shumë e madhe për t'u shpërndarë nga një person i vetëm. Ende nuk dihet, se cili ka qenë qëndrimi i 32 vjeçarit përballë akuzës, "Prodhim dhe shpërndarje narkotikësh", sipas të cilës nëse do të gjendet fajtor në gjykatë rrezikon një dënim nga 5 deri në 10 vjet burg. Por policia e kryeqytetit pohoi dje se tashmë ka nisur hetimin për verifikimin e bashkëpunëtorëve të të arrestuarit si dhe zbulimin e origjinës së lëndës narkotike. Kohët e fundit në kryeqytet janë vënë në pranga një numër i madh personash, të cilët akuzohen se janë përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë arrestimit të tyre policia ka shtënë në dorë sasi të ndryshme narkotikësh, por ende nuk është zbuluar asnjë nga furnizuesit e të arrestuarve. Sipas policisë, gjatë marrjes në pyetje, shpërndarësit e narkotikëve, refuzojnë të japin informacione për furnizuesit e tyre. Kjo e bën të vështirë punën për identifikimin e furnitorëve "të shumicës" për lëndët narkotike, duke bërë që të vetmet informacione ndaj tyre të sigurohen vetëm në rrugë operative. Gjatë paradites së sotme pritet që i arrestuari Kabili të dërgohet në Gjykatën e Tiranës, ku do të zhvillohet një seancë gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë në ngarkim të tij.               fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›