E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merret peng dhe hidhet në liqen 19-vjeçari

 ELBASAN - Historia e dashurisë me bashkëfshataren e tij i ka kushtuar shtrenjtë një 19- vjeçari në Elbasan. Dy vëllezër, xhaxhallarë të vajzës e kanë marrë peng me mjetin e tyre dhe pasi e kanë keqtrajtuar për disa orë e kanë hedhur thuajse pa ndjenja në një nga liqenet e zonës së Dumresë. Sipas policisë, Demir Lala ka mundur të dalë në breg dhe të kërkojë ndihmë. Ngjarja e ka zanafillën në fshatin Malasej të Komunës së Gostimës aty ku viktima dhe dy autorët, Arben dhe Bukurosh Kuqja, 31 dhe 35 vjeç kanë nisur konfliktin. Vëllezërit kishin zbuluar lidhjen e dy të rinjve pasi i kishin gjetur mbesës së tyre disa mesazhe në celularin e saj. Pasi ajo është detyruar të pranojë lidhjen e fshehtë me 19- vjeçarin, xhaxhallarët e saj kanë gjetur në fshat të riun. Ata e kanë marrë me makinë dhe e kanë keqtrajtuar për disa orë rreth 10 kilometra më larg duke e hedhur më pas në liqenin e Kajanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së premtes. Një banor i zonës, i cili e ka gjetur viktimën thuajse pa ndjenja teksa thërriste për ndihmë sinjalizoi blutë. Sipas policisë, 19 vjeçari kishte shenja dhune. Ai është gjetur i gjakosur si pasojë e grushteve dhe shkelmave që i kishin dhënë dy vëllezërit Kuqja. I riu është transportuar drejt spitalit të Cërrikut, dhe më pas në Elbasan. Pas disa orësh, Lala është përmirësuar nga ku i pohoi policisë se ishte rrahur barbarisht nga dy xhaxhallarët e vajzës që ai kishte lidhje prej kohësh. Vëllezërit u arrestuan një orë pas ngjarjes për peng marrjen dhe keqtrajtimin e të riut. Ata pranuan autorësinë e rrahjes dhe të hedhjes në liqen të 19- vjeçarit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›