Akuza Lavrovit për pansllavizëm
Shoqata Shqiptaro-Amerikane ka reaguar ndaj vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Maqedoni, duke e quajtur atë një plan strategjik për riaktivizimin e pansllavizmit në Ballkan. Vizita e Lavrov në disa shtete të Ballkanit e Maqedoni, tregon qartë se janë riaktivizuar vijat diplomatike pansllaviste, për të vënë në ngërç çështjen e popullit shqiptar, thuhet në reagim. Sipas tyre, Lavrov ka marrë me vete udhërrëfyesin, Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë(1985) dhe procesverbalet vrastare të viteve 1878-1913, ku Rusia copëtoi tokën e Shqipërisë duke ia dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Nuk është rastësi që Sergey Lavrov nga Kisha Ortodokse në Ohër i referohej tokës dhe popullit shqiptar si Jerusalemi i Ballkanit. Në takimet me diplomatin rus nuk ishte prezent asnjë prej përfaqësuesve politikë shqiptarë. Kështu, Nikola Gruevski, po e luan lojën e strucit, për të treguar se paska miq të fortë në kohë të vështira, theksohet në komunikatë.