E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza Vasilit, Opozita: Shërbimi i urgjencës, kushte të mjerueshme

Tiranë- Mbledhja e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë është përfshirë nga debate të forta mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës shqiptare. Mungesa e medikamentëve, dhe shërbimet e dobëta nëpër spitalet shqiptare ishin kryefjala e akuzave të opozitës kundrejt ministrit Vasili.

Anëtarja socialiste në këtë Komison, Klodiana Spahiu u shpreh se në urgjencat e vendit mungon shërbimi dhe medikamentet, dhe se situata paraqitet e mjerueshme.

Sot shërbimi i urgjencës ka kushte të mjerueshme. Është e turpshme të thuash që kushtet janë shumë të mira. Mungon shërbimi, mungojnë medikamentet. Është kjo situata reale. Për shëndetësinë buxheti është 30 miliardë lekë dhe qytetarët vuajnë mungesën e urgjencave- u shpreh Spahiu

Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë Petri Vasili u shpreh se urgjencat janë nga më modernet, dhe do të permisohen akoma më shumë.

Shërbimi i urgjencës është një nga më modernët, është i pajisur me 200 autoambulanca, 20% e të cilave sigurojnë një ndihmë të avancuar që në automjet. Do të realizojmë strategjinë kombëtare të shërbimit të urgjencës, e cila do të garantojë shërbim akoma më cilësor- shpjegoi Vasili.

Menjëherë pas këtij deklarimi të ministrit Vasili, erdhi edhe reagimi nga deputeti socialist Eltar Deda, i cili solli në shembull vonesën e ambulancës kur pas atentatit ndaj gjyqtarit të Vlorës, Konomit.

Mungesa e ambulancës pas ekzekutimit të gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi mjafton për të treguar në çfarë gjendje janë urgjencat në vend. Për 25 minuta nuk iu dha asnjë shërbim- u shpreh deputeti Deda.

Ndërsa sipas anëtarëve të pozitës në Komision,  sot në urgjenca vjen era e shërbimit shëndetësor. Anëtari i mazhorancës Flamur Noka u shpreh: “Kjo është situata. I kishit kthyer spitalet në mejhane. Ndërsa urgjencat në kasaphanë. Sot vjen era shërbim shëndetësor. Mjafton ta shihni QSUT-në si ka qenë dhe si është”.

Debatet kanë vijuar duke përmendur kongresin e 5 nëntorit të Partisë Sociliste, duke e përkeqësuar akoma më shumë debatin. Gjatë mbledhjes mungoi deputeti Vangjel Tavo, i cili njelloj si ministri Vasili janë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por deputeti Tavo është ndër kritiket kryesore të punës së ministrit Vasili.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Gjirokastër – Qendra Shëndetësore, kushte të mjerueshme
  2. Kandidatët republikanë në SHBA, akuza qeverisë federale
  3. Opozita: Do të zbulojmë skandalin e minierave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›