E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza apelon burgun përjetë të Bares

26/09/2011  Prokuroria depozitoi në Apel kërkesën për dënimin e Bares me 4 dënime të përjetshme

Alfred Shkurti, burg përjetë vetëm për vrasjen e Demirit. Akuza kërkoi për 3 të tjerë

TIRANE- Apelohet vendimi i dënimit me burgim të përjetshëm ndaj drejtuesit të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Vendimi është marrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pak kohë më parë i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Apelit ku i kërkon kësaj të fundit, dënimin e kapo Bandës së Lushnjës me katër dënime të përjetshme dhe jo me një, siç ka vendosur trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Burimet i thanë gazetës “Metropol” se në pretencën e dhënë ndaj drejtuesit të Bandës së Lushnjës, kishin kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për katër raste, ku ndaj Aldo Bares kanë pasur prova të mjaftueshme që justifikonin kërkesën për katër dënime të përjetshme. Duke ju referuar pretencës, mësohet se organi i akuzës kërkoi dënimin e përjetshëm të Aldo Bares për rastin e vrasjes së shtetasit Nimet Zeneli, Masar Aliu, Luan Bilbili dhe Xhevat Demiri. Mirëpo në vendimin e saj gjykata dënoi Baren me burgim të përjetshëm vetëm për rastin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri, i cili u ekzekutua në hyrje të qytetit të Lushnjës më 3 gusht 1997. Për këtë vrasje trupi gjykues u besoi sinqeritetit të dy dëshmitarëve të mbrojtjes nga drejtësia shqiptare Mimoza Demirij dhe Arben Kiçja. Ndërsa për sa i përket dëshmitarëve në tre vrasjet e përmendura, gjykata është shprehur se asnjëri prej tyre nuk ka përmendur emrin e Aldo Bares në këto vrasje dhe për pasojë, ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Bares me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Luan Bilbilit. Kërkesa e apelimit e bërë nga Prokuroria, kërkon katër dënime maksimale për kreun e Bandës së Lushnjës, duke mos u mjaftuar me një të vetëm që ka dhënë gjykata. Ndërkohë që pak ditë më parë Gjykata e Apelit rrëzoi dy dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë për vrasjen e Xhevat Demirit, vendim ky që solli lirimin e menjëhershëm të anëtarit të Bandës së Lushnjës, Afrim Hoxha. Ky vendim duket se i hapi rrugë dhe të dënuarit Aldo Bare, për të rrëzuar dënimin e përjetshëm, duke ia rritur shpresat për një dënim me 25 vjet burg.

Vrasja e Xhevat Demirit

Pikërisht në këtë periudhë më datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Borici, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.

Vendimi i Apelit

Javën e kaluar, me një vendim të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, përfitoi lirinë anëtari i Bandës së Lushnjës, Afrim Hoxha, i cili ishte dënuar me 18 vjet për vrasjen e shtetasit Xhevat Demiri. Hoxha, që njihet dhe si krushku i kapobandës Aldo Bare ka lënë qelinë po atë ditë, ndërkohë që nëpërmjet këtij vendimi pritet që shumë shpejt të lenë qelinë dhe dy anëtarët e bandës, të dënuarit Rexhep Gina dhe Arjan Alico. Mësohet se ata i janë drejtuar gjykatës me një kërkesë tjetër ku kërkojnë shuajtjes e masës së dënimit, për shkak se i kanë përfunduar afatet. Ndërkohë që vendimi i Apelit pritet të ankimohet me një rekurs në Gjykatën e Lartë nga përfaqësuesit e Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›