E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabisnin bankat me pajisjet “POS” tradhtohen nga fotot në Facebook

26/09/2011  Tre persona nën akuzë, mes tyre dhe efektivja e policisë

TIRANE-Tre persona, mes tyre dy janë burrë e grua dhe vëllai i të pandehurës janë vënë nën akuzë, nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi ka rezultuar se ata kanë kryer grabitjen e bankave dhe bizneseve nëpërmjet aparatit elektronik “POS”. Nga disa muaj hetime është arritur të zbardhen 14 ndërhyrje nëpërmjet kartave të klonuara, që sipas hetimeve rezulton se ato merreshin nga shtetet si Anglia, SHBA e deri nga India. Autorët e këtij krimi janë të pandehurit Maliq Kaca, Bedri Muda dhe Rajmonda Muda, kjo e fundit efektive e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë. Përgjimet telefonike dhe krahasimi i fotove të kamerave të sigurisë së bankave me fotot e profileve në Facebook kanë identifikuar tre persona që bënë “kërdinë” në dyqanet e Tiranës duke blerë bizhu të florinjta me karta krediti të klonuara. Ata kishin vjedhur rreth 30 mijë euro në kohën kur u arrestuan, ndërkohë që po përpiqeshin të kryenin një tjetër përvetësim që shkonte në qindra mijë euro. Gjurmimi i dy telefonave të blerë me një kartë krediti të klonuar kanë çuar më pas hetuesit e çështjes në “shënjestrën” e kërkuar. Tre të akuzuarit për “mashtrim kompjuterik”, mes të cilëve edhe një punonjëse policie, u arrestuan 6 muaj më parë nga operacioni policor “Skimmer 3″. Identifikimi i vendndodhjes më pas i njërit prej këtyre dy aparateve përmes numrave të IMEI-t të tyre, u ka bërë të ditur hetuesve se ai po përdorej nga babai i Bedri Mudës në Dibër. “Është bërë këqyrje e sistemit TIMS dhe e rrjetit social Facebook dhe ka rezultuar se fotot e këtij shtetasi (Bedri Muda) kanë shumë ngjashmëri me foton e bërë nga kamerat e ATM-së së bankës në qendrën tregtare”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Ndërsa më 12 mars 2011, e pandehura e veshur me uniformë policie ka tentuar të blejë bizhu në një argjendari të një qendre tregtare, duke përdorur karta bankare të huaja me emra personash të tjerë. Të gjitha kartat e klonuara që përdoreshin për grabitje, dërgoheshin nga i pandehuri Maliq Kaca, i cili banonte në Angli dhe që është vëllai i të pandehurës Rajmonda Muda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›