E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vrarë në gurore roja, arrestohen 2

26/09/2011  Në fillim u mendua për vetëvrasje, policia gjen fakte për vrasje. Ngjarja pas një zënke të momentit

SHKODER- Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës kanë arritur të zbardhin ngjarjen e mbrëmjes së të shtunës, të ndodhur në fshatin Gajtan, ku u gjet i vrarë me armë gjahu një shtetas, si dhe të identifikojnë e kapin autorët. Fillimisht ishte marrë informacion se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por shërbimet policore dhe grupi hetimor i shkuan deri në fund hetimeve, duke bërë që brenda pak orësh të arrijnë në përfundimin se bëhej fjalë për vrasje.

Vrasja

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të së shtunës në fshatin “Gajtan” të komunës Guri i Zi, të rrethit të Shkodrës. Policia ka marrë informacion se në guroren e fshatit Gajtan është gjetur i vetëvrarë me armë zjarri roja e kësaj guroreje, shtetasi 55-vjeçar Lazër Jaku, lindur e banues në fshatin “Guri i Zi” të rrethit të Shkodrës. Menjëherë pas këtij informacioni, në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë konstatuar se shtetasi Jaku gjendej i vrarë në vendrojën ku punonte me një armë gjahu. Burimet shprehen se nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mënyra e të qëlluarit me çifte, policia ka filluar të dyshojë se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje. Pas këtij dyshimi, strukturat e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër kanë filluar menjëherë një punë të mirëfilltë hetimore, në sajë të së cilës është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes për të cilën u arrit në konkluzionin se nuk bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale, por për një vrasje. Puna profesionale dhe e mirëorganizuar e strukturave të policisë ka bërë të mundur dhe identifikimin e autorëve të vrasjes së shtetasit Jaku. Menjëherë pas identifikimit të autorëve, policia ka organizuar një aksion të shpejtë për gjetjen dhe kapjen e tyre dhe rreth orës 23 :30 të së shtunës ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dyshuar si autorë të krimit. Bëhet fjalë për shtetasin 25-vjeçar E. Kola, lindur e banues në fshatin “Gajtan”, të komunës Gur i Zi, të rrethit Shkodër dhe për shtetasin 30-vjeçar R. Isufi, lindur e banues në lagjen “Perash” të qytetit të Shkodrës.

Motivi

Burimet policore shprehen se nga hetimet paraprake ngjarja ka ndodhur pas një grindje të çastit të viktimës Jaku me dy të arrestuarit e dyshuar si autorë të ngjarjes. Ndërkohë burimet zyrtare bëjnë të ditur gjithashtu se gjatë kontrolleve të ushtruara në vendin e ngjarjes dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë e tipit Bareta me një fishek në folenë e armës, një armë gjahu teke, gjysmë automatike dhe një armë gjahu teke. Strukturat e policisë kanë kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasve E. Kola dhe R. Isufi, ia kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër. Shtetasit E. Kola dhe R. Isufi akuzohen për veprat penale “vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve të armëve të gjahut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›