E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza e PS-së për qeverinë “Berisha”

05/08/2010 Beqja: Borxhi rritet nga korrupsioni i pushtetit

Partia Socialiste ngriti sërish dje shqetësimin e saj mbi borxhin publik. Në vlerësimin e deputetit të kësaj partie Ilir Beqja borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të rritet. “Aktualisht niveli i borxhit ka kapur shifra marramendëse, të paimagjinueshme për vende si yni: plot 7,3 miliardë dollarë. Secili prej nesh, çdo shqiptar, ka sot një borxh prej 2300 dollarë”, - vuri në dukje Beqja. Deputeti i PS-së dha njëkohësisht arsyet për të cilat ka ardhur një situatë e tillë. Së pari, sipas tij, borxhi rritet së tepërmi nga paaftësia e qeverisë. “Duke qenë e paaftë për të siguruar para për investime, siç i siguron çdo qeveri në botë, qeveria shqiptare është detyruar të marrë kredi me interesa tregtare, të cilat janë shumë të shtrenjta dhe ndikojnë në rritjen e borxhit publik. Së dyti, borxhin publik e rrit papërgjegjshmëria e qeverisë. Së treti, borxhi rritet nga korrupsioni i qeverisë. Taksa e ryshfetit është bërë pjesë e çdo kontrate qeveritare dhe e çdo shpenzimi qeveritar, pa të cilin asnjë sipërmarrës shqiptar ose i huaj nuk mund të zgjidhë punë në Shqipëri”, - u shpreh Beqja. Madje ai shtoi se “e keqja është se niveli tejet i lartë i borxhit publik do të rritet edhe më shumë dhe veetëm në vitin 2010 borxhi publik do të rritet me 480 milionë dollarë. Kjo qeveri nuk u nevojitet shqiptarëve ndaj duhet të largohet një orë e më parë”, - deklaroi deputeti socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›