E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysma e ministrave nisin pushimet

05/08/2010 Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është vënë re mungesa e shumë ministrave

I vetmiqë nuk ka tradhtuar mbledhjet e ekzekutivit është kryeministri Sali Berisha

Rreth gjysma e ministrave të qeverisë shqiptare kanë munguar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Ditën e djeshme është vënë re mungesa e ministrave, duke filluar nga numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme Ilir Meta e duke vazhduar më pas me ministra të tjerë. Prej vitesh tashmë qeveria nuk ka ndalur zhvillimin e mbledhjeve normale të saj. Çdo ditë të mërkurë kryeministri Sali Berisha ka mbledhur kabinetin e tij për të diskutuar çështjet dhe problemet më të rëndësishme që shoqërojnë jetën e qytetarëve, si dhe për të miratuar projektligje dhe vendime që shkojnë në selinë e Kryeministrisë për të marrë miratimin. Por duket se disa prej atyre që kanë munguar në mbledhjen e djeshme kanë nisur pushimet, siç njihet ndryshe “lejen e zakonshme”. Ka munguar në mbledhjen e përhershme ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili ishte zëvendësuar nga zëvendësministri Ferdinand Pone. Shefi i diplomacisë Meta ishte zëvendësuar nga zëvendësministrja Edith Harxhi për shkak të impenjimeve të tij qeveritare, të përcaktuara më parë. Ministri i Financave Ridvan Bode ishte zëvendësuar nga zëvendësministri Alfred Rushaj. Po ashtu nuk ishte i pranishëm ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferri, që ishte zëvendësuar nga zëvendësministrja Suzana Turku. Mungesën e kreut të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Prifti e plotësoi zëvendësministri Neritan Alibali. Ndërkohë ministrin e Mjedisit Fatmir Mediu e ka zëvendësuar në mbledhje zëvendësministri Taulant Bino, i cili mori disa urdhra dhe këshilla nga kryeministri Berisha mbi mënyrën e punës së inspektorëve të mjedisit në këtë periudhë të rëndësishme të zhvillimit të sektorit të turizmit. Është për tu theksuar fakti se që prej marrjes së postit të kreut të qeverisë Berisha nuk ka munguar asnjëherë në një mbledhje. Të gjitha janë drejtuar prej tij. Në ato ditë kur ai ka qenë i detyruar të mos marrë pjesë për arsye të ndryshme, mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër.

Pavarësisht mungesave të shumta, kryeministri Berisha nuk tha asnjë fjalë. Të paktën në pjesën e parë të mbledhjes, gjatë të cilës përfaqësuesit e medies lejohen të marrin pjesë. Faktikisht për çdo mungesë të ministrave në mbledhje të qeverisë bëhet e ditur se cili do të jetë zëvendësministri që do ta zëvendësojë.

Liberalizimi i vizave

Institucionet qeveritare duhet tu japin përgjigje të gjitha pyetjeve që ekspertët e Komisionit Europian parashtruan në raportin e tyre pas vizitës në muajin korrik për verifikimin e tri kushteve që lidhet drejtpërdrejt me vendimin për përfitimin e liberalizimit të vizave. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar gjatë mbledhjes së qeverisë që ekspertët të nxjerrin çdo problem të ngritur, në mënyrë që të procedohet më tej me reformat. Ai i ka cilësuar si shumë të rëndësishme përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit. “Ne duhet të nxjerrim çdo problem të ngritur, pavarësisht nga arritjet. Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, në mënyrë që të procedohet më tej me reformat. Le të marrim luftën kundër korrupsionit. Ajo është një luftë e pasosur, që nuk përfundon kurrë, por që shënon sukses. Në këtë aspekt, shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të kapur nivel tjetër. Po ashtu lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë. Suksesi i saj varet sa je në gjendje të konsolidosh atë që ke arritur dhe me vendosmëri të përcaktosh objektiva të tjera”, - ka thënë kreu i qeverisë. Ai kërkoi nga ekspertët të përfundojnë brenda muajit gusht përgjigjet për çështjet që ngritën ekspertët e KE-së në raportin e tyre të fundit. Berisha kërkoi racionimin e kohës së ekipeve dhe stafeve të përfshira në këtë proces.

Integrimi europian

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta në takimin me ministrin e Jashtëm plotësues të Greqisë Dimitris P. Droutsas e vlerësuar shumë të rëndësishëm plotësimin e kuadrit ligjor nga autoritetet greke në dobi të integrimit të plotë të komunitetit shqiptar në vendin fqinj. Meta i është referuar në mënyrë të veçantë dhënies së shtetësisë brezit të dytë, të lindur dhe arsimuar në Greqi, si dhe së drejtës së tyre për të votuar e për tu votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor. Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë se Shqipëria së shpejti pret liberalizimin e vizave dhe në të ardhmen e afërme statusin e vendit kandidat. “Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen greke dhe vlerësojmë shumë kontributin e kryeministrit Papandreu në evropianizimin e rajonit. Axhenda 2014 ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nxitje e fuqishme për ne, por edhe për BE-në, që të adresojë aspiratat evropiane të vendeve të rajonit”, - deklaroi ai. Vetë ministri Droutsas, duke u ndalur në proceset integruese, mësohet se ka përsëritur premtimin për mbështetjen e palës greke në finalizimin së shpejti të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Theksoj rëndësinë që ne i japim afrimit të perspektivës evropiane të të gjithë rajonit dhe natyrisht edhe të Shqipërisë. Siç e dini, Greqia është një mbështetëse e fuqishme e kësaj perspektive”, - tha Droutsas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›