Akuza e punëtorit: BP injoroi rrezikun
BP u përball dje me një tjetër pretendim të rëndë, sipas të cilit kompania i kishte injoruar problemet e sigurisë shumë kohë para tragjedisë së platformës së naftës “Deepwater Horizon”. Tyrone Benton, një punonjës në këtë platformë, deklaroi për median britanike se ai kishte identifikuar probleme në disa makineri që janë për parandalimin e shpërthimeve. Por, sipas tij, makineria nuk u ndreq, por u shua dhe në vend të saj u përdor një pajisje tjetër. Pikërisht kjo pajisje zëvendësuese dështoi në funksionin e saj ditën e katastrofës. Tyrone Benton operonte një pajisje nënujore robotike në platformën “Deepwater Horizon”. Penguesi i shpërthimit është pjesa më kritike e pajisjeve të emergjencës në platformat e naftës. Ajo ka prerëse gjigande për të prerë dhe mbyllur tubacionet kryesore në rast emergjence. Tyrone Benton tha se supervizori i tij i dërgoi lajmin e rrjedhjes me e-mail si kompanisë BP, ashtu dhe “Transocean”, kompanisë që e ka në pronë platformën. Por z. Benton tha se aparatura e kontrollit duhej riparuar duke pezulluar përkohësisht operacionet e shpimit. Kjo do të kishte qenë një perspektivë e shtrenjtë, pasi i kushtonte BP-së gjysmë milion dollarë në ditë për të operuar gjatë muajit prill platformën “Deepwater Horizon”. BP ka reaguar duke thënë se “Transocean” ka qenë përgjegjëse si për mirëmbajtjen, ashtu edhe për funksionimin e kësaj aparature. “Transocean” thotë se aparatura ishte testuar tri ditë më parë dhe funksiononte. Ndërkaq, njeriu që është vënë në krye të fondit prej 20 miliardë dollarësh për të kompensuar të prekurit nga tragjedia e Gjirit të Meksikës, ka deklaruar se është i vendosur të përshpejtojë pagesat e të dëmtuarve. Keneth Fweinberg tha se Presidenti amerikan do që pagesat të bëhen sa më shpejt. Fondin e madh vendosi që ta financonte BP, pas presionit të madh që iu bë nga Presidenti amerikan.
Për sa i përket neglizhencës së BP-së për të vepruar në marrjen e masave për ndreqjen e pajisjes së mësipërme dhe në përgjithësi për të marrë edhe masa të tjera mbrojtëse, kreu i komisionit hetimor në Kongres, Waxman, e akuzoi kompaninë britanike për neglizhencë në riparimin e dëmeve për të kursyer sa më shumë para. “BP ndërmori një sërë veprimesh për arsye ekonomike, të cilat e rritën rrezikun e një katastrofe”, ka deklaruar Waxman.
#