Normat e interesit, BSH ndryshon strategji
Edhe pse e uli dy herë normën bazë të interesit, duke e çuar në 5.5 për qind, Banka e Shqipërisë vëren se reflektimi i bankave në treg ka qenë i ngadaltë, për të mos thënë fare. Situata në tregje vijon të jetë i njëjtë, me interesa të larta për kreditë, pavarësisht apeleve të guvernatorit dhe ndërhyrjeve në politikën monetare për liberalizim të çmimit të lekut. I detyruar, në këto kushte, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaron se do të ndryshojë strategji, në mënyrë që norma bazë të gjejë zbatim nga bankat, ose më saktë të këtë reflektim të shpejtë në tregje. Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë, guvernatori i kishte ftuar drejtuesit e bankave, duke u tërhequr vëmendjen për situatën aktuale aspak të favorshme për zhvillimin financiar, sa i takon likuiditetit dhe normave që aplikojnë subjektet me njëra-tjetrën.
“Banka e Shqipërisë është në fazën finale të procesit të rishikimit të objektivave të saj operacionalë. Së shpejti, këto objektiva do të ndryshojnë formën e tyre, duke kaluar nga shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në shënjestrimin e normave të interesit të tregut ndërbankar”, tha kreu i BSH-së. Fullani nuk dha detaje sesi do t’i bindë bankat që të zbatojnë si duhet politikën monetare në lidhje me interesin bazë të lekut, por konfirmoi se nuk do të ketë kthim mbrapa drejt strategjisë për të pasur një treg më të zhvilluar.
Në tre vitet e fundit, politikat monetare të BSH nuk kanë gjetur reflektim nga bankat në nivelet e dëshiruara, fakt i pranuar nga guvernatorit për disa arsye. “Mekanizmi i politikës monetare është bërë tashmë më kompleks, duke përfshirë në vetvete më shumë aktorë. Sofistikimi i të cilëve vjen gjithnjë në rritje, duke përfshirë më shumë instrumente dhe kontrata financiare, të strukturuara në kohë dhe të indeksuara me tregues të ndryshëm. Këto ndryshime kanë diktuar monitorim të vazhdueshëm nga autoriteti monetar, për të bërë ndryshimet e duhura në regjimin e politikës monetare dhe në aspektet operacionale të zbatimit të saj”, deklaroi guvernatori.
Një tjetër mesazh i kreut të BSH-së drejtuar bankave të nivelit të dytë lidhej me përdorimin e lekut, duke i nxitur të jenë aktive në kuotimin e likuiditetit në monedhën vendase, duke ndjekur të njëjtin qëndrim si edhe në tregun valutor.
Tregu bankar ka pasur zhvillim të qëndrueshëm në vitet e fundit, me larmishmëri produktesh, zgjerim degësh dhe çmime konkurruese. Gjithsesi, nga vëzhgimet në terren del se një pjesë e mirë e shërbimeve ofrohen në kushte të mungesës së transparencës dhe me kosto, që duhet të ishin edhe më të lira.
Kreditimi ka pësuar ulje në dy vitet e fundit si pasojë e shtrëngimit të kushteve. Fenomenin e kanë ndier më së shumti klientët e kredive konsumatore, por edhe biznesi, i cili e ka ulur dorën e investimeve. Në vitet e mëparshme, kreditimi për ekonominë ka qenë në nivele deri në 65 për qind, kurse në 2009-n pësoi një ulje në kuotën e 13 për qind, për të arritur në ditët e sotme në 5-6 për qind.
#