Akuza në Kuvend: Armët serbe po demontohen në Shqipëri
Opozita akuzoi dje Ministrinë e Mbrojtjes se ka lejuar demontimin në vendin tonë të armëve që vijnë nga Serbia. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputeti Taulant Balla akuzoi ministrin Arben Imami si përgjegjës për shkatërrimin e mjedisit në zonën e Librazhdit si pasojë e demontimit të armëve që importohen. Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se po kryhen pazare me Serbinë për tregtinë e armëve ndërmjet dy vendeve. Po shkëmbejmë gjithçka. Ditët e fundit po shkëmbejmë edhe armë. Në kuadër të këtij liberalizimi dhe e dini se çfarë ndodh? Një pjesë e armatimit serb që po vjen për tu demontuar në Shqipëri, nuk po demontohet nëpër pikat e demontimit të miratuara nga ky Kuvend, theksoi Balla.
Sipas opozitës, në trafikun e armëve dhe demontimin e tyre në vendin tonë janë përfshirë edhe strukturat e mbrojtjes. Duke shprehur shqetësimin e banorëve të qytetit të Librazhdit nga ndotja që vjen si pasojë e demontimit të armëve në lumin Shkumbin, deputeti Taulant Balla akuzoi Ministrin Imami për lejim të trafikut për të pasuruar privatët që përfitojnë nga metalet e çmuara nga demontimi i armëve. Unë akuzoj Ministrin e Mbrojtjes si përgjegjës për pazare që po bëhen me armatimet, qofshin ato që vijnë nga vendet e tjera, qofshin ato që janë pjesë e rezervave shqiptare. Po bëhet në mënyrë korruptive. Një pjesë të strukturave të ushtrisë, janë bërë pjesë e interesave të privatëve që demontojnë për arsye të shitjes së metaleve me mjaft vlerë që burojnë nga ky demontim, tha Balla.
Sekretari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi sqarime për armët që demontohen dhe për ushtarakët e përfshirë në këtë proces. Ministri duhet të merrte fjalën edhe të thoshte çfarë është ai demontim në lumin Shkumbin, kush janë ata ushtarakë të përfshirë, a janë armë nga Serbia dhe çfarë po bëhet me to. Sepse baruti i atyre demontimeve ka lëndë mjaft të rrezikshme edhe pas djegies ato duke u marrë nga uji i Shkumbinit përfundojnë në det dhe dëmtojnë rëndë florën dhe faunën akuzoi në seancë deputeti Balla.
Imami: Demontimi në lumë sepse nuk kemi ujë
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami mohoi importimin e armëve nga vendi ynë fqinj duke u fokusuar te sasia e demontuar. Ministri pranoi problemin e ndotjes së zonave përreth si pasojë e demontimit të barutit si pasojë e mungesës së ujit në procesin e demontimit. Nuk po demontojmë asgjë tjetër veçse ato dhjetëra tonë që i kemi deklaruar. Nuk ka as predha, as armatime, as bullgare as suedeze. Ne kemi shumë për të demontuar për vete. Sa i përket ndotjes, do tju jap informacion në kohën më të parë. Ka një problem që djegia e barutit në mungesë të ujit është problematike. Ne po e shqyrtojmë dhe do informojmë, reagoi Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ndaj akuzave të opozitës.
Banorët e Librazhdit: Po dëmtohemi nga armët
LIBRAZHD- Demontimi i municioneve në lumin Shkumbin është denoncuar edhe nga banorët e zonës. Banorët e tre fshatrave pranë malit Zgarë në komunën Qendër të rrethit të Librazhdit janë shprehur se përveç tronditjeve kanë pasur probleme edhe me ndotjen. Pas këtyre ankesave kanë shkuar për të parë situatën nga afër një grup specialistësh nga shtabi i emergjencave. Specialistët kanë shkuar në shtëpitë e banorëve dhe kanë matur tronditjet. Gjithashtu është parë në vend edhe shqetësimi për ndotjen e burimit të ujit nga shpërthimet, për të cilin ankoheshin banorët. Specialistët janë shoqëruar nga përfaqësues të komunës Qendër dhe nga kryetarë të fshatrave. Pasi janë verifikuar të gjithë parametrat për ndotjen akustike dhe atë mjedisore është biseduar me banorët dhe është vendosur që të ulet sasia e eksplozivit që shpërthehet duke larguar edhe vendet e shpërthimit nga burimet e ujit. Kështu i është kërkuar përgjegjësve dhe specialistëve të bëhet kujdes në sasitë që do të shpërthehen dhe shpërthimet të jenë të shpërndara duke e bërë kështu zhurmën e pranueshme. Të dhënat tregojnë se demontimi në natyrë në malin e Zgarës pritet të vazhdojë deri në gusht të vitit 2012.
Marrëveshja me Serbinë, Majko: Po legalizohet minoriteti serb
Marrëveshja për lëvizjen e lirë pa viza mes Shqipërisë dhe Serbisë ka gjetur dje konsensusin e pothuajse të gjithë deputetëve të pranishëm në sallë duke marrë 110 vota. I vetmi që votoi kundër ishte Pandeli Majko ndërsa 11 deputetë të tjerë preferuan të abstenojnë, por sërish kjo marrëveshje u shoqërua me debate. Në parim marrëveshja është një nga hapat për krijimin e Shengenit ballkanik dhe po nënshkruhet nga të gjitha vendet e rajonit.
Deputeti që votoi kundër, Majko, e argumentoi votën e tij duke thënë se po legalizohet minoriteti serb në vendin tonë pa të drejtë. U tha se këto marrëveshje janë standarde se janë lidhur me Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën, Kosovën. Shqipëria ka njohur që nga 1912 se në Shqipëri ekziston minoritet malazez, maqedonas dhe boshnjak dhe të përdorësh një standard të tillë marrëveshje me një shtet jo fqinj do të thotë se i ke njohur nga pikëpamja e standardit ekzistencën e një minoriteti të këtij shteti në Shqipëri. Dhe ne shohim se sot në Shqipëri nuk legalizohet vetëm shtëpi pa leje, para pa leje, por dhe minoritetet. Ky është një problem që nuk mund të anashkalohet,- tha deputeti Pandeli Majko. Sipas tij, parlamenti duhet të tregohet i kujdesshëm me marrëveshje të tilla për të mos lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve dt lidhur me mafian.
Në rastin e kësaj marrëveshje është detyruar para parlamenti shqiptar të shprehë a ka minoritet serb? Tani dhe atë regjistrimin e famshëm e bëtë, i legalizuar çfarë ishin për tu legalizuar. Ne në të ardhme e afërt do kemi një marrëdhënie të hapur me Serbinë, por dua që kjo të bëhet në publik jo nga kanalet e ujërave të zeza, as duke u garantuar lëvizje të lirë njerëzve të mafias serbe,- tha Majko.
Në fjalën e tij, ish-kryeministri shprehu rezerva edhe për drejtoreshën juridike që ka hartuar marrëveshjen me Serbinë, e cila është e njëjta që ka hartuar edhe paktin detar me Greqinë. Këtu zonja drejtoreshë tha se e kemi kërkuar ne pse? Çpunë ka qendra kulturore në marrëveshje për lëvizjen e lirë. Zonja Ledia Hysi kam përshtypjen se sot vini në parlament duke na hapur një diskutim të një natyre që ka të bëjë me disa marrëdhënie delikate. Besoj që do kem mirëkuptimin tuaj duke thënë se jeni drejtoreshë juridike e paktit detar me Greqinë që u rrëzua në Kushtetuese. Nuk besoj se do vinit këto me të njëjtin titull, akuzoi Majko. Por në këtë pjesë kryetarja e Kuvendit, Topalli e ndaloi Majkon ti drejtohej ekspertes së MPJ-së, e cila ishte e ftuar në seancë. Nga ana tjetër Tritan Shehu, në emër të PD-së kundërshtoi akuzat e Majkos.
Si nisi çështja e minoritetit serb
Çështja e minoritetit serb në Shqipëri është hapur për herë të parë në fillim të vitit 2010 kur ministri i Jashtëm i asaj kohe, Ilir Meta u takua me homologun serb gjatë një vizite në Beograd, Vuk Jeremiç. Në Në mënyrë të papritur Jeremiç kërkoi të njihej minoriteti etnik serb në Shqipëri. Bëhet fjalë për disa banorë të fshatrave të Malësisë së Madhe. Kjo deklaratë gjeti përgjigjen do ta verifikojmë si çështje nga Ilir Meta. Shteti shqiptar i njeh të drejtën e minoritetit etnik vetëm komunitetit grek.
Betohet deputetja Paulina Hoxha
Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Paulina Hoxha u betua dje në Kuvend. Ajo zëvendëson ish- deputetin socialist Ilir Beqja, i cili humbi mandatin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me argumentimin se ka përfituar nga të ardhurat publike me kompaninë e tij duke qenë në konflikt interesash me detyrën e deputetit. P
