E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri sherr me Malajn

Pak orë para mbledhjes së Kryesisë së socialisteve, pakënaqësitë që po i paraprijnë Kongresit të 5 Nëntorit janë reflektuar mes deputeteve të selisë roze edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Arben Malaj, pak orë para përmbylljes së turit të tij, dhe Sajmir Tahiri, patën një komunikim me tone aspak miqësore ndaj njëri-tjetrit, duke mos i shpëtuar kamerave që po ndiqnin punimet e seancës plenare.

Gjithçka duket të ketë ardhur si rrjedhë e incidentit të së premtes së kaluar në Kombinat, ku u tentua prishja e takimit të zotit Malaj me
socialistët e kësaj zone të kryeqytetit, deputet i së cilës është Sajmir Tahiri.

Media e një dite më pas citonte burime se deputeti Tahiri ishte ai që provokoi incidentin, në këtë zonë e cila me 8 maj ishte një ndër trofetë e pakta të Tiranës për selinë rozë, mjaftueshëm për Tahirin të paktën, që të përgëzohej si deputeti më i mirë nga Edi Rama. Madje vetëm pak më vonë rezultoi se vetëm Sajmir Tahiri ishte i aftë të merrte komandën e socialisteve të Tiranës, ndërkohë që Besnik Bare u largua me brejtje ndërgjegje për humbjen e kryetarit. Kjo humbje për Arben Malajn dhe deputete që e mbështesin atë ishte pasojë e vetë politikës së bojkotit dhe bllokimit të Edi Ramës, e cila jo vetëm nuk ngjiti tek qytetarët, por i lodhi ata.

Por ky qëndrim sigurisht bie ndesh me linjën politike të Ramës, për rrjedhojë nuk mund të mbështetet as nga Sajmir Tahiri, i cili, ndryshe nga Malaj, është në vigjilje të karrierës së tij politike, madje nuk humb rast për të rënë në sy. Ndodhi kjo për të dytën herë brenda kësaj të enjteje, kur pas incidentit me Malajn u ngrit të fliste për marrëveshjen e lëvizjes së lirë me Serbinë, por në fakt vajtoi vendimin e Gjykatës që e ka detyruar së fundmi të paguajë me 3.3 milionë lekë shpifjet ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, vajtim që shkaktoi ndërprerjen e seancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›