E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza reciproke

Partitë politike, Qeveria dhe ICO-ja reaguan pas përfundimit të protestës së Vetëvendosjes. Ekzekutivi përkrahu reagimin e policisë duke e quajtur lëvizjen e Albin Kurtit shkaktare të dhunës. LDK-ja dhe AAK-ja fajësuan Qeverinë për moszbatimin e mocionit të Kuvendit dhe kërkuan zbatimin e Kushtetutës edhe në Veri. Për protestën nuk foli Presidentja e Kosovës.

Kanë pritur përfundimin e protestës së Vetëvendosjes për të treguar qëndrimet e tyre.

E vetmja që nuk ka reaguar është Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila një ditë më parë ka thënë se nuk duhet të bllokohen rrugët e Kosovës.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, të shtunën, për disa orë tentoi të bllokojë dy pikat kufitare, me ç’rast u lënduan qytetarë e policë si dhe u arrestuan dhjetëra aktivistë.

Ashtu siç është pritur, Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë, me të cilën ka cilësuar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje si të dhunshme, kurse policinë e ka lavdëruar për profesionalizëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangen nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të Policisë së Kosovës, e cila me profesionalizëm është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën”, është shkruar në deklaratën e Qeverisë.

Edhe mbikëqyrësi i pavarësisë së Kosovës, Pieter Feith ka shprehur keqardhje për dhunën dhe i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të mos përdorë bllokimin e rrugëve për qëllime politike.

I ka këshilluar të përdorin institucionet për të kundërshtuar politikat e Qeverisë.

“Më vjen keq për protestën e sotme dhe dhunën e përdorur, duke parë skena të dhunshme që janë paraqitur në terren. Më duhet të shpreh keqardhje që deklaratat e ambasadorëve, deklarata ime, normalisht edhe e Qeverisë, duke marrë parasysh për mosmbajtjen e protestës dhe shmangien nga dhuna. Më vjen keq për njerëzit dhe policët e lënduar në protestë, por edhe për dëmet e shkaktuara nga protesta”, ka deklaruar Feith për RTK.

“Vetëvendosja i ka të gjitha mundësitë dhe format e hapura të kundërshtojnë politikën e Qeverisë. Protesta nuk është mënyra më e mirë për realizimin e politikave”, ka shtuar ai.

Por, Albin Kurti ka thënë se do të vazhdojë të protestojnë derisa Qeveria e Kosovës të mos e zbatojë vendimin e Kuvendit për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Për zbatimin e mocionit nga Qeveria, por edhe për mosbllokimin e rrugëve nga Vetëvendosja është deklaruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se Qeveria duhet t`i zbatojë vendimet e Kuvendit dhe të mos lejojë që ligjin ta marrin në duar partitë politike dhe qytetarët.

“Ne vlerësojmë se Qeveria është dashur të zbatojë mocionin e reciprocitete në bazë të mocionit që është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Lënia e mundësisë që partitë politike apo organizmi i qytetarëve të dalin dhe të mbrojnë këtë mocion është e patolerueshme. Përshkallëzimi i situatës është si pasojë e Qeverisë, e cila nuk i ka marrë hapat e duhur që të bëjë veprime në bazë të vullnetit të deputetëve”, ka thënë Isufi, për Express.

Ky deputet i Kuvendit i ka bërë thirrje Qeverisë të shtrije rendin dhe ligjin jo vetëm në Merdar dhe në Dheun e Bardhë, por edhe në Veri të Kosovës.

“Edhe në Veriun e Kosovës duhet të zbatohet Kushtetua e Kosovës, rendi dhe ligji. Ky është obligim i Qeverisë, ashtu siç është obligim që të zbatojë edhe marrëveshjen e reciprocitetit në kufijtë e Kosovës”.

Edhe Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se bllokimi i rrugëve nuk është zgjidhje. Por, ka thënë se Qeveria duhet të vetëdijesohet dhe të zbatojë vendimet e Kuvendit.

“Qëndrimi i LDK-së dihet dhe është shumë i qartë: Nuk e përkrahim bllokimin e rrugëve dhe është i papranueshëm sikurse është i papranueshëm edhe mosrespektimi i vendimeve të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë. Në ditët në vazhdim duhet të shohim zhbllokim të rrugëve edhe në Veri të Kosovës”, ka thënë Rugova.

Edhe dy partitë në pushtet, PDK dhe AKR e kanë kundërshtuar veprimin e Vetëvendosjes, duke e konsideruar të panevojshëm të jo të duhur për të shtyrë Qeverinë të zbatojë mocionin e Kuvendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›