Krye n’veti
Një ditë para aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur reagime të shumta kundër bllokimit të pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kundër nismës së Albin Kurtit kanë dalë Presidentja e Kosovës, vendet e Quinitit, përfaqësuesi i BE’së dhe partitë politike.
Por, edhe të premten, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se aksioni i saj për bllokimin e kufirit te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë do të ndodhë.
Megjithëkëtë, në një komunikatë të përbashkët, Ambasada e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Mbretërisë së Bashkuar dhe e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë thënë se bllokimi i rrugës është veprim antiligjor dhe i keq për imazhin e Prishtinës.
“Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit”, thuhet në reagimin e Quintit.
Këto ambasada e kanë drejtuar gishtin kah Vetëvendosje për çfarëdo që do të ndodhë më 14 janar, derisa kanë paralajmëruar se edhe KFOR’i dhe EULEX’i do të jenë në krye të detyrës.
“Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saj të planifikuara”, thuhet në këtë deklaratë.
Ambasadat e akredituara në Prishtinë ka thënë se asnjë parti politike nuk mund ta marrë zbatimin e ligjit në duart e veta, derisa kanë theksuar se bllokimi i rrugëve dhe i mallrave nuk është parim demokratik dhe nuk i shërben sundimit të ligjit.
“Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dalë kundër bllokimin të rrugëve dhe ka thënë se Vetëvendosje nuk i ka shterë të gjitha mundësitë e veprimit brenda institucioneve.
Thërras të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në deklaratën e Jahjagës.
Presidentja ka treguar se për çka ka nevojë Kosova.
“Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”.
Edhe Përfaqësuesi Special të Bashkimit Europian në Kosovë, Fernando Gentilini ka thënë se aksioni i paralajmëruar i Vetëvendosjes është i padobishëm për të ardhmen e Kosovës në BE.
“U bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e ndonjë prej këtyre lirive, për arsye se veprime të tilla do të përfaqësojnë vetëm kthim prapa në agjendën evropiane”, thuhet në deklaratën e Gentilinit.
Pavarësisht deklaratave kundër aksionit, udhëheqësit e Vetëvendosjes kanë mobilizuar 200 persona për t`u kujdesur në dy vendkalimet kufitare me Serbinë që protesta të mos eskalojë.
Në një konferencë për media, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se aksioni i Lëvizjes nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do ta bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.
Kurti u është përgjigjur akuzave të Kryeministrit se Vetëvendosja do të fundoset, duke thënë se Qeveria e Kosovës është rebeluar ndaj vendimeve demokratike.
“Konsiderojmë që Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk po e respekton rendin institucional. Qeveria thjesht po promovon anarki duke përzgjedhur në mënyrë arbitrare se cilat vendime, qëndrime e ligje të Kuvendit do t’i zbatojë e cilat jo”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, Vetëvendosje dhe Policia e Kosovës nuk janë pajtuar për bllokimin e rrugëve për lëvizjen e mallrave. Por, Albin Kurti thotë se të shtunën Serbia do të ndalet në Kosovë.
“Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj, ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë e deri te deklarata e qëndrimi dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit me të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare”, tha Kurti.
Pas Pack, edhe Lunacek kundër
Deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek ka thënë se aksioni i planifikuar i Vetëvendosjes e dëmton imazhin dhe rrugën e Kosovës drejt BE’së.
“Vërtet do të kërkoja nga Vetëvendosje që ta anulojë këtë aksion. Kjo nuk na ndihmon aspak neve në Bashkimin Evropian që e duam Kosovën më afër BE’së dhe Serbinë me marrëdhënie të mira me shtetin e Kosovës. Ky aksion nuk na ndihmon aspak drejt këtij qëllimi”, ka thënë Lunacek për R. Dukagjini.
Lunacek është eurodeputetja e dytë e cila bën thirrje që ky aksion të mos zhvillohet. Para pak ditësh edhe eurodeputetja Doris Pack aksionin e paralajmëruar “Serbia nuk kalon” e ka quajtur çmenduri.
AAK, kundër aksionit
Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë kundër aksionit të Vetëvendosjes, duke thënë se veprime të tilla nuk po bëhen për zgjidhjen e problemeve të Kosovës.
“Cenimi i lirisë së qarkullimit, bllokimi i rrugëve, mbyllja e vendkalimeve kufitare, tensionimi i mëtejmë i situatës politike në vend, synimi për të marrë ligjin në dorë, zhvendosja e përqendrimit të qytetarëve të Kosovës dhe e politikës kosovare në një të vetmen ngjarje çfarë është kjo e ditës së nesërme janë vetëm disa prej pasojave të këtij veprimi të Lëvizjes “Vetëvendosje””, thuhet në deklaratën e AAK’së.
Sipas AAK’së, në mënyrë të panevojshme është bëtë lajm aksioni i Vetëvendosjes në vend se të flitej për se çfarë po ndodh në veri të Kosovës, pse po dështon Qeveria e Kosovës në thuaja të gjitha segmentet e qeverisjes së vendit, pse po rritet pakënaqësia sociale.
Politikë me UÇK’në
Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje po shërben edhe për të treguar se kush ka qenë më patriot para dhjetë vitesh, në kohën kur është zhvilluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Polemikën e ka nisur Hashim Thaçi dhe e ka vazhduar Rexhep Selimi.
Kryeministri Thaçi, duke folur në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, ka thënë se dikujt i ka mbetur merak që kur ka qenë koha për të luftuar Serbinë, s’ka guxuar as ta veshë uniformën e UÇK’së.
Por, Rexhep Selimi ka thënë se Thaçi e ka humbur ekuilibrin e kujtesës “pasi shumicën e kohës së luftës ka qenë jashtë Kosove”.
“Kryeministri i Kosovës duket se e ka humbur ekuilibrin e kujtesës ose ekuilibrin psikik nganjëherë me deklarata të tilla. Përgjigjja më e mirë do të ishte kujtojeni 28 Nëntorin 1997, kujtojeni luftën në përgjithësi dhe është përgjigjja më e saktë. Unë nuk mund të them së zotëri Thaçi tani ka të drejtë t’ia mohojë apo t’ia lejojë se kush ka qenë dhe kush është dashtë për të qenë në luftë”, ka thënë Selimi.