Kurti: Jemi kundër shtetit të Serbisë, jo kundër serbëve

Kreu i kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti, edhe një herë u është drejtuar qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht atyre serbë, se aksioni i nesërm nuk është kundër tyre, por është kundër shtetit të Serbisë, e cila, sipas tij, me Kushtetutë dhe veprime të saja Kosovën e konsideron si pjesë të saj.
“Kjo protestë paqësore nuk është kundër serbëve, as kundër serbëve në përgjithësi, e as kundër serbëve të Kosovës në veçanti, përkundrazi, ne serbët e Kosovës i konsiderojmë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës dhe protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej kushtetutës së saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë e deri të deklaratat e qëndrimet dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit më të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane antishqiptare”, ka thënë ai
Sipas tij, reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian, shtetet e të cilit e njohin njëri-tjetrin dhe janë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
Kurti ka thënë se Qeveria nuk po e respekton rendin institucional dhe se me këtë ajo po promovon anarki duke përzgjedhur në mënyrë arbitrare se cilat vendime të Kuvendit do t’i zbatojë e cilat jo.
Ai e ka konsideruar vendimin e Kuvendit të Kosovës të 7 dhjetorit si të rëndësishëm dhe se ai duhet të zbatohet.
Ndërsa, Rexhep Selimi nga po kjo Lëvizjeje, aksionin e 14 janarit e ka cilësuar si një shans të mirë për qeverinë e Kosovës që të rreshtohet në anën e drejtë dhe përkrah interesave të qytetarëve të saj.
“Pra më datën 14 edhe qeveria e Kosovës e ka një shans që të rreshtohet në anën e drejtë të qytetarëve të saj, në anën e interesave të qytetarëve të saj apo të rreshtohet në anën e interesave politike, ekonomike, strategjike të Serbisë”, ka thënë Selimi.
Ai ka shtuar se protesta do të jetë e qetë dhe se asnjë aktivist i Vetëvendosjes nuk do ta provokojë Policinë e Kosovës dhe as situatën në përgjithësi.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët se si e komenton faktin se asnjëra nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë shprehur përkrahje për aksionin e 14 janarit kur dihet se vetë Selimi ka qenë pjesë e kësaj ushtrie, ai ka thënë se nuk po shkojnë në luftë, duke e cilësuar aksionin edhe si vazhdim të idealit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk po shkojmë në luftë në Merdarë dhe në pikën Dheu i Bardhë. Ne atje po shkojmë ta ndalim Serbinë, madje mund të themi që ne po vazhdojmë vetë idealin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta jetësojmë edhe këto 12 vite pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje të shtunën pritet të dalë në dy pikat kufitare, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, për t’i bllokuar mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo, sipas tyre, do të bëhet për ta zbatuar vendimin e Kuvendit të Kosovës të 7 dhjetorit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, të cilin, qeveria e Kosovës nuk po e përfill.
Selimi: Thaçi e ka humbur ekuilibrin e kujtesës
Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje u është përgjigjur deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke komentuar aksionin e paralajmëruar të Lëvizjes Vetëvendosje, pati deklaruar se dikujt i ka mbetur merake që kur ka qenë koha për të luftuar Serbinë, s’ka guxuar as ta vesh uniformën e UÇK-së. Me këto deklarata, ka thënë Selimi, kryeministri e ka humbur ekuilibrin e kujtesës.
Selimi ka thënë se përgjigjen më të saktë për këto deklarata e japin 28 Nëntori i vitit 1997 dhe lufta në përgjithësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kryeministri i Kosovës duket se e ka humbur ekuilibrin e kujtesës ose ekuilibrin psikik nganjëherë me deklarata të tilla. Përgjigjja më e mirë do të ishte kujtojeni 28 Nëntorin 1997, kujtojeni luftën në përgjithësi dhe është përgjigjja më e saktë. Unë nuk mund të them së zotëri Thaçi tani ka të drejtë t’ia mohojë apo t’ia lejojë se kush ka qenë dhe kush është dashtë për të qenë në luftë”, ka thënë Selimi.
Madje, ai edhe ka ironizuar me Thaçin duke u shprehur se kryeministrit edhe mund të mos i kujtohen të gjitha gjërat, pasi që ai në shumicën e kohës nuk ka qenë në Kosovë.
Sipas tij, populli shqiptar i Kosovës ka qenë në luftë dhe se protagonistët e saj, kryeministri nuk mund t’i marrë dhe t’i çojë as në qeveri e as në PDK.
“Populli shqiptar i Kosovës ka qenë në luftë dhe protagonistët e saj nuk mund t’i marrë me vete dhe t’i çojë as në qeveri, as në PDK. Ata zgjedhin ku do të jenë vetë dhe unë jam njëri prej tyre që kam zgjedhur të jem kështu i vendosur me projektin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kjo është përgjigjja më e mirë se a kemi guxuar apo nuk kemi guxuar të bëjmë luftë. Atje ndoshta nuk mund të thirret në kujtesë, sepse ai edhe mund të mos i kujtojë të gjitha gjërat për shkak se në shumicën e kohës nuk ka qenë prezent në Kosovë dhe nuk mund të thirret as në kujtesën e tij”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur ditë më parë ka deklaruar se ata që dikur e kanë refuzuar uniformës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash po dalin dhe po shiten si patriotë, duke e quajtur Lëvizjen Vetëvendosje si “vetëfundosje”.
"Vetëvendosje" e vendosur për protestën
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nesër, duke filluar nga ora 13, bashkë me qytetarë dhe organizata të ndryshme, do të bllokojë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, përkatësisht mallrat që do të tentojnë të hyjnë në Kosovë.
Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, në një konferencë për media, bëri të ditur se protesta e nesërme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por vetëm hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
“Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën, kanë marrëveshje për tregtinë e lirë, siç është rasti me Kosovën dhe Serbinë”, tha Kurti.
Kurti tha se protesta e nesërme nuk është kundër serbëve as të Serbisë e as të Kosovës, por është kundër Serbisë.