Draskovic lobon për Ahtisaarin

Ish–Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe lideri i Partisë serbe të Ripërtëritjes (SPO),Vuk Draskovic ka theksuar se ideja e Presidentit të Serbisë, Boris Tadic për një ofensivë diplomatike rreth një marrëveshjeje mbi statusin e Kosovës nuk ka shanse të mëdha që të ketë sukses.
”Shanset për marrëveshje për statusin e Kosovës jo që të nuk janë “të mëdha”, por nuk ekzistojnë, prandaj duhet ndalur mullirin që nuk bluan asgjë. Negociatat për statusin e Kosovës (me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve më të larta në Beograd dhe Prishtinë, si dhe fuqitë e mëdha, OKB dhe BE), përfunduan në vitin 2007. Me autorizimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ato bisedime, në pajtim me Rezolutën 1244 të KS OKB-së, i ka udhëhequr ish-Presidenti finlandez, Marti Ahtisaari”, ka thënë Draskovic në një shkrim autorial për gazetën beogradase “Blic”.
Sipas tij, dokumenti tij është pranuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, NATO-s dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, por jo Këshilli i Sigurimit të OKB-së, sepse Rusia ka kërcënuar me të drejtën e vetos, me arsyetimin se e mbështet Serbinë, përkundër faktit se ata dhe përfaqësuesit e tyre morën pjesë në procesin e bisedimeve të udhëhequra nga Marti Ahtisaari.
Draskovic ka rikujtuar po ashtu se Kosova ka shpallur pavarësinë duke u thirrur në Rezolutën 1244, derisa GJND-ja ka theksuar se me këtë rast nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare.
“Serbia këto fakte nuk mund t’i ndryshojë. E, as nuk mund të ndryshojë realitetin se në Kosovë sot jetojnë afro 1.8 milion shqiptarë dhe diçka më shumë se 100 mijë serbë, ndërsa dy të tretat e tyre janë në jug të Ibrit, ku e kemi tërë trashëgiminë kombëtare dhe shpirtërore”, ka shtuar ai.
Kreu i SPO-së ka thënë se pjesa jostatutore e dokumentit të Ahtisaarit, që përcakton të drejtat e serbëve dhe statusin e trashëgimisë serbe në Kosovë, janë baza më e mirë dhe e vetme e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së, pa njohje formale të Kosovës si shtet sovran.
“Pushteti i komunave dhe institucioneve serbe - nga shkollat dhe spitalet e deri te gjykatat dhe policia lokale serbe – janë përtej standardeve ekzistuese europiane. Për komunat në veri të lumit Ibër është siguruar edhe autonomi shtesë. Është garantuar ndërlidhja e të gjitha komunave dhe institucioneve serbe në Kosovë, si dhe ndërlidhja e tyre me shtetin e Serbisë, që ka të drejtë që me dëshirën e saj të ndihmojë me para apo mjete të tjera komunat serbe dhe të gjitha institucionet serbe në Kosovë, me obligimin kryesor që ndihma të jetë publike dhe të dihet se kujt çka i jepet”, ka thënë ai.
“Gjuha serbe dhe shkrimi cirilik, bashkë me shkrimin latin shqip, përdoren zyrtarisht në tërë territorin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, serbëve u garantohen së paku 10 mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës, ndërsa po të dilnin në zgjedhje të gjithë ata që janë tash në Kosovë dhe ata që e kanë braktisur pas qershorit 1999, serbët do t’i kishin 30 deputetë, pra tri të katërt e numrit të përgjithshëm të deputetëve në parlamentin e Kosovës”, ka shtuar Draskovic.
Draskovic ka shkruar edhe për situatën në Veri.
“T’i përgjigjemi pyetjes: si bën që serbët në veri të lumit Ibër, duke pranuar Dokumentin e Ahtisaarit, pranojnë të marrin “më pak se që kanë sot”? Shumica dërrmuese e njerëzve do të merrnin më shumë, sepse të gjitha institucionet serbe do të financoheshin nga buxheti i Kosovës, ndërsa ndihma nga buxheti i Serbisë nuk do të përfundonte te kriminelët dhe kontrabanduesit. Do të humbnin vetëm ata me të cilët lidhet “rrjeti patriotik” i përfituesve në Beograd. Në Veri do të ringjalleshin edhe ligjet, të cilat nuk ekzistojnë që 12 vjet, prandaj ai rajon ngjan në kafenenë e kontrabandës "Casablanca", nga filmi me të njëjtin emër”, ka shtuar ai.