Akuzat, Berisha: Rama mafioz. Ruci nuk është burrë
Kryeministri Sali Berisha ashpërson tonet ndaj liderit të opozitës. Për Rucin: Ai është veshur me fustan grash. Ai nuk zgjodhi të vishte as fustanellën, por zgjodhi minifund"
TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, nuk shpreh asnjë keqardhje për deklaratat dhe qëndrimin jo etik të mbajtur pak ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, ndaj Edi Ramës dhe familjes së tij.
Në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha ka dalë në të njëjtën orë kur Rama po zhvillonte një tjetër aktivitet të rëndësishëm, për fetën e 29 Nëntorit, për t'i treguar këtij të fundit se nuk i vjen aspak keq për atë që ka thënë.
"Unë shpreh vetëm keqardhje, sepse unë jam ndalur dhe, në mënyrë absolute, pa asnjë refleks sentimental personal, në disa akte madhore të turpshme, primitive, të pa pranueshme për çdo njeri të qytetëruar, shqiptar ose jo shqiptar, të realizuara nga kryetari i opozitës.
Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare. Absolutisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë qëllim tjetër. Por zëri im, absolutisht nuk do të mund të heshte para akteve të tilla",- tha
dje Berisha.
Mafia
Nëse do t'i referohemi fjalës së kryeministrit se ai e kishte toleruar mafien vetëm që Rama të futej në zgjedhje, atëherë duhet thënë me plot gojën se kreu i ekzekutivit ka shkelur ligjin dhe ka thyer premtimin kryesor, që ai ka sa i përket luftës kundër korrupsionit.
"Edi Rama nuk donte kurrë të hynte në zgjedhje. Ju jeni dëshmitarë se çfarë bëri në vitin 2007. Mirëpo mua ma kishte "thyer njëherë vazon", duke mu larguar nga zgjedhjet 2 orë para, në vitin '96.
Nuk ishte çështja personale, por ishte çështja e vendit, çështja e juaj, çështja e çdo qytetari shqiptar. Ndaj unë, e dija se ky zotëri, çdo qëndrim timin do ta përdorte për të mos u futur në zgjedhje. Ju mund të më thoni se punë e madhe, po nuk futej ai në zgjedhje. Përse ti paske toleruar këtë mafie? Jo, ishte gjëmë e madhe nëse ai nuk futej në zgjedhje.
Atëherë çfarë bëra unë?. Unë zgjodha sovranin",- tha Berisha, duke shtuar se kryesocialisti Rama drejton mafien më të rrezikshme. "Kthehuni pak pas në kohë. Kur kam qenë në opozitë, kam deklaruar se kjo është lavatriçja më e madhe e parave në Ballkan. Të jeni të bindur se e kam bërë me bindjen time më të thellë",- vijoi ai.
Ruci
Kryeministri i vendit nuk ka kursyer dje edhe një tjetër funksionar të lartë të PS-së, Gramoz Rucin. "Zgjidhja ime ishte kjo; të bëj çdo gjë që zotëria të mos arrijë ta thyejë për së dyti vazon, siç e theu Gramoz Ruçi në vitin 1996. A e dini ju që Gramoz Ruçi, pasi bëri bojkotin, është larguar me rroba grash për në Greqi, apo jo?
Ai është veshur me fustan grash, prandaj unë thashë atë ditë për të "ky është një qen i rrahur", sepse burri që ikën me rroba grash, nuk bëhet më kurrë burrë. Se ai nuk zgjodhi të vishte as fustanellën, por zgjodhi minifund. Është i fotografuar, por është pjesë intime dhe nuk e nxjerrin",- u shpreh kryeministri i vendit.
Bashkëpunimi
Kryeministri Berisha është tepër kontradiktor, në atë që ai shpreh. Njeriut, të cilin ai e akuzon se drejton mafien më të rrezikshme në vend, dje i ka shtrirë dorën për bashkëpunim."Unë kam bërë dhe bëj zero interferencë në një forcë tjetër politike, cilado qoftë ajo. Dhe këtë gjë e kam faktuar. Nuk dua të ndërhyj në forcat e tjera politike, as në PS e në asnjë forcë tjetër politike.
Së dyti, aq sa jam i vendosur të bashkëpunoj me opozitën, aq jam i vendosur të luftoj mafien. Zotëri: Vazon që theve në vitin '96, nuk e thyen dot tani, sepse ai skenar ishte tmerrësisht i diskretituar, tani Shqipëria ishte në kushte të tjera",- tha ai.
Mandatet
Sa i përket mandateve të deputetëve të PS-së, Berisha shtoi se mbi ta do të veprojë Kushtetuta në rast se nuk bëhen pjesë e Kuvendit. "Katër aventurierë, të dalë jashtë parlamentit nga sovrani, mbajnë 64 deputetë të votuar jashtë parlamentit. Sigurisht që ne do të marrim vendimet tona.
Duhet ta kemi të qartë këtë gjë. Ne do të zbatojmë Kushtetutën. Në qoftë se këta zotërinj marrin përsipër të dhunojnë çdo ditë Kushtetutën, sepse janë pa betim, nuk e kanë bërë këtë, lexoni nenin e Kushtetutës. Është mirë që t'i hetoni gjërat dhe t'ua thoni shqiptarëve.
Kushtetutën ne do ta zbatojmë. Ata që duan të bashkohen me këta 4-5, të cilët i ka ndëshkuar sovrani që i nxori me 0.3 për qind apo 0.9 për qind, le të bashkohen. Ka shumë të tjerë që duan të hyjnë në parlament",- tha ai.
Festa, Xhufi: Shqiptarët u ndanë në dy popuj
TIRANË- Duke iu referuar festës së 29 Nëntorit, në konferencën e organizuar dje nga Partia Socialiste, me temë: "Nga Antifashizmi në Demokraci Funksionale", historiani Pëllumb Xhufi deklaroi se edhe kësaj here shqiptarët u ndanë në dy popuj, në popullin e madh, të shqiptarëve europianë, që respektojnë historinë e tyre dhe respektojnë të rënët e tyre dhe në popullin e vogël dhe gjithnjë më të vogël të atyre, që refuzojnë sot e kësaj dite t'ia lejojnë vetes luftën e madhe antifashiste nacional çlirimtare të popullit shqiptar. "Në këtë rrugë të fundit dihet që janë pinjollët e segmenteve kolaboracionaliste të shoqërisë shqiptare.
Por janë edhe disa segmente të reja që i ka pjellur historia e ditëve tona. Janë politikanë, shtetarë, pushtetarë, të cilët janë pjekur dhe janë formuar në kohën e revolucionit kulturor, pra janë ata drejtues punisto-lejfenist të cilët sot drejtojnë Shqipërinë.
Por janë edhe disa produkte të reja të tranzicionit, produkte të deformuara të tranzicionit shqiptar. Të dy këto grupime të vogla, janë të lidhura siç dihet me grupe të tjera të dyshimta të shoqërisë shqiptare, dhe përbëjnë sëbashku grupin e trafikantëve të votave, të trafikantëve të pushtetit, të trafikantëve të naftës, të trafikantëve të armëve, të trafikantëve deri te varrezat edhe të kufijtë",- tha dje Xhufi