"Prokuroria mund të kërkojë imunitetin e Mediut"
Konstitucionalisti shpjegon hapat ligjorë në dosjen e "Gërdecit", përse u përjashtua ministri Fatmir Mediu nga gjykimi dhe çfarë duhet të bëjë prokuroria për të rifilluar çështjen
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i ka të gjitha mundësitë ligjore, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që të kërkojë sërish nga Kuvendi heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit.
Në këtë konkluzion ka arritur konstitucionalisti Njazi Jaho, pas studimit të vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që pushoi procedimin penal ndaj ish-ministrit Mediu për tragjedinë e Gërdecit.
Ka afro dy muaj që Gjykata e Lartë ka vendosur pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu. Sipas vendimit të Gjykatës, meqë ai u zgjodh deputet në Kuvendin e ri, autorizimi i mëparshëm që lejonte ndjekjen e tij penale, mbetet pa fuqi.
Në aspektin ligjor të problemit a do të thotë kjo se ndjekja penale ndaj tij, nuk mund të rifillojë?
Në Vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, pushimi i procedimit penal ndaj z.Fatmir Mediu arsyetohet si më poshtë: "Zgjedhja e të pandehurit si deputet dhe mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të ri të Shqipërisë për këtë person është një nga rrethanat ligjore të parashikuara nga neni 290/1 të Kodit të Procedurës Penale, në bazë të të cilit, ndjekja penale e filluar nuk mund të vazhdojë".
Kjo do të thotë se autorizimi i miratuar nga Kuvendi i mëparshëm që lejonte ndjekjen penale ndaj tij, pas zgjedhjes së z. Mediu si deputet i legjislaturës të XVIII të Kuvendit kishte humbur fuqinë e tij juridike". Nuk e shikoj të nevojshme të zgjatem me argumentet e tjera që paraqiten në vendimin e Gjykatës në mbështetje të konkluzionit se çështja e procedimit ndaj tij duhet të pushonte.
Por pavarësisht nga kjo, për t'iu përgjigjur pyetjes suaj, nëse ndjekja penale ndaj z. Mediu mund të rifillojë ose jo, del nevoja t'i referohem nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, madje ta citoj atë në tërësi.
Në këtë nen thuhet: "Vendimi i mos fillimit të procedimit, i pushimit apo i pafajësisë të dhënë për shkak të mungesës së ankimit ose të autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin person, në qoftë se më pas bëhet ankim, jepet autorizim ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshme autorizimin". Pushimi i procedimit penal nga z.Mediu u kushtëzua nga mungesa e autorizimit që duhej miratuar nga Kuvendi i ri.
Ushtrimi i ndjekjes penale nuk do të pengohej nëse në Gjykatë do të paraqitej një autorizim tjetër i miratuar nga Kuvendi i porsazgjedhur për të njëjtin person (që në rastin konkret është z.Mediu) dhe për të njëjtin fakt (d.m.th. me të njëjtën akuzë që ai ishte proceduar). Nga sa u tha më lart, del se ndjekja penale mund të vazhdojë nëse prokuroria do të kërkonte nga Kuvendi autorizim të ri për ndjekjen penale të z.Fatmir Mediu.
Këto dy muaj, a ishin të mjaftueshme për Prokurorinë që ajo t'i drejtohej Kuvendit me një kërkesë të tillë?
Për këtë duhet pyetur prokuroria, supozime nuk mund të bëj. Për mendimin tim, neni 292 i Kodit të Procedurës Penale legjitimonte Prokurorinë t'i kërkonte Kuvendit heqjen e imunitetit duke përmendur edhe vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që kishte vendosur pushimin e procedimit penal për shkak të mungesës së autorizimit të ri.
Përfaqësuesit e Prokurorisë në seancën e datës 14.09.2009 lidhur me kërkesat paraprake të avokatëve të të pandehurit, u shprehën se autorizimi i mëparshëm ishte i vlefshëm.
Mos vallë, shkaku që deri më sot prokuroria nuk ka kërkuar nga Kuvendi një autorizim të ri, është mospajtimi me Vendimin e Gjykatës?
Nuk besoj. Prokurori është palë në procesin penal. Është e drejta e tij që të paraqesë prova dhe të ketë pretendime, ashtu siç është edhe e drejta e Gjykatës t'i vlerësojë ato dhe të vendosë pranimin ose refuzimin e tyre. Veç kësaj, duhet pasur parasysh se vendimi i Kolegjit të Gjykatës së Lartë është i formës së prerë.
Në seancën gjyqësore të 14 Shtatorit 2009, avokatët e Z. Mediu i kërkuan Gjykatës që të vazhdonte gjykimin, sepse kjo ishte në interesin e të mbrojturit prej tyre, por Gjykata nuk e mori parasysh këtë kërkesë. Në këto kushte çfarë e pengonte Gjykatën të vazhdonte gjykimin?
E pengonin ato dispozita ligjore dhe ai arsyetim që përmenden në vendimin e saj. Kërkesa e përfaqësuesve të të pandehurit, mendoj se ishte kryesisht e natyrës deklarative, ndryshe ata do të duhej t'i referoheshin ndonjë dispozite ligjore.
Ajo ishte një kërkesë deklarative sidomos për faktin se Gjykatës ata i paraqitën dokumente që vërtetonin faktin se z. Mediu ishte zgjedhur deputet në legjislaturën e XVIII, se në mbështetje të këtyre dokumenteve, siç thuhet në vendimin e Gjykatës, ata u shprehën se: "Pas zgjedhjes së të pandehurit Fatmir Mediu deputet, organi i prokurorisë nuk ka paraqitur kërkesë për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë", se: "nga ana e Kuvendit nuk është lëshuar autorizim për të lejuar ndjekjen penale...pasi ai ka marrë mandatin e deputetit".
A kishte të drejtë Gjykata ta ndërpriste gjykimin dhe t'i drejtohej vetë Kuvendit për të kërkuar autorizim të ri?
Jo, nuk e kishte këtë të drejtë. Një të drejtë të tillë e ka organi i prokurorisë. Prokuroria, sipas Kushtetutës, është i vetmi organ i ndjekjes penale, ndërsa Gjykata është organ që realizon me paanshmëri dhënien e drejtësisë, ndryshe do të cenohej pavarësia dhe paanshmëria e saj. Në pikën 1 të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale thuhet: "Kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesë në organin përkatës".
E shikojmë të nevojshme të theksojmë se megjithëse në nenin 290/1 të Kodit të Procedurës Penale përmendet shprehja: "ndjekja penale nuk mund të vazhdojë" (një nga rastet është edhe ai i mungesës së autorizimit), kjo mendoj se është e barazvlefshme me shprehjen "ndërpritet", sepse mungon autorizimi.
Po Gjykata, a mundet që në vendimin e saj të urdhëronte prokurorinë që të kërkonte autorizim nga Kuvendi i ri për ndjekje penale ndaj Fatmir Mediut?
Jo nuk mundej. Gjykata nuk e ka këtë të drejtë. Ajo, siç u tha më lart, duhet të respektojë pavarësinë e saj. Në asnjë rast dhe në asnjë vendim ajo nuk duhet të tregohet e njëanshme ose të paragjykojë ecurinë e procesit gjyqësor.
Por pavarësisht nga kjo, po të lexosh me vëmendje vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të nuk bëhet fjalë as për elemente fajësie apo pafajësie të z. Mediu, por për mungesë të autorizimit që e bën të domosdoshëm mos vazhdimin e gjykimit.
Në vendim thuhet se" "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se ai ndodhet në pamundësi për t'i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizim për vazhdim të ndjekjes penale të të pandehurit Fatmir Mediu" dhe më poshtë: "Të drejtën për të kërkuar këtë autorizim e ka vetëm prokurori".
Kjo do të thotë se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vazhdimin e ndjekjes penale ndaj z. Mediu e kushtëzon me faktin nëse Kuvendi i ri do të miratonte autorizimin për ndjekjen penale sipas kërkesës së prokurorit.
A ka ndonjë nen apo ligj që të pengojë prokurorinë që të kërkojë nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut?
Në rastin konkret mendoj se nuk ka ligj apo ndonjë dispozitë ligjore që të pengojë Prokurorinë t'i kërkojë Kuvendit autorizim për ndjekje penale. Nëse do të kishte ndonjë pengesë të tillë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të vendoste ose pushimin e çështjes për mungesë të elementëve të krimit, (por ky vendim mund të merrej pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha provave të çështjes), ose pushimin e çështjes për shkak se "ligji" pengonte kërkesën për miratimin nga Kuvendi i ri të një autorizimi tjetër, (në fakt gjykata vendosi pushimin e vazhdimit të gjykimit për shkak të mungesës së këtij autorizimi).
Në sqarimet tuaja, ju i referoheni Vendimit të Gjykatës së Lartë dhe Kodit të Procedurës Penale. Këto i njohin edhe prokurorët. Si shpjegohet vonesa për të kërkuar nga Kuvendi një autorizim të ri?
Pjesës së parë të pyetjes tuaj i përgjigjem: padyshim që i njohin, madje më mirë se mua sepse Kodin e Procedurës Penale ata e kanë çdo ditë në tavolinën e punës, ndërsa për vonesën nuk më takon mua të jap sqarime.
Drejtues të maxhorancës parlamentare kanë deklaruar se ata janë të gatshëm të miratojnë çdo kërkesë të prokurorisë për ndjekje penale të çdo deputeti.
Deklarata të tilla a nuk duhet të inkurajojnë prokurorinë që t'i dërgojë Kuvendit heqjen e imunitetit të z.Mediu?
Kam mendimin se këto deklarata politike mund të jenë objekt diskutimi dhe debati për ndryshime në legjislacionin përkatës, në radhë të parë të nenit 73 të Kushtetutës, por jo inkurajim për prokurorinë që të mos hezitojë për t'i dërguar Kuvendit kërkesa për heqjen e imunitetit.
Prokuroria, siç dihet, në raste të tilla është e detyruar të zbatojë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa Kuvendi miraton ose refuzon dhënien e autorizimit, nenin 118 të rregullores së tij.