E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandatet e PS-së, Berisha: Do të zbatohet Kushtetuta

"Të ngrihesh sot e të thuash se nuk më duhen ndërkombëtarët, ndërkohë që po të mos votonin 27 qeveritë e vendeve të BE-së nuk do të pranohej shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, që është projekti ëndërr i 94% të shqiptarëve", theksoi Kryeministri.

 "Nëse Rama,- vijoi ai,- nuk i do ndërkombëtarët, shqiptarët i duan dhe mezi presin heqjen e vizave, e cila është tërësisht në dorë të tyre. Si Kryeministër, kam kërkesa nga më të shumtat nga familjarë të sëmurë, të cilëve fëmijët e tyre janë gati t'iu përballojnë të gjitha shpenzimet për mjekim, por ata nuk udhëtojnë dot pa viza", nënvizoi kryeministri Berisha.Ai theksoi se Ramës nuk i duhen ndërkombëtarët, pasi mafia ka vetëm interesa kriminale.

 "Interesat e saj kriminale janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurencës etj. Mirëpo këto kanë marrë fund. Ne kemi shpallur përparësi absolute darët e ligjit për dhëmbët, dhëmballët e nofullat e mafies", tha Kreu i Qeverisë.  Ai iu rikthye edhe njëherë çështjes së zgjedhjeve duke komentuar pretendimet e opozitës për hapjen e kutive të votimit.

"Zgjedhjet morën certifikimin e ndërkombëtarëve si kurrë më parë, duke u vlerësuar të lira e të ndershme. Ne do të vazhdojmë të ftojmë opozitën të hyjë në Kuvend, por nuk mund të pranojmë të shkelim mbi vendimin e gjykatave", konfirmoi Kryetari i Qeverisë, ndërsa shtoi se për mandatet e deputetëve socialistë do të zbatohet Kushtetuta.

"Opozita është në momentin e saj më fatkeq kur katër aventurierë të dalë jashtë parlamentit nga sovrani, mbajnë peng 64 deputetë të votuar. Por, dhe ne do të marrim vendimet tona. Ne do të zbatojmë Kushtetutën. Nëse këta zotërinj, që janë pa betim, marrin përsipër të dhunojnë kushtetutën, parlamenti dhe KQZ do të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit", theksoi kryeministri Berisha gjatë konferencës së sotme për shtyp.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›