E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova mes zgjedhjesh

Partia e ish presidentit Ibrahim Rugova, LDK-ja, edhe pse ka dalë e humbur në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, i ka dhënë politikës kosovare një figurë tjetër të rëndësishme: Kryetarin e rikonfirmuar të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.


Dy vjet më parë ai kishte mundur, vetëm nëpërmjet balotazhit, një prej ikonave të ish UÇK-s, Ministrin e sotëm të Transporteve, Fatmir Limaj. Kësaj here Mustafa ka triumfuar lehtësisht me rezultat të thellë përballë tre kandidatëve konkurentë, duke shpëtuar kështu nderin e LDK-s.


Për nga mënyra se si është shfaqur në politikë, për nga qetësia që e karakterizon, për nga saktësia në shprehje dhe për nga besimi që ka fituar, Isa Mustafa mund të konsiderohet si sozia politike e Ibrahim Rugovës. Si i tillë ai, pa pikë dyshimi, mund të jetë lideri më i pranueshëm i LDK-s.


Jashtë çdo logjike politike LDK u përfshi në koalicionin qeveritar, edhe pse kish humbur zgjedhjet, duke e çuar veten drejt degradimit elektoral. Fatmir Sejdiu është përgjegjësi kryesor për këtë orientim.


Ai erdhi në krye të shtetit të Kosovës, i përzgjedhur si pika e ekuilibrit të brendshëm në LDK. Por shumë shpejt ju vu punës për ti marrë të gjitha. Pasojë e këtij epshi politik ishte çarja e parë e fortë e LDK-së dhe më tej humbja e zgjedhjeve.


Ambicja e Fatmir Sejdiut për të zëvëndësuar në mënyrë krejt artificiale figurën e Ibrahim Rugovës, e më pas për të qenë protagonist në procesin e njohjes së pavarsisë, i ka kushtuar LDK-s gjysmën e elektoratit të saj.


LDK ndodhet sot në një qeveri brenda së cilës nuk ka asnjë lloj force për të diktuar dhe asnjë shans për ta shfrytëzuar në favor të përforcimit të saj.


Prej 2-3 vitesh LDK-ja po paguan faturën e etjes së njeriu, që ishte kurrëkushi, për tu bërë gjithëkushi, për tu fotografuar në ngjarjet kryesore të një historise që e kishin bërë të tjerët. Ky është i gjithë thelbi i asaj që ka ndodhur.


Dhe ja ku jemi. Me pozicionin që ka adoptuar LDK-ja rrezikon të shpërbëhet edhe më tej. Falë Prishtinës, ku ka pasur një kandidat të papërfshirë në çorbën e saj, ndryshe ajo do kishte degjeneruar në një parti dytësore pa vlerë.


LDK-ja nuk ka arritur të mësojë nga gabimi i PDK-s së Thaçit e cila, në mandatin e parë legjislativ, pas luftës, u përfshi në koalicionin qeverisës edhe pse kish humbur zgjedhjet. Kjo gjë i kushtoi asaj humbjen sërish në zgjedhjet e dyta. Pozicioni i fortë opozitar i PDK-s në legjislaturën e dytë, falë edhe çarjes së LDK-së në dy fronte (pas vjdekjes natyrore të Rugovës), e solli atë në pushtet.


Kosova mund ti kishte përcjellë ngjarjet më të rëndësishme të saj edhe nëpërmjet lojës pozitë-opozitë, madje më mirë. Shoqëria mund të ishte më e pastër. Reduktimi i opozitës në një thelë kaposhi, pa numër deputetësh, ka përsëritur një shumicë bashkëfajtore për shumë gjëra.


Spektri i politikës së sotme kosovare nuk është i zakonshëm për vendet Europiane. Si rrallë ndokund pesë parti politike kanë kanë mbështetjen e të paktën 10% të elektoratit, duke e bërë të vështirë qeverisjen. Sistemi elektoral i Kosovës është proporcional kombëtar me prag 5%.


Në Kosovë akoma nuk janë ravijëzuar qartazi e majta dhe e djathta. Kundërshtarët kryesorë të momentit nuk janë dy partitë më të mëdha por partitë e origjinës së njëjtë PDK me AAK që vijnë me mbështetje nga lufta, e që simbol kanë Adem Jasharin dhe LDK me LDD që vijnë me mbështetja nga krahu pacifist, e që simbol kanë Ibrahim Rugovën. Partia e krijuar së fundi nga biznesmeni Bexhet Pacolli mbështetet më tepër nga krahu pacifist i zhgënjyer nga politikanët e vjetër.


Gjëja që bie në sy në dinamikën e politikës kosovare ka të bëjë me fatin e LDK. Nuk ka diskutim se me këtë stanjacion, me këtë bllokim në krye të saj, (ku Presidenti është njëokohësisht edhe kryetar partie!) LDK-ja do të jetë kthyer në një gërmadhë politike, do të ketë mbetur thjeshtë një histori.


Më këtë pozicion LDK nuk ka asnjë shans të jetë parti e parë në pushtet. Rithemelimi në krye i LDK dhe kalimi i saj në pozicion të fortë opozitar është e vetmja mundësi që ajo të kërkojë lavdinë e dikurshme. Spektri ekzistues është shansi i Hashim Thaçit, partia e të cilit për momentin mbetet më e konsoliduara.


Më shumë se këdo tjetër zgjedhjet e 15 nëntorit shpërblyen AAK-në e Ramush Haradinajt për shkak të pozicionit të fortë opozitar të tij. Që do të thotë shpërblyen opozitën e vendosur.


PDK e Hashim Thacit ka ruajtur pak a shumë po ato kuota, ndërsa LDK e Fatmir Sejdiut ka shfaqur shenja degradimi të mëtejshëm. Përparim ka shënuar edhe AKR-ja e Bexhet Pacollit ndërsa LDD-ja e Nexhat Dacit ka mbetur në kuotat e mëparshme.


Në Kosovë pritet të zhvillohen balotazhet ndër të cilat spikasin komunat kryesore si Prizreni, Mitrovica, Peja dhe Gjilani. Raundi i dytë do të tregojë preferencat e partive në krijimin e aleancave lokale përmes kontradiksionesh. Në shumicën e komunave, rivalizojnë dy partitë e koalicionit qeverisës PDK dhe LDK.


Kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e të gjitha partive të tjera për të marrë revanshin e raundit të parë. Koalicionet fluide lokale e lanë Kosovën për disa orë pa qeveri pas një vendimi të papritur që u mor, dhe u tërhoq nga PDK-ja, për prishje të koalicionit qeverisës me LDK. Kontradiksionet e rreshtimit në spektër mund ta shoqërojnë Kosovën edhe për një kohë të gjatë.


Kosova ndodhet sot mes disa lloj zgjedhjesh, ndër të cilat janë: balotazhi i zgjedhjeve vendore, e ardhmja e kreut të LDK-s, a ardhmja e koalicionit PDK-LDK, koha e zgjedhjeve paralmentare dhe, më e rëndësishmja, pozicionet programore të partive në spektrin politik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›