E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi kërkon verifikimin e diplomave të Ndokës

 

TIRANË- Kryetari i LDK-së dhe deputeti Nikollë Lesi i ka kërkuar dje ministrit të Arsimit, Genc Pollo, që të verifikojë diplomat e shkollës së mesme dhe të lartë të Ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. "Bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht në nenin 94, kërkoj nga zoti Genc Pollo, ministër i Arsimit dhe Shkencës, të më përgjigjet me shkrim për këtë problem: A ka zoti Nard Ndoka, Ministër i Shëndetësisë, Dëftesë të Shkollës së Mesme? Ku e ka mbaruar nëse e ka mbaruar, dhe çfarë verifikimi keni bërë ju si ministër për diplomat false të politikanëve? Më vini në dispozicion dokumentet e shkollës së mesme të zotit Ndoka",- thuhet në kërkesën zyrtare të depozituar dje nga deputeti Nikollë Lesi. Një deklaratë thuajse të përafërt ka dhënë pak kohë më parë edhe ish-kryetari i grupit parlamentar i PDK-së, Pashk Ujka, qëndrim të cilin Ndoka e hodhi poshtë pas kthimit të tij nga një vizitë jashtë vendit. Ndërkohë, në bazë të nenit 94 të Rregullores së Kuvendit, ministri i Arsimit, Genc Pollo duhet të përgjigjet me shkrim brenda tre javësh nga data e marrjes së kërkesës së deputetit Nikollë Lesi. Në rast se nuk jepet përgjigje brenda kohës së përcaktuar sa më sipër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është e detyruar që me kërkesën e pyetësit, të përfshijë dhënien e përgjigjes, si pikë të parë të rendit të ditës të mbledhjes së komisionit të përhershëm që ka lidhje me objektin e pyetjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›