Ish-kreu i FRESSH: PS po vjedh ndihmat e të përmbyturve
Ish-kryetari i Forumit Rinor të Partisë Socialiste në Shkodër, pjesëmarrës në shpërndarjen e ndihmave të kësaj force në këtë qytet, akuzoi ditën e djeshme se ndihmat po vidhen nga vetë anëtarët e PS-së. “Më kanë caktuar të ndaja 30 pako me ndihma për zonën e Tophanës dhe kam firmosur në magazinat e PS-së të marra me qera për këto pako. Herën e parë mora 15 dhe kur shkova të nesërmen nuk kam gjetur më ndihma”, - tha Genc Muriqi. Ish-drejtuesi i FRESSH sqaroi se këtë denoncim publik po e bën pas ankesave të shumta drejtuar krerëve të Partisë Socialiste në Shkodër dhe deputetëve socialistë të këtij qarku. Sipas tij, kjo situatë reflekton mënyrën e zgjedhjes së strukturave drejtuese të Partisë Socialiste. Selia rozë ditë më parë krijoi një shtab të sajin për shpërndarjen e ndihmave në Shkodër, një strukturë paralele me Shtabin e Emergjencave që zyrtarisht kujdeset edhe për ndarjen e tyre. Por denoncimi i bërë nga Muriqi tregon në fakt se këto ndihma nuk po ndahen për të ndihmuar të përmbyturit por po vidhen. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, disa ditë më parë kërkoi nga të gjitha strukturat e kësaj partie angazhim maksimal për shpërndarjen e ndihmave në Shkodër, por në mënyrë krejt të kundërt angazhimi është kthyer në vjedhje.