E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Shqipëria po përmbush prioritetet për statusin e vendit kandidat

01-10-2012 / Gazeta 55

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, duke komentuar gjasat e vendeve të Evropës Juglindore për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE, ka deklaruar qartazi se Shqipëria po i përmbush prioritetet kyçe që i ishin kërkuar në raportin e vjetshëm të progresit, duke konfirmuar marrjen e statusit të kandidatit, pas raportit të 10 tetorit

Mesazhet që vijnë nga Brukseli, dy javë përpara publikimit të progres-raportit vjetor për Shqipërinë, janë inkurajuese dhe motivojnë klasën politike shqiptare të përmbushë me seriozitet kriteret e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Krahas zyrtarëve të Parlamentit Evropian, përfshirë dhe Partinë Popullore dhe Demokratët e Qendrës, është vetë Komisoneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fyle i cili shprehet se, “Brukseli mbështet kursin reformator të Shqipërisë, me qëllim marrjen e statusit”.
Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve SETimes (Southeast Europe), Stefan Fyle tha se, Shqipëria po përmbush prioritetet e vendosura nga Komisioni. “Shqipëria po përpiqet të plotësojë prioritet kyçe të vendosura nga Bashkimi Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat. Ajo çka secili vend duhet te bëjë për tu anëtarësuar ne BE është plotësimi i kritereve dhe kushteve”, u shpreh Fyle.
Pas dy javësh, Komisioni Evropian do publikojë progres-raportin vjetor për Shqipërinë, i cili do jetë një bazë e dokumentuar rreth progresit të shënuar në reforma, me qëllim rekomandimin e statusit të kandidatit. Ajo që mbështet fuqishëm Brukselit zyrtar është përmbushja e reformave të integrimit të cilat i janë bërë të ditura klasës politike këtu e 3 vjet më parë, që me dorëzimin e kërkesës së ‘statusit’. Por që, bojkoti i gjatë i opozitës, bllokimi i parlamentit prej 2 vjetësh, solli edhe ngadalësimin e kursit të reformave.
Marrëveshja politike e nëntorit të vitit 2011 çeli një sens të ri përpjekjesh mazhorancë-opozitë për realizimin e kushteve të integrimit. Është shënuar progres i konsiderueshëm, por sërish opozita heziton të japë votat për ligje të rëndësishme siç është në rastin konkret ai për Gjykatën e Lartë. Pas u miratua në një betejë të gjatë politike ligji për imunitetet, ligji për Gjykatën e Lartë është shndërruar sërish në personifikimin e rolit bllokator të pakicës parlamentare. Gjatë 10 ditëve të vijim shpresohet fort që opozita të ndërgjegjësohet për fatet e integrimit dhe të japë votat për reformat.
Ndërkaq, sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Serbia dhe Kosova, Fyle kërkoi më shumë bashkëpunim dypalësh, për të përmirësuar më parë marrëdhëniet e fqinjësisë e më pas për të aspiruar BE-në. Sikurse, tha ai, Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me EULEX-in, i cili vazhdon të ketë liri të kufizuar lëvizjeje në veri të vendit, për shkak të kundërshtimit nga ana e serbëve lokalë, të cilët pretendojnë se EULEX-i mban anën e institucioneve të Kosovës.
“Një raund i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojë, por formati, koha dhe qëllimi i dialogut janë ende nën diskutim mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai.
Edhe një herë në formën e një apeli, Komisioneri i BE-se Fyle i beri thirrje shteteve aspirante të plotësojnë kriteret bazë, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit, implementimin e lirive dhe të drejtave themelore, duke përfshirë edhe minoritetet - ndërsa ndër vendet favorite rendit Kroacinë.
“Kroacia është një shembull i mirë, që tregon se çfarë mund të arrihet me reformat e duhura dhe implementimin e tyre. Kroacia do të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në korrik të 2013. Në qershor Mali i Zi nisi negociatat. Ritmi me të cilin secili vend përparon drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e kritereve dhe kushteve të përcaktuara. Kroacia është një shembull i mirë dhe duhet të shërbejë si një nxitje: ajo tregon se çfarë mund të arrihet kur ndiqen dhe zbatohen reformat e nevojshme”, tha Fyle.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›