E Diel, 1 Nëntor 2026

“Memorandumi, mbështetje e rëndësishme politike dhe garanci për një vendim pozitiv mbi gazsjellësin TAP”

30-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha përshëndet memorandumin e mirëkuptimit për gazsjellësin TAP i nënshkruar mes vendit tonë, Greqisë dhe Italisë


Qeveria shqiptare ka përshëndetur memorandumin e mirëkuptimit për gazsjellësin TAP i nënshkruar mes vendit tonë, Greqisë dhe Italisë. Sipas Erla Mëhillit, zëdhënëses së Kryeministrit mësohet se, “Kryeministri Berisha përshëndeti firmosjen dy ditë më parë në New York nga ministrat e jashtëm te Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, të Memorandumit te Mirëkuptimit për bashkëpunim trilateral në projektin rajonal të gazsjellësit Transadriatik që do të sjellë gazin nga fusha gazmbajtëse azere e detit Kaspik, Shah Deniz 2, në vendet që firmosen këtë memorandum dhe në rajone të tjera të Evropës. Ky lajm qe erdhi nga selia e OKB, pushtoi dje te gjitha mediat e mëdha te botes. Akti u vlerësua dhe u përshëndet nga zyrtarë të larte për energjinë të administratës se presidentit Obama, Karlos Paskual dhe Komisioneri për Energjinë i Komisionit Europian Oettinger. Kjo sepse gazsjellësi Transadriatik përben njërin nga korridoret energjetike me te mëdha dhe strategjikisht me te rëndësishëm te kohës. Ai është dhe projekti aktual me i përshtatshëm dhe me fizibel nga pikëpamja ekonomike. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Kryeministrisë Erla Mëhilli theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi i hapet rrugë projektit më të përshtatshëm nga pikëpamja ekonomike, e cila rrit mundësitë për investime. “Memorandumi i firmosur dje, nga tre vendet tona mike, përbën një mbështetje te rëndësishme politike, një garanci për suksesin e ndërtimit te tij te shpejte dhe inkurajim real për një vendim pozitiv nga konsorciumi Shah Deniz 2, për përzgjedhjen e TAP si projekti me i mire dhe fitues i garës”, u shpreh Mëhilli. Ajo theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është më e rëndësishmja e firmosur mes tre vendeve, duke shtuar intensifikimin e bashkëpunimit. “Memorandumi i mirëkuptimit i firmosur dje ne New York, përbën njëkohësisht marrëveshjen me të rëndësishme trilaterale të bashkëpunimit qe vendet tona mike kanë firmosur deri më sot. Me zbatimin e këtij projekti, bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik midis vendeve tona do te njohe nivelet më të larta”, vijo zëdhënësja e Kryeministrit. Mëhilli theksoi se Shqipëria do përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje, duke shtuar se 140 kilometrat që kalojnë në vendin tonë do të krijojnë mundësinë për hapjen e mijëra vendeve të punës, si një nga korridoret më të rëndësishëm në fushën e gazit. “Shqipëria, e cila ka kontributet e saj që në fillesat e këtij projektit gjigand është e vendosur të përmbushë me përgjegjësi të larte dhe seriozitet, te gjitha detyrimet qe dalin nga një vendim përfundimtar eventual pozitiv i konsorciumit të Shah Deniz 2 për gazsjellësin Transadriatik. Gazsjellësi Transadriatik me 140 kilometrat që kalojnë nëpër territorin shqiptar sjell me vete mbi 2 miliard euro investime dhe krijimin e dhjetëra, mijëra vendeve te reja te punës. Ai bën te mundur gazifikimin e plote te vendit duke plotësuar ne mënyrën me te leverdishme me ekonomike ngrohjen gatimin ne çdo familje shqiptare dhe plotësuar nevojat ne rritje te industrive tona për gaz. Shqipëria, si vend me depo te mëdha natyrale gazi do te ketë një pozicion shumë te rëndësishëm ne shpërndarjen e tij ne veri por dhe mundësi te madhe për fuqizimin e prodhimit dhe eksportit te energjisë ne rajon”, përfundoi zëdhënësja e Kryeministrit. Memorandumi për Bashkëpunim në lidhje me Projektin TAP i njohur si Trans Adriatic Pipeline u nënshkrua në New York nga Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti, Greqisë, Dimitris Avramopoulos dhe i Italisë Giulio Terzi. Gazsjellësi Trans Adriatik është njëri ndër disa projektet konkurruese për sjelljen e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, gjë që synon të ulë varësinë nga furnizuesit e tanishëm. Me nënshkrimin e memorandumit tre vendet i japin mbështetje të plotë politike projektit. Qeveria e Shqipërisë parashikon që Gazsjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim mbi 2 miliardë euro.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›