Akuzat e Del Ponte, Ina Rama refuzon hetimet serbe
Kryeprokurorja Ina Rama i vë në dispozicion të dërguarit të prokurorisë serbe hetimet e vitit 2005
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, refuzon hetimin e prokurorisë serbe në rrethin e Matit, për të verifikuar akuzat e ngritura nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia”. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, bëri me dije dje se ka mbërritur në Tiranë prokurori serb iKrimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili gjatë takimit 1 orësh me kryeprokuroren Ina Rama i kërkoi asaj të kryejë hetime në fshatin Rribë të Burrelit. “Gjatë takimit të zhvilluar në Prokurorinë shqiptare, palës serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të Prokurorisë shqiptare, në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara për t’u kryer nga autoritet serbe në lidhje me këtë çështje”,-thuhet në njoftimin zyrtar të zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti. Sipas këtij njoftimi, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme i ka vënë në dispozicion në gjuhën angleze rezultatet e hetimit të zhvilluar nga hetuesit e ardhur nga Haga dhe prokurorëve të Rrethit Mat në vitin 2005 në disa ambiente në zonën e Burrelit.
“Prokuroria e Përgjithshme, gjatë takimit një orësh, i vuri në dispozicion delegacionit serb rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët, që është kryer në vitin 2005, nga hetuesit e ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për trafikun e organeve të shtetasve serbëqë pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”,-thuhet në njoftimin zyrtar të organit të akuzës. Ndërkaq, prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, ka kërkuar nga kryeprokurorja Rama t’i japë leje të zbarkojë bashkë me stafin e tij për një hetim në fshatin Rribë të rrethit Mat, ku në librin e kryeprokurores së Hagës, Del Ponte pretendohet se forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) kanë kryer operacione të transplantimit të organeve, ndaj serbëve të kapur rob në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Këtë kërkesë, mësohet se kryeprokurorja Rama e ka refuzuar, duke i bërë me dije, se asnjë veprim ligjor apo procedural nuk mund të kryhet në atë zonë, pa lejen e autoriteteve shqiptare.
Lidhur me këtë kërkesë të delegacionit serb, kryeprokurorja Ina Rama do t’i kërkojë Këshillit të Sigurisë Kombëtare të lejojë ose jo që autoritete serbe të kryejnë hetim për pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Carla del Ponte. Në librin e saj “Gjuetia”; Kriminelet e luftës dhe unë”, Del Ponte shkruan se “rreth 100 deri 300 serbë, shumica civilë, u transportuan me kamion nga Kosova drejt qytetit shqiptar të Burrelit. Sipas saj, në këtë zonë të humbur të Shqipërisë, UÇK-ja i vrau serbët dhe doktorët shqiptarë i morën organet e tyre për t’i shitur”,-nënvizohet në librin e Del Pontes, që është kundërshtuar dhe kritikuar nga të gjitha elita politike e trojeve shqiptare dhe të huaj. Gjithashtu, në fund të takimit mes Kryeprokurores Rama dhe Vladimir Vukçeviç është diskutuar edhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes dy institucioneve, njëkohësisht edhe ndihma që mund të ofrohet në çështjet e ndërsjellta që zhvillojnë të dy prokuroritë si dhe në trajtimin e të gjitha çështjeve që mund të kërkojnë ndihmën e përbashkët.